18 maggio 2012

Trashegimia Natyrore e shqiperis se jugut,LAGUNA KARAVASTASE,PARKU KOMBETAR " PISHA DIVJAKES",GRYKEDERDHJA DHE LUGINA SHKUMBINIT, ZVERNEC- LAGUNA NARTES,ISHULLI SAZANIT, GADISHULLI KARABURUNIT

Trashegimia Natyrore


natural-heritage_thLAGUNA KARAVASTASE
Eshtë më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, sip. 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjërësia 4.3 km dhe thellësia deri në 1.5 m.
Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjërë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasoje e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë.

Gjatë një cikli të baticë-zbaticës, shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5% të numrit të përgjithshëm të  kësaj specie në shkallë botërore. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallandysheve të detit.
  natural-heritage
PARKU KOMBETAR " PISHA DIVJAKES"
Ka një sipërfaqe 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përben një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vëndit. Kjo, sidomos për faunën e pasur, ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel që zë rreth 6.4% të popullatës botërore.
GRYKEDERDHJA DHE LUGINA SHKUMBINIT
Përbëjnë një kompleks vazhdimisht në ndryshim të përmasave dhe kontureve. Vitet e fundit ajo u zhvendos rreth 5 km më në veri. Prurja e Shkumbinit është mbi 60 m3/sek. Në përbërje të deltës hyjnë edhe lloje të tjera ekosistemesh ligatinorë: cektina detare, këneta të kripura dhe të njelmta, pyje aluviale, duna rëre, argjinatura, toka bujqësore të përmbytura në mënyrë sezonale. Ofron një peisazh shumë tërheqës për vizitorët dhe kalimtarët.

ZVERNEC- LAGUNA NARTES
Zvërneci dhe Laguna e Nartës gjënden pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të tij. Pamja e parë mbi to mund të merret që në kodrat, nga Kriporja deri sa mbërrin në qytetin e Vlorës, përgjatë rrugës që vjen nga Fieri. Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës. I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste, ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi.

Jo vetëm Zverneci me ishullin dhe manastirin brenda  tij, por e gjithë  zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Me një sipërfaqe prej 41.8 km, laguna e Nartës zë të gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna aluvionale me gjatësi të përgjithshme 8 km dhe gjërësi 100-1400 m. Meqë laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytezohet për nxjerrjen e kripës. Me interes të veçantë për t’u vizituar janë edhe dunat e Nartës.

Ato gjënden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri në 5-6 m., e gjërësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike. Vizitohen duke ndjekur itinerarin Vlorë-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori.

ISHULLI SAZANIT
Një udhëtim shumë i veçantë gjatë qëndrimit në Vlorë, do të ishte edhe ai me anije drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Udhëtimi zgjat deri në një orë dhe nisja mund të bëhet nga  porti i Vlorës, ose nga limani i vogël në zonën e  Plazhit të Ri.
Fillimisht mund të udhëtoni drejt ishullit të Sazanit dhe me tej në brigjet e Gadishullit të Karaburunit. Lundrimi me anije përreth tyre, krijon mundësinë që të vrojtoni peizazhe të bukura dhe unikale, të cilat reflektohen mbi kaltërsinë e sipërfaqes së ujit të detit. Ishulli i Sazanit me sip 5.7 km2 dhe gjatësi të vijës bregdetare prej 12 km, ngrihet deri 342 m. mbi nivelin e detit.

Përveç bukurisë natyrore, Ishulli i Sazanit ka qënë një nga bazat më të rëndësishme ushtarake të luftës së ftohtë. Rrënojat dhe objektet e kësaj lufte, mund të shikohen dhe sot në këtë ishull. Kjo përbën një motiv shumë të mirë për turistët që të udhëtojnë drejt ishullit. Aktualisht mungon infrastruktura turistike në ishull.

GADISHULLI KARABURUNIT
Eshtë më i madhi i vëndit, me gjatësi 16 km, gjërësi 3.5 km dhe sip 62 km2, i cili njihet jo vetëm për pasuritë e tij natyrore, por edhe për gjetjet e ndryshme arkeologjike. Në skajin më verior të gadishullit, aty ku ngushtica e ndan atë me Ishullin e Sazanit, gjëndet Shpella e dëgjuar e kapedanit legjendar të detit, Haxhi Alisë. Përgjatë brigjeve të Gadishullit të Karaburunit gjenden disa gjire dhe plazhe të vegjël, në të cilët mund të qëndrohet dhe gjatë stinës së verës e mund të bëhen banjo dielli. 
Shpella e Haxhi Alisë është  krijuar prej gërryerjeve nga valët e detit të shkëmbinjëve gëlqeror, që ndërtojnë bregun. Ajo është shpella më e madhe detare e vëndit tonë, me gjatësi që arrin deri 30 m, lartësi 10-15 m dhe gjërësi 9.5 m. Hyrja ndodhet në nivelin e ujit të detit, 10 m thellë. Pozicioni i saj bën të mundur strehimin e anijeve.
Haxhi Aliu u vendos aty, së bashku me të birin dhe me dy tartana, në shek 18. Shpellën e përdori për njëfarë kohe, si bazë qëndrimi në luftimet kundër anijeve luftarake të Anglisë, Venedikut, Francës.
 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate