12 giugno 2012

Në 100-vjetorin e Pavarësisë opera ringjitet në TKOB. Zhani Ciko: Pse opera “Skënderbeu” u harrua për 44 vjet.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë opera ringjitet në TKOB.
Zhani Ciko: Pse opera “Skënderbeu” u harrua për 44 vjet.
Produksioni i ri sjell në skenë të ridimensionuar figurën e Heroit Kombëtar.

U deshën të kalonin 44 vjet që opera “Skënderbeu” e Prenk Jakovës të rishihte dritën e skenës. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nxjerr nga arkivi këtë vepër, duke e risjellë atë në një dimension të ri, duke iu përshtatur jo vetëm kohës, por edhe përmasave e imazhit që shqiptarët kanë për Heroin Kombëtar.
Ajo që të bën menjëherë përshtypje, është fakti që kjo opera duhet të priste kaq gjatë që të ringjitej në skenë. Por opera “Skënderbeu” ka një histori të komplikuar. E porositur me urdhër nga “lart”, thonë se vetë Enver Hoxha e ka takuar personalisht Prenk Jakovën dhe ia ka lënë porosi, opera u shkrua në një kohë rekord. Premierën erdhën ta ndiqnin gjithë krerët e shtetit dhe pritja ishte shumë e ftohtë. Kompozitori, jo vetëm që nuk mori asnjë falënderim për punën kolosale, por iu desh të përballej me një lumë kritikash, thashethemesh e si mbyllje një dyfaqësh të “zi” në gazetën “Zëri i Popullit”. Kjo ishte një goditje fatale për kompozitorin, i cili kishte kaluar një jetë plot peripeci dhe përndjekje, për shkak të pushkatimit të të vëllait nacionalist nga diktatura komuniste. Kthimi në Shkodër do të ishte i trishtë për kompozitorin, i cili vetëm pak kohë më vonë, në gjendje të rëndë depresive i jep fund jetës në moshën 52-vjeçare. Më pas vepra u harrua. Vlonin temat e ditës me punëtorë e kooperativistë dhe “Skënderbeun” e mbuloi pluhuri. Pas 44 vitesh nga ai vit i largët 1968, drejtori i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit, maestro Zhani Ciko, që aso kohe ka qenë një djalë i ri, që sapo kishte vënë këmbët në opera, tregon historinë e saj, pritjen e kohës, arsyet pse u harrua dhe megaproduksionin që pritet të ngjitet së afërmi në skenën e TKOB-it.

Xhoni Athanas, në rolin e Skënderbeut, në vënien e vitit 1968
Pse opera “Skënderbeu” duhet të priste 44 vjet për të ardhur në skenë?
Ishte një detyrim ndaj autorit, ndaj një vepre që ka shumë muzikë brenda, që të shtyn të zbulosh shumë gjëra interesante, plus që koincidon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë. Prej vitesh kam dashur t’i kthehem kësaj vepre, por e dija që ajo do të kishte kohën e duhur dhe është pikërisht ky vit, mbasi Skënderbeu mbetet vepra e parë historike e plotë në muzikën shqiptare, që tregon një afresk të madh të një epoke të lavdishme në historinë kombëtare tonën.
Përse nuk u ngjit më vonë në skenë, në fund të fundit ajo ishte një vepër për Heroin tonë Kombëtar…?
Përpara besoj se arsyet kanë qenë të shumta. Duke qenë se vepra nuk pati ndonjë sukses të madh, nuk u kujtuan më për të. Aso kohe ishte më shumë një prije ndaj temave të ditës. Pas Plenumit IV, orientimi ishte fokusimi në temën e ditës dhe Skënderbeu quhej një kapitull i mbyllur, vetëm më vonë nga mesi i viteve ’80 u shfaq një vepër me temë legjendare, që ishte “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, por deri atëherë, edhe kur vepra kishte një kontekst letrar të fuqishëm, si “Lumi i vdekur” apo “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, maskoheshin pas titujve si “Para stuhisë”, “Tokë e pamposhtur”, pra sloganizoheshin përmbajtjet e veprave në mënyrë artificiale. Por të gjitha këto kanë pasur rolin e tyre në zhvillimin e muzikës shqiptare, i cili duhet konsideruar pozitiv në një pjesë të rasteve.
Si do të vijë kjo vepër për publikun e vitit 2012?
Tashmë kemi mundësinë ta trajtojmë atë në gjithë gjerësinë që krijon, muzikalisht dhe skenikisht, me qëllim që të ngjitet në atë piedestal ku meriton të jetë, një “grand opera”, që në vizionin tonë i afrohet të gjitha operave të tjera të repertorit botëror, që kanë personazhe historike të vërteta. Aq më shumë që Skënderbeu duhet të ketë qenë një personazh shumë atraktiv, këtë e tregon dhe fakti që pas vdekjes së tij iu dedikua një opera nga Vivaldi. Ky është një
Kompozitori Prenk Jakova
rast unik, jo vetëm për Shqipërinë por në artin skenik në përgjithësi, pasi veprat e epokës baroke merreshin me tema nga lashtësia ose mitologjia dhe nuk ka raste që të kenë qenë personazhe të vërtetë. Që këtu e kuptojmë që Skënderbeu ka rrezatuar në Europë dhe ne do ta sjellim këtë rrezatim në veprën tonë. Por kemi dhe imazhin që kanë krijuar shqiptarët pasi kanë lexuar Barletin, Nolin e vepra të tjera, kanë parë monumentet e Skënderbeut. Dhe ky imazh që ne kemi, nuk është ai që ka Europa vivaldiane, ku kemi aventurat kalorësiake, të heroit që ka dhe dramat e tij të brendshme, pra një plan tërësisht tjetër. Kurse këtu kemi një Skënderbe, personazh i një historie kombëtare, që ai e udhëheq mbi disa parime të mëdha, heroike, mbareuropiane, mbarëkristiane. Të gjitha këto ndihen më shumë në muzikë sesa në fjalë, pasi autorët i janë ruajtur atakimit të vazhdueshëm me kritizerët e kohës, që prisnin vetëm një fjalë për t’i vënë kyçin operës. Ky faktor ndihet në religjioztetin e veprës, në fragmente korale, në qëllimin që kanë qëndrimet e Gjergj Kastriotit në disa momente lapidare si “I madhi çast po vjen” apo “Lirinë nuk ua solla unë”, që janë dhe skenat më të mëdha të veprës. Opera krijon mundësi që t’i afrohesh epokës dhe për të mos e lënë Skënderbeun siç është menduar në atë kohë, si prijës i turmave popullore, që u ndesh me një ushtri të rregullt të sistemuar të Sulltan Muratit dhe e paskan mposhtur. Kjo nuk është e vërtetë. Historia e Skënderbeut njeh sa marrëdhëniet në fushën e diplomacisë, me shtete të tjera dhe aspektin e organizimit të një shteti me princat e tjerë, të një ushtrie shqiptare, që bëri të mundur që të fitojë dhe të mposhtë për vite me radhë ushtritë e Anadollit. Dhe të gjitha këto aspekte janë pjesë e këtij megaproduksioni.
Pra vjen e riparë?
Ne e kemi riparë në të gjitha ato momente ku na lejohet, ku mund të penetrojmë për të dhënë këtë kontekst të këtij Skënderbeu, sipas vizionit tonë dhe shpresojmë ta japim këtë afresk të madh të historisë sonë, 100 vjet nga krijimi i shtetit dhe mbi 400 të tjera nga koha kur kanë ndodhur.
Ka arritur dot kjo vepër t’i mbijetojë kohës në rrafshin e vlerave që mbart?
Në këtë lexim të ri pas kaq vitesh, nga një pozitë tjetër, gjej që ka faqe shumë të bukura. Opera tjetër e Prenkës, “Mrika”, është shumë e vlerësuar nga pikëpamja muzikore, kjo vepër e çon atë më përpara. Prenka ka avancuar në konceptin e tij për të krijuar operën, ka përpunuar mjaft në strukturë, në dramaturgjinë muzikore, plus faktit që në çdo faqe që ka kompozuar, sidomos në ariet masive, ka derdhur shumë emocion dhe ka shumë muzikë brenda.
Përse keni zgjedhur një regjisor të huaj për rivënien e kësaj vepre?
Zgjedhja e regjisorit erdhi e detyruar nga disa ngjarje të fundit. U detyruam të thërrisnim profesor Saletin, meqë ka eksperiencë me vënien e veprave masive. Është profesor në Akademinë e Veronës, atje është Arena, ku montohen shfaqje të mëdha dhe përgatiten shumë të rinj për të furnizuar këtë skenë. Dhe përveç formimit të tij profesional dhe muzikor, njeh edhe këtë aspekt tjetër dhe do të dijë ta sjellë mirë, pa kaluar në ekzagjerime.
Ndërkohë që Skënderbeun do e luajë një amerikan, nuk ka pak rrezik këtu?
Skënderbeu u shkrua për një zë të veçantë, jo për çdo lloj tenori dhe atëherë ka pasur diskutime nëse duhej të ishte tenor apo bariton. Duke parë se zë më të plotë dhe të veçantë, si dhe staturën e nevojshme e kishte Xhoni Athanas, u shkrua për të. Kështu që duhet të gjesh një tenor që afron me tenorët vagnerianë, që të jetë potent edhe si zë, edhe si temperament. Në këtë kuadër, tenorët tanë janë më të përshtatshëm për operat lirike. Rolin e Lek Dukagjinit, që ka arien më të bukur të tenorit, që atëherë e ka kënduar Gaqo Çako, do ta këndojë Armaldo Kllogjeri, rolin që ka kënduar Mentor Xhemali do ta këndojë Ylber Gjini etj. Shumë roleve ua kemi gjetur korrespondencën e tyre në teatër. Por në fund të fundit, ndërsa në filmin “Skënderbeu” rolin e heroit e luan Akaki Orava, gjeorgjian, një amerikan sot na vjen për shtat të gjithëve. Aq më tepër pasioni i tij i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi ndaj kësaj vepre në gjuhën shqipe e bën shumë të përshtatshëm. Ai do të këndojë në gjuhën shqipe. Është një artist me jetë shumë të pasur, që ka kënduar në teatrot më të mëdhenj në “Metropolitan”, në “La Scala”, në skenat gjermane etj. Ka kënduar në 12 gjuhë dhe për të është një zbavitje më shumë.
Në planin historik, lidhja juaj me operën “Skënderbeu” është shumë më e hershme…
Vepra “Skënderbeu” me libret të Llazar Siliqit u kompozua enkas për festimet e 500-vjetorit të vdekjes së heroit në vitin ’68. Në atë vit unë sapo kisha ngjitur shkallët e TKOB si violinist i parë dhe më ka qëlluar që jo vetëm ta nis punën time me këtë vepër, por dhe me të tjera, por e kam njohur nga afër gjithçka ndodhi me këtë vepër dhe me Prenk Jakovën, që në atë kohë ishte një kompozitor që gëzonte një autoritet të plotë në ambientet muzikore dhe pas një kalvar i gjatë familjar dhe përndjekjesh kishte arritur të kristalizonte një pozicion të qëndrueshëm, falë autoritetit të tij dhe një pune kolosale që bënte.
Si ka lindur kjo vepër?
Porosia për të shkruar këtë vepër duhet të ketë qenë nga zyrtarë të lartë, së cilës Prenka, siç rezulton dhe prej arkivit familjar, i është përkushtuar me shumë dashuri she seriozitet, siç ishte dhe në natyrën e tij. Vepra ka njohur 4 punime të libretit, që nga libreti fillestar që duhet të ketë qenë zanafilla e shkrimit të kësaj opere, ku ngjarjet që zhvillohen që nga ardhja e Skënderbeut në Krujë, kthimi i tij pas betejës me Huniadin dhe ngjarjet me radhë, deri në fitoren e tij të parë historike, në betejën e Torviollit. Llazar Siliqi në variantin e parë e kishte parë Skënderbeun si një sundimtar vasal të sulltanit në Kalanë e Krujës, pra ngjarjet marrin një pikëfillim tjetër. Në variantet e tjera ndryshon fillimi i operës dhe ka një spostim skenash, me qëllim që autorët ta ruanin thelbin e veprës që kishin bërë dhe t’u përgjigjeshin vërejtjeve të vazhdueshme që u ishin bërë në këshillat artistike dhe me siguri edhe në sferat më të larta të shtetit, që ishin të pashmangshme në atë kohë. Ndërsa aspekti muzikor i veprës është ruajtur thuajse tërësisht dhe nuk ka as në arkivin e familjes ndonjë variant tjetër të kompozitorit, me pjesë të hequra të veprës, madje përkundrazi, autorët i përballuan të gjitha vërejtjet dhe kanë pasur vështirësi për të kapur datën e premierës. Këtë gjë e pagoi orkestrimi i veprës, pasi për shkak të kohës së ngushtë, vepra u nda në disa duar dhe u orkestrua edhe nga kompozitorë të tjerë.
Si u prit vepra në atë kohë?
Premiera u prit ftohtë. Ishin të gjithë hierarkët e kohës dhe vepra nuk pati atë pritjen e duhur, me gjithë përpjekjet e stafit të operës për të sjellë një opera më të madhe se herët e tjera, ku mori pjesë edhe trupa e baletit. Pra, për kohën ishte një vepër me dimension të madh. Shfaqjet e mëvonshme Prenk Jakova i ndoqi me shumë vëmendje, duke pritur edhe ndonjë vlerësim apo ndonjë takim të mundshëm për punën që kishte bërë. Por kjo nuk ndodhi dhe ai mundi të marrë vetëm kënaqësinë e publikut, duke nisur nga shfaqja e dytë. Pra, në një farë mënyre u ngroh nga pritja e mirë e publikut të operës dhe miqve që e panë operën.
Si e përjetoi kompozitori këtë “dështim”?
Largimi i tij nga Tirana ka qenë i trishtë, aq më tepër që ai u pasua nga një artikull i botuar pikërisht ditën e largimit të tij dhe me gjasë e ka lexuar në Shkodër. Një dyfaqësh i madh në gazetën zyrtare “Zëri i Popullit”, që praktikisht e hidhte poshtë veprën. Natyra e Prenkës nuk e pranonte dot elasticitetin. Ai ishte i gjatë, i qëndrueshëm, i fortë. Thjeshtësia e tij fillonte në gjëra elementare, që nga shkrimi i parteve, tek zhvendosja e karrikeve, pritja e amatorëve, drejtimi, pra ka qenë një kapelmaestër i papërsëritshëm i jetës shkodrane. Shumë muzikantë të mirë ka nxjerrë Shkodra pas tij, por asnjëri nuk arriti t’i ngërthente të gjitha këto tipare. Siç duket, Prenka me personalitetin që kishte, plus dhe problemet personale që pati, të dramës që nuk arriti ta çonte atje ku dëshironte jetën e tij individuale, nuk e përballoi dot.
Kjo ngjarje vijoi në gjendjen e trishtueshme të jetës personale të Prenk Jakovës dhe akti tjetër pas përfundimit të kësaj vepre ishte akti i vetëvrasjes.
Thatë që vepra u prit ftohtë, madje edhe u sulmua, cilat ishin arsyet, çfarë nuk i pëlqeu udhëheqjes?
Në lidhje me këtë janë shkruar edhe libra, ndërkohë që ne do fillojmë sistemimin e arkivave të operës, por meqenëse kam qenë pjesë e kësaj opere dhe ndonëse kam qenë një djalë i ri, që brenda një kohe të shkurtër do të isha dhe vetë subjekt i këtyre goditjeve, i kam ndjekur zhvillimet lidhur me të. Një pjesë e kritikave ishin pjesë e tavolinave ku kërkohej diçka, po pa e kapur thelbin se përse bëheshin këto tryeza. Nuk është si bordet e sotshme. Atëherë duhet të ruhej raporti mes figurës së diktatorit dhe figurës së Skënderbeut. Kjo me shumë gjasë nuk i ka pëlqyer atij, ose ndoshta e kishte menduar trajtimin e Skënderbeut në një plan tjetër. Pra thelbi i së gjithës, nga njëra anë duhet të ketë qenë raporti me pushtetin. Nga ana tjetër ishte karakteri mbretëror i kësaj figure, i monarkut të ardhshëm të shtetit shqiptar, në një kohë që shteti aktual i kishte hequr të gjitha spaletat e njerëzve, kishte vënë një barazitizëm të hatashëm, kishte ngritur zërin e masës në çdo diskutim, kontrollin punëtor dhe të tjera parime, si ato monarkike, me zor i kanë duruar t’i shihnin në një opera, sado që të sfumuara. Një tjetër faktor ishte ajo që ziente përbrenda nën dyshemenë e teatrit, xhelozitë, se përse duhej ta bënte ai atë opera, kush duhej të ishte autori zyrtar etj. Dhe të gjitha këto kanë luajtur rol në kritikën zyrtare.
Thonë se veprën e ka porositur vetë Enver Hoxha, si shpjegohet qëndrimi i tij paskëtaj?
Nuk e di se deri ku arriti kujdesi i tij, pasi nuk na ka ardhur ndonjë dokument apo nuk kemi parë ndonjë letër, që ia ka çuar autorit. Mund të ketë qenë ndonjë përkrahje nën rrogoz, por fakti që nuk e mbrojti, tregon se nuk ka qenë aq i përkushtuar. Distancat ishin përcaktuar. Ai qëndronte atje ku qëndronte, kurse autorët ishin pjesë e anturazhit të tij minor, që i duheshin në një moment të caktuar.
“SKËNDERBEU”
Opera në 2 akte dhe gjashtë tablo
Libreti: Llazar Siliqi
Muzika: PRENK JAKOVA
Skenografia: Platon Bardhi
Kostumet: Edlira Qyshka, Platon Bardhi, Klement Mihali
As/regjisore: Ada Gurra
Dirigjentë Kori: Dritan Lumshi, Milto Vako, Zef Çoba, Irida Bega
Dirigjent i Bandës: Halim Teqja
Koreografe: Arian Sukniqi
Regjia: Carlo SALETTI
Mjeshtër Koncertues: ZHANI CIKO
Interpretojnë:
Kori, Solistët, Trupa e Baletit dhe Orkestra Simfonike e T.K.O.B,
Artistë të Ansamblit Popullor
Kori i Universitetit të Arteve, Kori i Fëmijëve të Liceut Artistik “J. Misja”
Fëmijët e Qendrës Kulturore
Forcat e Armatosura dhe Orkestra Frymore
Qendra e Hipizmit PANTO
Në datat 18, 19, 21, 22, Qershor 2012, Ora 19.00
PERSONAZHET DHE INTERPRETET
E OPERAS “SKENDERBEU”
SKENDERBEU: Roy Stevens, Erlind Zeraliu
MAMICA: Manjola Konjari, Irida Dragoti, Ivana Hoxha
DONIKA: Irini Nikolla, Emiljana Palushaj, Deshira Ahmeti, Shpresa Beka
GJON FLAMURA: Ylber Gjini
PAL DUKAGJINI: Sidrit Bejleri, Ariol Xhaferri
LEK DUKAGJINI: Armaldo Kllogjeri, Riad Ymeri
FRANCESKU: Armando Likaj
ALMA MILEhttp://www.panorama.com.al/kulture/zhani-ciko-si-vrau-veten-prenk-jakova-per-operen-%E2%80%9Cskenderbeu%E2%80%9D/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate