10 maggio 2012

Mbyllet muaji i aktiviteteve “Vendi përballë” 3/3/2012

Mbyllet muaji i aktiviteteve “Vendi përballë”

Me takimin “Shqipëria turistike ju mirëpret”, me koncertin recital të Mirush Kabashit dhe me koncertin orkestral të Aleksandër Gashit, mbyllet në Romë seria e aktiviteteve “Vendi përballë” në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë i organizuar nga “Bota Shqiptare – Gazeta e shqiptarëve në Itali” dhe shqiptariiitalise.com, përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në komunën e Romës, Edmond Godo, dhe ambasada e Shqipërisë në Romë.
Më 3 mars 2012, u zhvillua në Romë, gjithnjë në sallat e Muzeut të Qytetërimit Romak, takimi i fundit me temë “Shqipëria turistike ju mirëpret” i serisë së veprimtarive me titull “Vendi përballë – Shqiptarët e Italisë festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë” i organizuar nga “Bota Shqiptare – Gazeta e shqiptarëve në Itali” dhe shqiptariiitalise.com, përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në komunën e Romës, Edmond Godo, dhe ambasada e Shqipërisë në Romë.
Në fjalën e tij të hapjes, ambasadori Llesh Kola përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për pjesëmarrjen dhe të gjithë organizatorët dhe mbështetësit për këto javë të të larmishme veprimtarish që prezantuan Shqipërinë përmes ekspozitave multimediale, konferencave e simpoziumeve dhe shfaqjes së dokumentarit “Albania il paese di fronte”. Ai theksoi se ky cikël veprimtarish me rastin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë në Romë është vetëm fillimi i shumë veprimtarive të tjera që do të vijojnë në të gjithë Italinë në bashkëpunim me të gjitha shoqatat shqiptare, arbëreshët, por edhe me institucione italiane lokale e qendrore.
Në vijim, e mori fjalën Drejtorja e Arkivit Qendror të Shtetit, zonja Nevila Nika, e cila, në kumtesën e saj, u përqendrua në dokumentet që bënë historinë. Me ndihmën e Arkivit Qendror të Shtetit, në datën 17 shkurt, ishte përuruar një stendë me dokumente dhe foto të arkivit të periudhës së Pavarësisë, e cila qëndroi hapur deri më 3 mars.
Nika u ndoq nga Av. Enrico Silverio, anëtar i Komisionit të Sportit dhe Kulturës të Këshillit të Dhomës së Avokatëve të Romës, i cili foli mbi temën “Territori i Shqipërisë së sotme në  organizimin e perandorisë mes Lindjes dhe Perëndimit”. Ai bëri një përshkrim të historisë së Shqipërisë që nga antikiteti duke nënvizuar kulturën e vendit tonë dhe pozicionin e tij ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si edhe foli për figurën e Ugolinit dhe zbulimet e tij arkeologjike në Shqipëri.
“Shqipëria turistike ju mirëpret” – ishte tema për të cilën folën operatorët turistikë Francesca Toscano dhe Eni Cici. Kjo konferencë ishte organizuar nën kujdesin e Shoqatës “Ejona” të Milanos. “Shqipëria është një vend në zemër të Mesdheut. Klima e butë gjatë gjithë vitit, bregdeti sugjestiv, peizazhet malore ende të paprekura, sitet arkeologjike me një vlerë të paçmuar që janë në zbulim e sipër bëjnë që Shqipëria të jetë një destinacion turistik i pëlqyeshëm dhe ende për t’u zbuluar” – nënvizoi operatorja turistike milaneze Francesca Toscano.
“Nuk mund të harrojmë karakteristikën kryesore të shqiptarëve, mikpritjen e tyre e cila na shoqëron gjatë gjithë udhëtimit. Në vitin 2011, një ndër prijësit e udhëtimeve më të njohura në botë, “Lonely Planet”, e vendoste Shqipërinë në një nga 10 vendet e para që meritojnë të vizitohen. Çdo vit vërehet rritje e numrit të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë” – theksoi Eni Cici, e ardhur nga Tirana.
Operatorët Toscano e Cici, në një video-projektim të shoqëruar me fotografi nga viset më të bukura shqiptare, shpjeguan për të pranishmit përse duhet të zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik, cilat janë format e turizmit që aktualisht ofron vendi ynë.
Nga ana tjetër, Eni Cici shpjegoi se përse shqiptarët zgjedhin Italinë jo vetëm si vend ku kanë emigruar për të punuar por edhe për të kaluar pushimet e tyre.
Për të pranishmit u shpërndanë edhe kalendarë me pamje të Beratit të botuar nga shoqata e miqësisë italo-shqiptare “Albania e Futuro”, me kryetar Astrit Çelën.
Mbrëmja vazhdoi me një koncert poetik të Artistit të Merituar Mirush Kabashi i cili, me talentin dhe pasionin e tij, emocionoi të gjithë të pranishmit gjatë recitimit të poezive kushtuar pavarësisë, të poetëve tanë të rilindjes. Një surprizë shumë e këndshme për miqtë e të ftuar italianë ishte dhe një letër e hapur që artisti Kabashi kishte shkruar në fillim të viteve ’90, menjëherë pas eksodit shqiptar drejt brigjeve të Italisë, botuar në të përditshmen italiane “La Repubblica”, të cilën ai e interpretoi në gjuhën italiane.
Poezitë e artistit Kabashi u alternuan me numrat muzikorë të luajtur nga instrumentistë shqiptarë e italianë, të cilët i kishte mbledhur së bashku Mjeshtri i Merituar Aleksandër Gashi për një koncert dedikuar Pavarësisë.
Kështu për tre javë në sallat e Muzeut të Qytetërimit Romak, në të cilat krah veprave të antikitetit gjeje ekspozitën kolektive të piktorëve shqiptarë, ekspozita fotografike mbi Shqipërinë, ekspozitë me dokumentet e rëndësishme të shtetit shqiptar, një ekspozitë me punime në metal të artistit Vladimir Nikaj, me konferencat mbi arbëreshët, mbi emigracionin shqiptar në Itali, mbi turizmin në Shqipëri, mbi dokumentet që lanë shenjë në historinë e kombit, me filmin “Albania il paese di fronte”, me poezitë e artistit Mirush Kabashi dhe tingujt e orkestrës së Mjeshtrit Aleksandër Gashi, komuniteti shqiptar festoi së bashku me miq e dashamirës italianë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Romë 100-vjetorin e Pavarësisë.
Në përfundim të aktivitetit, para se të ftonte të gjithë në një darkë të shtruar nga Ambasada, ambasadori Kola falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë aktorët e këtij cikli veprimtarish.
“Shqiptarët – përfundoi ai – kanë ndryshuar buzëqeshjen e tyre gjatë këtyre viteve dhe bashkë me të ka ndryshuar buzëqeshja e imazhi i Shqipërisë në Itali e kudo”.
Javët e aktiviteteve u ndoqën me interes nga shqiptarë e dashamirës të Shqipërisë në Romë dhe patën jehonë mediatike si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Trupa televizive të TVSh-së, KlanTV, Top Channel, Telenorba ndoqën nga afër aktivitetet e ciklit "Il paese di fronte".

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate