18 luglio 2012

Kriza prek sezonin turistik, bien të ardhurat për muajin korrik



TIRANE 18 Korrik 2012 - 08:26- Vështirësitë financiare në buxhetet familjare të shqiptarëve, por edhe të shumë qytetarëve të huaj, duket se janë reflektuar në një tentativë kursimi edhe kundrejt pushimeve. Një nga brigjet që ka tërhequr më shumë pushues në vitet e fundit ka qenë ai i Vlorës, por ky sezon turistik nuk është në nivelin që pritej, të paktën nga biznesmenët e zonës, gjatë 15-ditëshit të parë të muajit korrik
.
Fillimi i sezonit turistik për këtë vit, në fakt, është shoqëruar nga një fluks i ulët pushuesish, dhe kjo, sipas bizneseve bregdetare, lidhet me orientimin e familjeve drejt zonave më pak të kushtueshme. Pavarësisht fluksit të ulët të pushuesve në javët e para të muajit korrik, pronarët e bizneseve bregdetare shpresojnë se dyjavëshi i dytë i këtij muaji do të jetë në ritme më pozitive. Ata shprehen se kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet për pushime, duke bërë investime të konsiderueshme. Ndryshe nga sa ndodh me pjesën bregdetare pranë qytetit të Vlorës, nga të dhëna paraprake zona e Dhërmiut dhe Jalës mbeten zonat bregdetare më të frekuentuara të bregdetit jonian.

Ndërkohë, ajo që dallon dukshëm këtë vit është konsumi i ulët edhe i atyre pushuesve që frekuentojnë rajonet me interes turistik. Kjo bie në sy në një numër më të vogël se më parë të atyre që ushqimin e marrin në restorante e lokale të tjera, ndërkohë që shumë familje shmangin hotelet, duke përdorur rulota e çadra për strehim.

Sipas shifrave zyrtare, bilanci i shërbimeve turistike në gjashtë muajt e parë të këtij viti ishte 6 për qind më i lartë se një vit më parë, kjo kryesisht për shkak të uljes së numrit të shqiptarëve që kanë shpenzuar për turizëm jashtë vendit, pas një rritjeje të shpejtë pas heqjes së detyrimit për viza Shengen për qytetarët shqiptarë.

JOSHJA
Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, po viziton këto ditë, sëbashku me bashkëpunëtorët e tij, Prishtinën, ku ka prezantuar kushtet që ofron riviera turistike e Shqipërisë Jugore. Ai ka thënë se Saranda është përgatitur sivjet për t‘i pritur turistët nga Kosova, të cilët si çdo vit, sipas tij, nuk janë të paktë që kalojnë pushimet në plazhet e Sarandës.

Kjo zonë konkurron me të gjitha vendet e rajonit sa i përket cilësisë së shërbimeve turistike. “Çmimet janë të volitshme për të gjitha kategoritë e turistëve. Në këtë vend, përveç plazhit, turistët mund të vizitojnë edhe shumë vende kulturore të kësaj pjese të Shqipërisë”, ka thënë Çipa.
Sivjet shumë qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar drejt bregdetit shqiptar për të kaluar pushimet, duke kërkuar adresa të tjera veç Durrësit tradicional.

(Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate