17 luglio 2012

Shqipëria, nëse e zbulon është një suprizë!

Shqipëria, nëse e zbulon është një suprizë!Udhëtimi nëpër Shqipëri, dhurata më e bukur.. Brunilda Licaj on Tuesday, 17 July 2012.
“Shqipëria nga pikëpamja turistike, përfaqëson rajonin më interesant të Evropës. Ky konstatim  nuk bazohet në shkëlqimin e pallateve apo luksin e hoteleve, por sepse vendos njeriun përballë natyrës ”. Jo rastësisht është folur në Shqipëri për turizëm  prej të huajve, e kjo, qysh në fundvitet ’30 të shekullit të kaluar. Ajo çfarë është më e rendësishmja, bazohet në faktin se vetë ne sot, pas afro shtatëdhjetë vjetësh, duhet  të dimë të bëjmë të mundur vazhdimësinë e këtij realiteti të nisur herët, zhvillimin e një turizmi në mënyrë të përgjegjshme duke përdorur sa më mirë resurset që disponojmë. 

Ky ishte edhe një prej qëllimeve kryesore të zhvillimit të kursit një javor me temë “ Turizmi dhe kultura” realizuar si një bashkëpunim midis Universitetit të Padovës (Itali), Universitetit “A.Moisiu” Durrës dhe Universitetit “E.Çabej” Gjirokastër,  nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Është e natyrshme që zhvillime të tilla kalojnë përmes leksionesh, shkëmbimesh të ideve, takimeve nëpër auditore, e të tjera momente akademike, ku gjithsesi, tema argëtuese e turizmit tenton të çformësojë solemnitetin e mësimdhënies, duke e kthyer në një shkëmbim përvojash.
Leksionet u zhvendosën edhe në një auditor të veçantë, në hapësirat e muzeut arkeologjik , ku profesor Afrim Hoti, shpjegon dhe sjell fakte nga historiku i Durrësit antik 2700-vjeçar të rrethuar nga amforat e shumta, duke vazhduar në rrënojat e amfiteatrit romak, i cili me një kapacitet 15.000 vende, renditet ndër të parët në Evropë, pas Colosseut në Romë ( 25,000 vende) dhe Arenës në Verona, me kapacitet 22.000 vende.
 Turizmi dhe kultura, si pjesë e identitetit kombëtar së bashku me Workshop-in e organizuar nga Giulia del Bò, krijon urën mbi të cilën do kalonte prodhimi dhe  marketimi i  produktit turistik, duke u bazuar në folklorin dhe pasuritë e tjera kombëtare.
Organizatat e menaxhimit të destinacionit - leksion  nga Stefano Marchioro - na njeh me funksionimin e organizatave të cilat kanë si objektiv  kordinimin e punës midis aktorëve  turistikë  me synim rritjen e performancës dhe  promovimin  e destinacioneve turistike në hapësirën  rajonale, kombëtare apo ndërkombëtare. Udhëtimi imagjinar nëpër web-sitet e top destinacioneve botërore Viena, Montreal, Oslo, New York shton kureshtjen e studentëve, por dhe njohuritë për tendencat e fundit për teknikat e promovimit të territorit dhe burimeve të tij.
E, kuptohet pas një dite të gjatë “turistike” vjen mbrëmja, që të gjithë së bashku e kalojmë në një prej lokaleve të Durrësit, ku atmosferës së krijuar i shtohen tingujt dhe meloditë tradicionale. Por kjo atmosferë duhet të përfundojë  herët, pasi një udhëtim i gjatë na pret me agimin e ditës së nesërme
Drejt Jugut
Vendosur në një kodër, rrezja e vështrimit prej së cilës arrin shumë kilometra larg,  manastiri i Ardenicës është pika jonë e parë e vizitave në terren.  Mbi një shesh, rrethuar nga qiparisat, manastiri duket sikur është futur në një kornizë, për t’i rezistuar kohërave. Ndërsa ciceroni flet për historinë e tij, ikonat dhe shenjtorët, jemi zhvendosur larg në kohë, mes riteve fetare. Manastiri i Ardenicës, jo vetëm do arrinte t’i rezistonte kohërave por nuk mbeti në harresë as gjatë perudhës paradoksale antifetare të komunizmit, prej filmave “ Udha e shkronjave”,” Kur zbardhi një ditë”, ”Emblema e dikurshme” etj., të cilat  ndonëse në rrafshe negativiste, e kanë kthyer këtë manastir në simbol të fesë ortodokse, për shkak të atmosferës karaketristike fetare që përcjell. Pastaj edhe Donika, këtu e kishte bërë dasmën e saj, sic bënin sot dhjetëra vajza.
Lëmë pas manastirin dhe nisemi për në destinacionin tjetër, Apolloninë.  Gjatë hyrjes në park, ndihen zhurma të lehta. Nëpër rrënoja vazhdojnë gërmimet e arkeologëve, të cilët jo shumë ditë pas vizitës sonë,  bënë zbulimin e radhës, statujën e një prijësi ilir. Mozaikët dhe statujat duket sikur pëshpërisin historinë e Pompeit shqiptar. Ndërkohë koordinatorja e grupit, Elda Omari, fillon të bëjë ciceronin. Përfytyrojmë veten të ulur mes auditorëve të shkollës së famshme të Apollonisë, në të cilën studionte  perandori romak Augusti, në momentin kur mori lajmin e vrasjes e xhaxhait të vet, Jul Cezarit. Pse jo? Ata kanë qenë atëherë, ne jemi sot. Është vetëm çështje zhvendosjeje në kohë. Apollonia, mbart në  rrënojat e saj akoma histori të pazbuluara. Muret e vjetra, mes gjelbërimit të parakohshëm të fundshkurtit, thërrasin heshturazi për një mosbraktisje të nëntokës.
Në përfundim të këtyre dy itinerarëve, me shpirtin për të zbuluar dhe rivlerësuar thesare të tjera, jo rastësisht vazhdojmë udhëtimin drejt një destinacioni të ri, Vlorës. Një udhëtim i cili shoqërohet herë pas here nga këngët e studentëve. Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe. Vlora na pret të hyjmë në territorin e saj nën efektin e polifonisë labe, por tani të kënduar nga grupi i studentëve të Gjirokastrës. Pas një vizite të shpejtë në muzeun e Pavarësisë, mbrëmja na gjen në Radhimë. Aty në qetësi, fare pranë detit, duket sikur koha nuk ekziston dhe padashur stina e verës shfaqet e vakët në memorie. Jemi mësuar ta shohim Radhimën dhe gjithë rivierën gjatë sezonit turistik,  të mbipopulluar e plot çadra në plazh, ndërsa po humbasim kontaktin me bukurinë, e cila e shoqëron  atë në çdo stinë. Kush nuk e ka parë bregdetin e Vlorës në dimër, ka humbur pamje të mrekullueshme. Prandaj nuk do të ishte keq nëse bëni ndonjë takim me detin e Rivierës edhe në stinë jashtë verës.
Megjithëse kushtet atmosferike nuk janë në favorin tonë, ditën e katërt vazhdon vizita në parkun arkeologjik të Orikumit. Shiu i rrëmbyer na shoqëron sërish, por ai nuk ndikon në zgjedhjen për të vazhduar udhëtimin nëpër Rivierë. Ndërsa mbërrijmë në lartësitë e qafës së Llogorasë, shpaloset para nesh një ngjyrë e thellë deti. Është një eksperiencë që të mbetet në kujtesë. Pas nesh, malet e mbuluara nga dëbora, ndërsa përballë një det i mrekullushëm ku nuancat blu do t’i kishin vështirë t’i imitonin dhe piktorët më të mirë të kohërave. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo bukuri, pemët e lulëzuara para kohe nën kurorat e të cilave pushon bagëtia plotësojnë dekorin. Ndërkaq, ashtu papritur, vendin e shiut e zë dielli dhe ndihemi paksa të përkëdhelur. Ndihet kudo era e malit dhe ndërsa marrim frymë thellë, jemi të përpirë nga emocionet.

Porto Palermo.  Ndërsa eksplorojmë këshjellën e Ali Pashës, sjellin ndërmend Vasiliqinë të cilës iu dhurua kjo kështjellë. Ndoshta vajzat në ato momente po mendojnë, se si do të kishte qenë që një burrë të ndërtonte sot një shtëpi vetëm për to….
Prej së largu ish baza ushtarake zgjon kureshtjen e mysafirëve italianë të cilët duan të mësojnë më tepër për historinë e kësaj baze. Ndërkaq, shtëpitë ekologjike përballë kështjellës, konfirmojnë se iniciativat për turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, janë prezente edhe në territorin shqiptar. Jo rastësisht këto shtëpi janë ngritur nga një ambinetalist i njohur për Shqipërinë, si Xhemal Mato.

Si të dehur nga natyra, me keqardhje që do lëmë pas këtë bukuri, rinisim  udhëtimin në drejtim të Finiqit. Nuk do ia ndanim gjithë kohën sytë bregdetit, ndërsa në sfond na shoqëronte historia e Phoinikes, e treguar me aq  mjeshtëri nga Elda. Ndonëse e gjatë dhe plot gjarpërime, Riviera ishte mahnitëse dhe nuk kishte kilometër ku nuk dëshiroje të ndaleshe për të admiruar thyerjet e shkëmbinjve, ujin në ngjyrë smeraldi dhe shkurret e përhershme - fytyrë e bregut shkëmbor vlonjat. Ndalesa e radhës ishte në kishën bizantine të Mesopatimit, të cilën nuk arritëm ta shihnim nga brenda, për arsye rikonstruktimi. Pas një ndalese të mrekullueshme në Syrin e Kaltër, pasditja na gjen në Gjirokastër.
Ndërsa ngjitemi ngadalë në kala dhe hedhim sytë mbi qytet, refreni mendor i secilit prej nesh është pa dyshim  Ismail Kadare me përshkrimet e tij në romanin “ Kronikë në gur”, që shumë njerëz në botë i ka bërë tashmë kureshtarë, për të vizituar këtë “qytet të çuditshëm prej guri”. Qyteti këtë pasdite është i ndarë në dy pjesë, gjysëm hije e gjysëm diell. Teksa përfaqësuesi i BE (UN Joint Programme Team) Stephan Doempke shpjegon për projektet për promovimin e Gjirokastrës, studentët bëjnë çudi se si një i huaj, njeh kaq mirë vlerat tona historike kulturore dhe flet me kaq pasion për to. Prej bedenave të kalasë  mundohemi të dallojmë se si ka ndryshuar Gjirokastra përgjatë viteve. Disa pika orientimi tashmë nuk ekzistojnë më, por ato më të bukurat janë ruajtur me fanatizëm.
Ndërsa drejtohemi për në muzeun etnografik, duke ecur kalldrëmeve shohim se si Qafa e Pazarit, arrin të ruajë akoma origjinalitetin dhe pse aty-këtu ka shenja mplakjeje, të cilat artizanët mundohen t’i sjellin në jetë me ristrukturimet. Për të përshkruar këtë qytet duhen ditë të tëra, dhe ne do ta bëjmë këtë patjetër, por gjithsesi mund të themi të paktën atë që na bëri më shumë përshtypje, e që nuk mund ta ruajmë për ta thënë në një reportazh të mëvonshëm. Kishte shumë mikpritje. Ka një lloj afërsie shpirtërore në këtë qytet që të bën të ndihesh mirë, një përshtypje të cilën e konstatova në gjithë grupin e udhëtimit. Të ulur në restorant “Fantazia”, pozicioni gjeografik i të cilit dominon mbi gjithë qytetin, të krijohet përshtypja sikur po fluturon mbi të. E ndërsa sodisnim këtë pamje, gatimet tradicionale të zonës së jugut, do të hapnin një temë bisede në tavolinë për kuzhinën  shqiptare. Ka shumë krahina, ku gatimet tradicionale ruhen me fanatizëm. E ndërsa diskutojmë, profesorët italianë, shprehin dëshirën të rikthehen dhe të shijojnë gatime të tjera të kësaj zone.
Mëngjesi i të premtes, na gjen midis auditorëve të Universitetit të Gjirokastrës. Dy ditë të ngjeshura me leksione dhe workshop-e, të bazuara kryesisht në zbulimin e burimeve turistike të zonës së Gjirokastrës. Miti i gjarprit dhe i shqiponjës, si  një element i indetitetit shqiptar të shpjeguara mjeshtërisht nga profesor Shyqyri Hysi, të shtonte kureshtjen për të mësuar akoma më tepër në të ardhmen. Më pas, një udhëtim-imagjinatë në historikun dhe ekzistencën e kështjellës së Gjirokastrës, do t’ia linte radhën karakteristikave të turizmit në luginën e Drinos dhe mundësive që ekzistojnë në të  gjithë zonën për një zhvillim të fuqishëm në këtë fushë.  Gjatë pasdites së të shtunës, profesorët Paola Zanavello dhe Stefano Marchiro me anë të workshopeve, do të krijonin  produktet e para imagjinare turistike të studentëve.  Dhe nisën të shfaqeshin idetë, të cilat vazhduan konfigurimin e tyre më të plotë, drejt mbrëmjes dhe që në të shumtën e rasteve, ishin origjinale.
Qytetin e kish mbuluar muzgu, lodhja i kishte lënë vendin një ndjenje tjetër, keqardhjes që gjithçka po shkonte drejt fundit. Për të na sjellë humorin, Floriani, “paparaci i grupit”, na bën historikun e udhëtimi nëpërmjet fotove dhe të qeshurat dhe batutat, shoqëronin pamjet e lëna pas. Ishte pothuaj mesnatë, kur qetësia e rrugicave me kalldrëm të qytetit të gurtë, do të prishej  paksa nga zhurma e studentëve, në udhëtimin e tyre në drejtim të hotelit. Mëngjesi i fundit në Gjirokastër, do të kalonte shumë shpejt, nën efektin e ceremonisë së ndarjes së çertifikatave dhe përshtypjeve më të mira për këtë aktivitet. Pas një fotografie të të gjithëve së bashku, mbërrin momenti i ndarjes i shoqëruar me emocione dhe me shpresën e ligjshme që kjo përvojë të vazhdojë në të ardhmen në destinacionet e tjera shqiptare.
 Ndërsa autobuzi merr drejtimin për në Durrës, ndihet zbrazëtia e krijuar. Vendet bosh të studentëve të Gjirokastrës, flasin me heshtjen e tyre. Heshtje që thyhet herë pas here, nga meloditë e celularëve të shoqëruara nga copëza bisedash të studentëve durrsakë, por tashmë në dialektin gjirokastrit. Janë këto momente, kur bindesh gjithnjë e më shumë se Shqipëria është një.
* * *
Në fund të këtij udhëtimi , nuk mund të rri pa falënderuar gjithë organizuesit dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti. Dhe është e natyrshme që të më vijnë në mendje përshtypjet e profesor Marchioros: “Para se të nisja këtë udhëtim, nuk e kisha idenë se si ishte Shqipëria, tashmë them me plot bindje: “ Nëse e zbulon Shqipërinë, gjendesh para  një surprize ”.
Kam ndërmend që këtë slogan t’ua trasmetoj me bindje kolegëve të mi, por edhe të gjithë studentëve  të degës së turizmit, sepse  do jenë ata, të cilët pasi ta kenë zbuluar për vete Shqipërinë, do të dinë t’ua ofrojnë të tjerëve në të ardhmen!!http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/reportazh/item/shqiperia-nese-e-zbulon-eshte-nje-suprize

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate