18 luglio 2012

Butrinti, fjala e pambajtur e Kryeministrit Berisha: Ja video

17 Korrik 2012 - 17:11
Gjatë bisedës në emisionin “Log” të kolegut Artur Kopani në prag të sezonit veror të vitit 2010, kryeministrin Berisha e kam pyetur për kalvarin e të shkuarit në Butrint e Apolloni, si dy site arkeologjike të njohura jo vetëm në Shqipëri por dhe në botë. Në një kohë që për Apolloninë nuk duket ende në horizont zgjidhja e rikonstruktimit dhe moderizimit të rrugës, për Butrintin problemi ishte ndryshe. Megjithëse rinkontruktimi i rrugës Kanali i Çukës – Butrint, afër 13 km, nisi punimet në vitin 2007, deri në momentin kur u pyet shefi i qeverisë në atë emision, segmenti ishte në punime. Ishte hedhur asfalti në pjesën më të madhe, por për drejtuesit e automjeteve kishin mbetur problematike dy segmente, jo më shumë se 1.5 km të dyja, që ishin në gjendje të mjeruar. Kalimi mbi to krijonte pluhur dhe bëhej rrezik për aksident, pa llogaritur amortizimin e dëmin për gomat nga gurët dhe gungat. Kur kjo atmosferë ju përshkrua kryeministrit gjatë emisionit, ai premtoi se ky aks rrugor do të përfundonte për sezonin veror...
Por e vërteta është se vera e 2010-s e la po ashtu rrugën. Me ndonjë ndryshim minimal kaloi dhe sezoni veror 2011. Tani në këto ditë të nxehta të korrikut 2012, kur është dhe kulmi i gjallërisë për në aksin Kanali i Çukës – Butrint, kanë mbetur pa përfunduar me asfalt të dy segmentet në fjalë. Përfundimi i tyre me asfalt do të ishte minimumi që mund ti bëhej kalimtarëve të këtyre anëve: banorëve të komunës së Ksamilit dhe zonave përrreth, plazhistëve që vijnë nga çdo cep i Shqipërisë dhe nga vende të tjera, si dhe vizitorëve të shumtë të qytetit antik të Butrintit. Themi që asfalti është minimumi, pasi po të kërkonim normalen, do të kishim plotësisht të drejtën që rruga të na ofrohej me standardet e parave publike të akorduara: të plotësonte në gjithë gjatësinë e saj parametrat me muret mbrojtëse, sinjalistikën, tabelat orintuese dhe gjurmët për kalimtarët, pjesët e trotuarit, minivepra të artit që janë parashikuar në projekt etj. Por këto, sipas modelit shqiptar të ndërtimit të rrugëve, janë “aksesorë të dorës së dytë” dhe i takojnë të bëhen pas tam tam-eve të inagurimit me shirita, banderola, kamera, duartrokitje dhe “fitorje” të mëtejshme...
Lënia pa përfunduar e rrugës për në qytetin antik të Butrintit komentohet në mënyra të ndryshme, por dy janë pistat që përfliten më shumë: “Nuk janë paguar dy firmat ndërtuese dhe ato i kanë lënë dy segmentet si mjet presioni për të marrë lekët për volumin e punimeve të kryera”- thonë të sigurtë disa. “Qeveria po i mban inat banorëve të Ksamilit që në zgjedhjet lokale ja dhanë votën në shumicë kandidatit socialist”, aresyetojnë me pasion ata ksamilas, të cilët gjithçka e lidhin me politikën.
Por tutje këtyre dy arsyetimeve jo pa emocion, mosmbajtja e premtimit që bëri kryeministri duhet të lidhet drejtëpërdrejtë me problemet që shkakton rruga për vizitorët vendas dhe të huaj për qytetin antik të Butrintit. Nuk janë pak, por rreth 100 mijë njerëz në vit që marrin udhën dhe presin biletën për të shuar kuriozitetin dhe për të mësuar më shumë nga ky monument kulturor shumë dimensional që i ka rezistuar historisë. Por një rrugë nën rikontruksion që ka nisur prej 5 viteve dhe që nuk dihet se kur do të përfundojë - ashtu siç është vizatuar në letër- kjo duket si një sabotim për Butrintin. Kjo duket hapur si një mospërfillje deri në arrogancë qeveritare. Butrinti është në çdo spot dhe reklamë që emetohet nga mediet vendase dhe ndërkombëtare në funksion të bërjes së Shqipërisë sa më atraktivite ndaj të huajve. Nuk është serioze dhe etike për shtetin që të ofrojë diçka që nuk ta jep. Ofron pamje kartolinë -sepse i tillë është Butrinti- por po të rrish buzë rrugës që të çon në këtë qytet antik do të shohësh autobuzë të mbushur me turistë që janë pluhrosur nga rruga e pambaruar, do të shohësh portrete vizitorësh të surprizuara, do të arrish të kapësh sharrjet dhe mllefin e drejtuesve të automjeteve për mundimin e bërjes së atyre pak kilometrave pa asnjë standard.
Është i njohur fakti që në shtetin fqinj helen ka ende disa agjenci udhëtimi që jua fshehin klientëve të tyre qytetin antik të Butrintit, ose atyre më këmbëngulësve jua përshkruajnë si një tmerr infrastrukture duke ja shmangur nga guida. Kësaj xhelozie turistike mes fqinjëve -pa dashur të bëjmë interpretime të tjera joturistike të logjikshme- ju ka dhënë për fat të keq “dritën jeshile” dhe zvarritja pa sens që po i bëhet rikonstruktimit të ndërtimit të rrugës Kanali i Çukës - Butrint.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate