Iolanda Karrisi, nëna e këngëtarit të famshëm Al Bano, në një intervistë eksluzive, flet për herë të parë në një media shqiptare. Ajo rrëfen për bashkëshortin e saj Karmelo, që ka shërbyer ushtar në Shqipëri. Dhe sipas Iolandës, meqë e ka dashur shumë Shqipërinë, erdhi edhe ultimatumi kur lindi Al Bano: Nëse do të ishte vajzë do të quhej Albana, nëse ishte djalë Albano. Dhe kështu ndodhi. Iolanda flet për përjetimin e divorcit të të birit me Rominën, por edhe dëshirën që 90 vjetorin e ditëlindjes, ta bëjë mes shqiptarëve në Llogara. Gruaja me karakter të fortë dhe shpirt të butë, nuk dëshiron t’u përgjigjet pyetjeve për zhdukjen e të mbesës, Ylenias as edhe për bashkëjetesën e Al Banos me Loredanën. Por kujton me nostalgji, vizitën e parë që ka bërë në Shqipëri në vitin 1985.
Iolanda, ta nisim me një pyetje që është edhe zanafilla e lidhjes së miqësisë. Si qëndruat ju nuse e re, ndërsa Karmelo ishte dërguar në Shqipëri për të luftuar?
Pikërisht janë kujtimet e burrit tim për vendin tuaj, që unë pranova të jap këtë intervistë, sigurisht edhe pas “urdhrit” që dha im bir Al Bano. Karmelo u nis për në luftë në vitin 1940, e burgosën më 1943 dhe u kthye më Celino më 1945. Ai shkoi ushtar, atje e dërgoi shteti si qindra e qindra të tjerë për të luftuar. Sigurisht ishte ankth si për mua që kisha lidhur jetën me të, ashtu edhe për të gjithë familjen e fisin, pse luftës nuk i dihet. Unë jam qetësuar më pas kur ai erdhi në shtëpi dhe na tregoi se ishte larguar nga fronti i luftës dhe ishte vendosur në prapavijë, vetë me këkesën e tij, me pretendimin se ishte i sëmurë, por nuk ishte kjo e vërteta. Karmelo nuk donte të vriste njeri me dorën e tij, ai i donte shqiptarët, ata njerëz të thjeshtë që ai i kishte miq derisa u nda nga jeta. Por dua të them se në pjesën më të madhe të kohës që Karmelo ka qëndruar në Shqipëri, unë isha shtatzënë dhe më pas linda e rrita Albanon. Isha e proekupuar pas fëmijës. Nuk mund të rri pa thënë që kur erdhi në shtëpi Karmelo, kishte ndryshuar shumë, për çdo gjë trembej. I dukej se po fluturonin areoplanët, sikur gjëmonte pushka dhe fliste edhe nëpër gjumë. Ishte vërtetë një traumë psikologjike dhe këtë pasojë ia kishte dhënë peshqesh lufta. Nuk ishte më ai djali simpatik, entuziast, optimist për jetën, por gjithë kohën i trembur, i shqetësuar.
Si e pritët ju porosinë e Karmelos që fëmijës së parë që prisnit të lindnit, tia vinit emrin Albano, ndërsa kishit menduar më parë ta quanit Oktavio?
Ishte një porosi e prerë e Karmelos. Ai më kishte thënë që nëse do të lindte vajzë, emrin do ta kishte Albana, nëse do të ishte djalë, do të quhej Albano. “Ky emër do të jetë fati ynë”-më shkruante ai dhe unë ashtu veprova. Në të vërtetë, djali ynë me emrin Albano, ishte fati ynë, që i solli mbarësi familjes dhe mbetet krenaria jo vetëm e familjes Karrisi, Celinos, por edhe Italisë, pse jo edhe i Shqipërisë, emrin e të cilit ka. Zoti e desh që t’i jepte talentin zërin dhe të bëhej i famshëm. Tek e fundit emri ishte i bukur, i veçantë, pse sillte ndërmend një vend fqinjë, por mbi të gjitha kujtimet e bukura të të atit gjatë luftës. Për këto shkaqe, nuk kishim arsye që ta kundërshtonim.
Kujtoni se çfarë ju rrëfente për Shqipërinë e shqiptarët, bashkëshorti juaj, Karmelo?
Nuk i pushonte goja së foluri për Shqipërinë. E pëlqente atë vend, i donte ata njerëz. Kjo nuk vinte thjesht se Karmelo ishte një njeri me shpirt të madh, donte paqen, porse e ndjente dhe e kuptonte se vendi i tij kishte gabuar që kish pushtuar atë vend, që vriste edhe njerëz të pafajshëm që jetonin në tokën e tyre, Qëndrimi për një kohë të gjatë dhe të vështirë në Shqipëri, porse i kish njohur nga afër dhe i pëlqente, i donte. Sikurse shprehej vazhdimisht, ai vlerësonte mikpritjen e tyre, bujarinë dhe i vinte keq që ishin aq të varfër. I pikonte në shpirt kur thoshte se shumë prej tyre ushqeheshin me kallinj misri. Pikërisht edhe për shkak të kushteve që jetonte ky vend, Karmelos i dukej antinjerëzore që ata njerëz të varfër, ardhur në këtë botë për të gëzuar jetën, shkon i huaji dhe kërkon t’ia marrë jetën që i kish dhënë Zoti. Ai i donte aq shumë shqiptarët, sa deshi i plasi zemra derisa vizitoi Shqipërinë, plot 40 vjet pasi kishte ikur nga ai vend.
Do të dëshironim nga goja juaj të mësonim ndonjë hollësi nga vizita e parë që keni bërë në Shqipëri?
Unë kujtoj që Karmelo ia solli në majë të hundës të birit, Albanos, që të shkonte në ambasadën shqiptare në Romë dhe të kërkonte për të bërë një vizitë në Shqipëri. “Nuk mund të mbyll sytë pa e parë edhe njëherë atë vend, pa takuar ata njerëz që më kanë lënë mbresa të mëdha”, i thosh ditë për ditë deri sa Ambasada e miratoi. Albano kishte dëshirë vetë jo vetëm për të shoqëruar prindërit, por për ta parë atë vend për të cilin i ati kish folur parreshtur. Duket e pabesueshme, por Karmelo i ka edukuar fëmijët që të vegjël me dashurinë për Shqipërinë, për këngën dhe heronjtë e këtij vendi dhe të gjithë ishim kuriozë për ta parë me sytë tanë këtë vend, që ishte bërë pjesë e familjes Karrisi. Në vizitën, që u bë në vitin 1985, isha unë me Karmelon dhe Albano, ndërsa nuk mundi të vijë Romina megjithë dëshirën e saj, pasi ishte shtatzënë. Madje mendja na rrinte edhe atje, se mos lindte ndonjë problem. Ishte një vizitë e paharruar, që gjallëroi shumë Karmelon, madje atij i iku edhe shqetësimi që kishte në zemër. Duket ky ishte shkaku që ai kish filluar të vuante nga zemra dhe kishte frikë se mos vdiste dhe nuk e shihte më këtë vend. E vërteta është se vizita e tij, kujtimet e shëruan. Kjo tregon se sa mall dhe dashuri ka pasur dhe pati për vendin tuaj.
Ndonjë detaj, që ju bie ndërmend?
I kujtoj edhe sot, pas kaq vitesh se si Karmelo edhe pse pas 40 vjetësh që kish qenë në ato anë, tregonte se si e kalonin lumin mbi urë, duke u kapur të gjithë përdore, pasi lumi Vjosa ishte i rrëmbyeshëm, kish marrë edhe jetë njerëzish. Unë dhe Al Bano qëndronim gojëkyçur, vetëm dëgjonim çfarë thoshte ai dhe rregjistronim në memorie kujtimet e tij deri në detaje. Kujtoj që kur shkuam në Përmet, kërkonte një familje që i kishte zënë miq gjatë luftës, që e kishin ndihmuar Karmelon, por fatkeqësisht nuk e gjetëm. Ai mbante mend vendin, por jo emrin e familjes dhe gjithçka kishte ndryshuar. Aty ai kishte ngrënë trahana, që i kish pëlqyer shumë dhe kërkonte edhe prej meje që ta bëja atë gatim, por unë nuk e dija se si bëhej. Magjepse ishte historia e Gjirokastrës, kalaja, që ishte edhe vendlindja e Enver Hoxhës, për t’u mrekulluar më pas me Vlorën, ku pimë kafe në një kodër që e thërrisnin Kuzumbaba. Saranda ishte qyteti shumë i dëshiruar për Karmelon, pse aty kishte qëndruar gjatë si ushtar. Ishin pikërisht këto emocione që shprehte pareshtuar Karmelo, që e frymëzuan Al Banon për të bërë këngën “Saranda Okinava”, këngë, që e ka për zemër edhe sot. Sa dëshirë kam, që ta shoh edhe njëherë Shqipërinë me ndryshimet e mëdha që ka pësuar 20 vitet e fundit dhe të qëndroj disa ditë në Vlorë e Sarandë. Duhet të besoni që Shqipëria është shumë e dashur për familjen Karrisi dhe Al Bano e ka treguar me ardhjet e tij të shpeshta.
Ju jeni nëna e gjeniut të këngës italiane, çfarë ka ndryshuar në familjen Karrisi, pas famës së të birit?
E lumtur, si çdo nënë tjetër që do të kishte një bir si Al Bano. Unë kam besuar gjithmonë tek Zoti dhe jam lutur për fëmijët. Por unë nuk lumturohem vetëm se Al Bano është një këngëtar i famshëm, por edhe pse është një bir që kujdeset jashtëzakonisht shumë për prindërit, për fëmijët, për familjen, për shtëpinë, për tokën, për gjithçka. Unë gëzohem shumë kur më thonë se ai është një njeri human, ka një shpirt të madh, i thjeshtë, që i do njerëzit dhe ndihmon të varfërit, aq sa mundet. Unë ndjehem e lumtur që Al Bano vuri në jetë edhe porosinë e të atit, që ia la amanet: “Ta duash Shqipërinë dhe shqiptarët, ai vend i lashtë me njerëz të mrekullueshëm të jetë për ty, Atdheu i dytë”.
Si e keni përjetuar shqetësimin që kaloi Al Bano, pas një operacioni që bëri muajt e fundit?
Sikurse mund të ndjehet çdo nënë, kur i vuan biri. U shqetësova shumë, pavarësisht se nuk e dhashë vehten, pasi vetë natyra e operacionit të krijonte ankth. Al Bano është i jashtëzakonshëm edhe këtë e ka treguar në përballjen me vështirësitë e jetës si edhe në raste të tjera. Ai është i fortë, nuk mposhtet, këtë forcë ma kalon edhe mua dhe bashkë iu falëm Zotit dhe gjithçka mori për mirë, nuk ka asnjë pasojë për jetën e tij. Sikurse biseduat me të, Al Bano vazhdon turin e koncerteve nëpër shtetet e botës, duke lënë pas atë që ndodhi.
Pas këtij gëzimi, të ndalemi në një moment që shkaktoi dhimbje, jo vetëm në familjen Karrisi, por edhe tek fansat e Al Banos, divorci me Rominën. Si e ka përjetuar Iolanda këtë dramë të të birit?
(Hesht për një çast dhe sytë i përloten). Po është vërtetë një dramë në familjen tonë. Për vete, Rominën e kam dashur shumë, si bijën time, sepse nuk kam vajzë dhe ajo është rritur në familjen tonë. Ka ardhur 19 vjeçe dhe u largua 50 vjeçe. Kemi rritur bashkë 4 fëmijët e Al Banos dhe është e pamundur të mos ndjeja dhimbjen për ndarjen e tyre. Por çfarë kisha në dorë unë për të evituar këtë dramë? Ishte një problem i tyre, madje thjeshtë dhe vetëm dëshirë e Rominës, që kërkoi të marrë një drejtim tjetër në jetën e saj dhe Al Bano ishte i detyruar ta respektonte këtë vullnet të saj. Ja që ndodhi edhe kjo, që nuk pritej nga askush, por duhet përballuar. Jeta paska të papritura, që njeriu nuk i mendon dhe nuk i dëshiron.
Ndoshta jua plotësoi paksa boshllëkun ardhja e Loredanës?
Nuk dëshiroj të bëj asnjë koment rreth kësaj, besoj se nuk do të më keqkuptoni. Ju jeni e brendshme në familjen tonë, dini gjithçka dhe unë nuk do të dëshiroja të bëja ndonjë koment rreth këtij problemi për ta dëgjuar apo lexuar miqtë tanë në Shqipëri. Mos më pyesni për diçka, që e dini shumë mirë.
Shohim që nipërit dhe mbesat të qëndrojnë pranë, si ndjehet Iolanda gjyshe?
Çdo gjyshe ndjehet e lumtur kur rrethohet me nipër e mbesa. Shyqyr Zotit Al Bano ka 5 fëmijë tani, ashtu edhe djali tjetër Franko. Gjejnë kohë të rrinë me mua, të më ëlodhin e largojnë hallet dhe të përballoj vitet e pleqërisë.
Sigurisht që e vuani mungesën e Ylenias?
Nuk do të dëshiroja që t’i të ma bëje këtë pyetje, pse më ngacmove dhimbjen dhe ti e di mirë. Zhdukja e Ylenias, është plaga që rrjedh dhimbje në këtë botë dhe në botën tjetër kur të shkoj.
Çfarë ka trashëguar Al Bano nga nëna e tij Iolanda, gjë që ai e përsërit shpesh?
Nuk e di çfarë mendon ai, por unë jam e lumtur që shumë cilësi të miat, janë mëshiruar edhe tek fëmijët. Mbi të gjitha është dashuria për punën, për çdo lloj pune, dashuria dhe respekti për njerëzit, për të afërmit, respekti dhe përgjegjësia për familjen. Sigurisht, një nënë ndjehet mëse e lumtur kur fëmija i ngjan edhe fizikisht. Al Bano më ngjan mua, apo jo?
Si do ta festoni 90 vjetorin e lindjes, çfarë surprize do të presësh nga Al Bano?
Do të jetë një ditë e zakonshme e jetës sime, por që mban mbi shpinë 90 vite. Shpresoj se do ta arrij, ja edhe një vit e gjysëm duhet. Ndjehem mirë fizikisht. Unë do ta vazhdoj të punoj në vreshtë dhe punë të tjera që janë pa mbarim. Shpresoj se do të jem si sot, që kur kaloj nëpër Celino, njerëzit më ndalojnë, kërkojnë të flasin, të pyesin për Al Bano. Kjo është një kënaqësi e veçantë për mua, kështu ka qënë tërë kohën bashkëbisedimi me njerëzit, por që nga koha që mungon Karmelo dhe kur Al Banon nuk e kam këtu, vërtetë kam nevojë për njerëz. Nuk e di çfarë ka menduar Al Bano për këtë përvjetor timin, por shpesh më ka thënë se do të më sjellë në Vlorë, do të më çojë në Llogara. Ndoshta ta festojmë atje ditëlindjen time, mes miqsh, afër Sarandës. Nuk e di, por duhet të besoni, që për Karmelon, për mua, Al Banon dhe gjithë familjen Karrisi, vendi juaj zë një vend të veçantë.
Si e përjetuat ikjen e Karmelos?
Ishte një ndarje që më la pas dhimbje. Ngrysëm jetën bashkë. E kemi dashur shumë njëri tjetrin, jemi marrë vesh shumë mirë. Vitet e fundit u verbua dhe unë nuk iu ndava për asnjë çast, por edhe nuk rrinte pa mua. Në situata të tilla, dallohet dashuria dhe respekti për bashkëshortët. Ai më thosh se “ti Iolanda ke qënë gjithçka për mua, por u bëre edhe dielli dhe drita”. Vdekja është e natyrshme, por e dhimbshme. Janë ligje të natyrës, brezat do të zëvendësojnë njëri-tjetrin.
Kontakton me shokët e Al Banos?
Janë shumë, por unë do të veçoj Pipo Baudo. Ai më fton gjithmonë që të jemi bashkë, madje ngul këmbë të shkoj edhe në Sanremo të dëgjoj Al Banon në skenë. Ai vjen shumë shpesh edhe në Celino, janë shumë miq me tim bir dhe ai më konsideron si nënën e tij.
Kam një histori të bukur me Pipon. Ai i pëlqen shumë gatimet që bëj unë dhe nuk dëshiron të hajë diku tjetër. Njëherë ma punoi kur ndodhesha në sallë për të ndjekur Al Banon. Pa më thënë më parë, në mes të të gjithëve, më thërret: …Eja me mua zonja Iolanda dhe zbriti shkallët më futi krahun dhe më çoi në skenën e Sanremos. Unë e pyes: Përse më solle këtu, çfarë të them Pipo?
Detyra ime ishte të sillja këtu, - mu përgjigj ai, se çfarë do të thuash, e di ti. Por ai e di që unë di të flas, ndaj dhe më bëri surprizën. Pipo është njeri i sinqertë. Unë i kuptoj njerëzit nga sytë kur duan të shtiren dhe shpesh i them Al Banos: Ky nuk është njeri i mirë, e ka me hile. Kur ia them ai reagon menjëherë dhe thotë: Çfarë thua mama, nuk është ashtu. Kur kalon koha dhe e njeh nga afër dhe bindet për atë që i kam thënë, ma kthen sinqerisht “Kishe të drejtë”. Pastaj më drejtohet duke më parë në sy dhe më pyet: Si është e mundur që ti i gjen të gjitha gjërat më përpara se të ndodhin?
Di që ju besoni shumë, apo gabohem?
Është e vërtetë, ne besojmë dhe unë nuk mund të veçohem nga të tjerët. Unë do të tregoj një rast, që të të mbush mëndjen se duhet besuar. Kur ishte në Shqipëri, pra flasim për periudhën e LIIB, burri im Karmelo, kishte 10 muaj që nuk më kishte shkruar. Pas 10 muajsh më erdhi një kartolinë që më lajmëronte se ishte i burgosur në Gjermani. Sigurisht ishim shumë të shqetësuar për këtë fakt, pse luftë ishte edhe mund të vritej. Po afrohej festa e Celino San Marko dhe një javë përpara festës motra e Karmelos më thotë: Iolanda, pas një jave burri yt dhe vëllai im Karmelo, do të jetë në Celino. Nuk e besova, por ajo nguli këmbë: Iolanda, ai do të vijë dhe do të sjellë shumë dhurata, rroba e gjithçka. Çfarë do të më falësh mua? Pas kësaj bisede me kunatën time, unë pashë një ëndërr, pashë koncensionin e San Markos. Shkova dhe i lutesha duke qarë San Markos:” Të lutem, më ndihmo që të vijë burri im!” San Marko më kthehet duke qeshur dhe më thotë: “Mos u shqetëso, burri yt do të kthehet më datën 18.00 ora 13.00”.
Pikërisht në këtë datë, në këtë orë, ndërsa po qepja në makinë, kunata ime thirri me sa zë që kishte:” Iolanda, eja, erdhi Karmelo”. Iu përgjigja me fytyrë të vrazhdët, duke i thënë: “Ti shko dhe tallu me ndonjë tjetër se me mua nuk të shkojnë këto”. Në të vërtetë përballë meje ishte Karmelo, që nga malli u sul mbi mua duke më rrëzuar me gjithë karrike. Kjo e vërtetë nuk të bën të besosh? Por unë kam pasur shumë të tilla dhe më është mbushur mendja se duhet besuar.
Kur Al Bano është nëpër koncerte, cili është meraku i nënë Iolandës?
Unë nuk e ndjej fare largimin e Al Banos, sigurisht me zërin e tij se fizikisht “fluturon” nëpër skenat e botës. Kjo për faktin se ai më merr disa herë gjatë ditës në telefon. Nis që nga mëngjesi, që pyet se si u gdhiva, pastaj gjatë ditës, kur pyet: Çfarë je duke bërë tani. Vazhdon pasdite, në mbrëmje dhe pas koncerteve kur më bën pyetjen dhe urimin: Ke rënë të flesh? Gjumin e ëmbël, Iolanda! Pra më merr aq shpesh, sa ndonjëherë i përgjigjem: “Mjaft Al Bano se më le pa bërë punët!”
Flitet se ecni shumë shpejt me makinë, se ju ka gjobitur policia. Është e vërtetë Iolanda?
Po, është shumë e vërtetë. Unë kam marrë patentën që në vitin 1965 dhe kam përdorur shumë lloje mjetesh, përfshi edhe Ferrarin. Policët më ndalojnë dhe më këshillojnë: “Çfarë bën Iolanda, kujdes me shpejtësinë se nuk po bën gara me Ferrarin”. Në disa raste i janë ankuar edhe Al Banos duke i thënë: “Këshilloje nënën, Al Bano se ikën pikë plumbi”. Në shumë raste unë vë kapele që të mos më njohin, t’u duket se po e nget një burrë makinën, pasi tek gratë policia nuk beson. Në fakt gratë janë më të sigurta si shofere, më të qeta dhe nuk kemi dëgjuar deri më sot se ka ndodhur aksident me drejtuese mjeti grua. Unë vazhdoj të ngas me shpejtësi makinën dhe ky ka qenë dhe mbetet hobi im.
Në mbyllje të intervistës ëfarë doni të thoni?
Të faleminderit, të fala nga Shqipëria. Të shpresojmë se do të takohemi në Llogara për të festuar 90 vjetorin e lindjes time. Do të ishte e paharruar, pasi më ka marrë malli shumë për Shqipërinë. Kujtimet e bukura për atë vend, do të më sjellin në mëndje Karmelon e dashur, për të cilin më ka marrë malli shumë.http://www.shqiptarja.com/metronews/2729/e-ema-e-albano-carrisi-90-vjetorin-e-dua-ne-llogara-100626.html
Nessun commento:
Posta un commento