31 maggio 2012

Organizohet seminari me temë: “Kapërcimi i Barrierave për Realizimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Republikën e Shqipërisë”


slide_im_seminari-per-turizmin-ne-mtkrs-003 



Organizohet seminari me temë: “Kapërcimi i Barrierave për Realizimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Republikën e Shqipërisë”

U organizua në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve seminari me temë: “Kapërcimi i Barrierave për Realizimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Republikën e Shqipërisë”

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Programit Kombëtar për Prodhim më të Pastër në Shqipëri, i cili është pjesë e programit global të Përdorimit të Efektshëm të Burimeve për Prodhim më të Pastër (PEBPP) që zbatohet në rreth 50 vende përfshirë vendet e Ballkanit dhe vendet fqinje. Objektivat e tij lidhen me ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të aplikuar praktikat e turizmit të qëndrueshëm në Strategjinë sektoriale dhe zbatimin efektiv të saj.
Aktiviteti synon të përfshijë pikëpamjet e aktorëve kombëtarë, në strukturat kryesore zbatuese, me qëllim përfshirjen e kritereve, qasjeve të qëndrueshme dhe kapërcimin e barrierave tradicionale.
Ky seminar është projektuar nga organizatorët për sektorin publik dhe privat, për përfaqësues të OJF-ve aktivë në sektorin e turizmit në Shqipëri, përfshirë këtu, planifikuesit, hartuesit e politikave, rrjetet e transportit dhe udhëtimeve, të akomodimit, si dhe ato komunitare.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se MTKRS ka përpara një sfidë të madhe, pasi vetëm para pak kohësh lançuam fillimin e punës për Strategjinë e Turizmit 2013 – 2020, dhe natyrisht nuk është vetëm detyrë e Ministrisë që mbulon turizmin por edhe e ministrive të tjera të linjës duke përfshirë edhe pushtetin vendor. Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm, është gjithashtu një sfidë tjetër e madhe, shtoi Bumçi, të cilën duhet ta menazhojmë sot, sepse nesër mund të jetë vonë.
Në seminar morën pjesë gjithashtu, Z. Mahir Aliyev, Koordinator Rajonal, Zyra Rajonale e UNEP për Europën, Zj. Marieta Mima, Drejtore e Programit Kombëtar për Prodhim më të Pastër, Zj. Deirdre Shurland Koordinatore, Partneriteti Global për Turizmin e Qëndrueshëm, UNEP DTIE, Paris, Zj. Matilda Andoni, Drejtore Ekzekutive, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Z. Edlir Vokopola, Drejtor Kabineti, Ministria e Turizmit, Kultures, Rinisë dhe Sporteve si dhe u diskutuan temat “Strategjia dhe Politikat e Turizmit 2013 – 2020”, “Kuadri Strategjik dhe Rregullator – Përmirësimi i Konkurrencës”, “Partneriteti Global për Qëndrueshmërinë në Turizëm”, “Nismat e ATA-s në Mbështetje të Qëndrueshmërise në Turizëm”, etj.
Vështrim i përgjithshëm

Përmirësimi i performancës mjedisore të industrisë ka qenë një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare për arritjen e qëllimeve afatmesme në zhvillimin, integrimin dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim, Qeveria Shqiptare kërkoi asistencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe Programit për Mjedisin të Kombeve të Bashkuara (UNEP) për krijimin e Programit Kombëtar të Prodhimit më të Pastër për Shqipërinë (PKPP-Shqipëri), i cili përfshin mbështetje në ngritjen e kapaciteteve dhe zbatimin e Përdorimit të Efektshëm të Burimeve për Prodhim më të Pastër (PEBPP) në industritë shqiptare.

Në vitin 2010 UNEP kreu një vlerësim të detajuar të kuadrit ekzistues të politikave dhe në bashkëpunim me aktorët kryesorë kombëtarë, hartoi një strategji kombëtare për integrimin e Përdorimit të Efektshëm të Burimeve për Prodhim më të Pastër. Bazuar në këtë dokument, në vitin 2011 u botua një paketë e veçantë me instrumentet e politikave të nevojshme për zbatimin efektiv të PEBPP nga industritë Shqiptare.

Qeveria i kushton vëmendje të veçantë sektorit të turizmit si një nga sektorët kryesorë ekonomikë në vend. Strategjia sektoriale e Turizmit 2007-2013 dhe ligji "Për turizmin" (nr. 9734, datë 14 Maj 2007) po analizohen dhe rishikohen, në funksion të potencialit të madh të vendit për zhvillimin e vazhdueshëm të turizmit. Për këtë qëllim, PKPP, mbështetur nga UNEP Departamenti i Teknologjisë, Industrisë dhe Ekonomisë (DTIE) po asiston Qeverinë Shqiptare në drejtim të elementëve të zhvillimit të qëndrueshëm të Strategjisë së rishikuar sektoriale dhe të ndërtimit të kapaciteteve lokale për të kapërcyer barrierat tradicionale për zbatimin e Strategjisë.http://www.mtkrs.gov.al/web/Organizohet_seminari_me_teme_Kapercimi_i_Barrierave_per_Realizimin_e_Turizmit_te_Qendrueshem_ne_Republiken_e_Shqiperise_1093_1.php

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate