Robert Elsie
on Sunday, 18 March 2012Mikpritja është një ideal i dashur e i rëndësishëm i shoqërisë tradicionale shqiptare. Është krejt e papërfytyrueshme, që me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike në mbarë realitetin shqiptar, njeriu të mos pritet mirë ose të mbetet jashtë në rrugë pa strehë. Shqiptarët e kanë mikpritjen të shenjtë e të pakufishme. Thonë, për shembull, se në kohën e diktaturës komuniste, kur po bëheshin plane për ndërtimin e një hoteli në veri të vendit, banorët e qytetit në fjalë u ndjenë të fyer e të zemëruar. Sipas mendimit të tyre, qyteti nuk kisht nevojë për hotel, sepse çdo udhëtar, që do të kërkonte vend për të qëndruar, mjaftonte të trokiste në derë, në çdo derë, për të ngrënë e për të kaluar natën.
Ai
që hynte në një shtëpi, vihej vetvetiu menjëherë nën mbrojtjen e saj,
dmth. i zoti i shtëpisë mbante përgjegjësi për sigurimin dhe “nderin” e
mikut deri kur ai të dilte jashtë shtëpisë ose tokës së tij. Për këtë
arsye, zakon është që i zoti i shtëpisë ta përcjellë mikun, kur ai
largohet, deri aty ku mbarojnë pronat e tij, dhe, po të ketë ndonjë
rrezik, e shoqëron deri në shtëpinë e vet ose në shtëpinë tjetër ku do
të hyjë. Në këtë mënyrë , udhëtari mund të bënte rrugë të sigurt në mes
fiseve tepër të armatosura të veriut, që mund të ishin tepër të
rrezikshme, thjeshtë duke shfrytëzuar këtë privilegj - të drejtën e
mikut.Pasi hynte në një shtëpi, miku gjithmonë qerasej me diçka për të pirë a për të ngrënë, qoftë edhe vetëm simbolikisht, sipas motos shqiptare “bukë e kripë e zemër”. Përgjithësisht, sot qerasja bëhet me një gotë raki, me një filxhan kafe ose me pije joalkolike, më e pakta me një gotë ujë. Pijet zakonisht shoqërohen me karamele, me gliko ose me arra.
I zoti i shtëpisë e ka për detyrë ta bëjë mikun të ndihet sa më mirë dhe të përpiqet t`ia përmbushë të gjitha dëshirat. Po qe se dikush e fyen mikun, marrja e hakut është detyrë e të zotit të shtëpisë. Mikpritja kishte kaluar në veprime të tilla në malësitë e veriut, sa që i zoti i shtëpisë e pyeste mikun, çka sot rrëfehet shpesh si shaka, se me cilën nga femrat e shtëpisë do të donte të flinte: me të shoqen, me të motrën, apo me të bijën. Nuk është nevoja të thuhet se ky i ashtuquajtur prostitucion i mikut tashmë është shuar, kundër dëshirës së fshehtë të shumë ushëtarëve. Rregullat e mikpritjes shqiptare janë kodifikuar në të drejtën zakonore të veriut, sidomos në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/tradita/item/mikpritja-e-shenjte-e-shqiptareve?category_id=24
Nessun commento:
Posta un commento