28 giugno 2012

“Summer Fest”, këngëtarët “pushtojnë” Durrësin 28/06/2012

Muzikë, panair, sfilatë, argëtim… “Summer Fest” ngre të premten siparin në qytetin e Durrësit, për të vazhduar turin veror në Vlorë, Sarandë, Lezhë, Pogradec e Korçë.


“Summer Fest”, këngëtarët “pushtojnë” Durrësin

Në skenë do të ngjiten këngëtarë të edicionit të parë të “The Voice of Albania”, por edhe emra të njohur të muzikës shqiptare si Eneda Tarifa, Flori Mumajesi, Julka, Kamela Islami, Gent Bushpepa, Orgesa Zaimi, Vesa Luma, Samanta Karavello, Çiljeta, Big Basta, Noizy, Vedat Ademi, Erik Lloshi etj. Ndër surprizat e festivalit, rikthimi i pop divës Adelina Ismajli dhe grupit “Djemtë e Detit”. Festa do të nisë nesër në shëtitoren “Taulantja” ku atmosfera do të ndërrojë tërësisht.

Një nismë e fondacionit “Dritan Hoxha” për të promovuar dhe për t’u dhënë një stimul këngëtarëve të rinj, “Summer Fest” nuk do të jetë vetëm e thjesht një festival i muzikës.

Drejtuesja e projektit, Ledja Liku tregon se në secilin prej qyteteve ku do të shkohet, do të promovohen vlerat kulturore dhe tradita vendase. “Për çdo qytet ne kemi bërë edhe kartolinën televizive, e cila do të transmetohet para çdo koncerti dhe do të përfshijë pikat turistike, vlerat kulturore e tradicionale të tyre. Menjëherë më pas do të ketë edhe një sfilatë me veshje tradicionale të zonës dhe në rastin e Durrësit do të jenë edhe të zonave përreth si Sukthit, Shijakut, Kavajës”, tregon Liku. Si do të jetë e organizuar një ditë e “Summer Fest”?

Gjithçka nis që në orën 10.00 të mëngjesit me një panair të titulluar “open day (Ditë e hapur)” ku nëpër stenda do të jenë të ekspozuara produkte të bizneseve lokale. Ky panair do të qëndrojë i hapur deri në fund të koncertit. Ndërkohë, duke nisur nga Durrësi dhe për të gjitha qytetet e tjera, atmosfera muzikore do të nisë në orën 20.00 me një nxehje nga një dj i ftuar, për të ngjitur më pas në skenë këngëtarët. Rina Bilurdagu, Marsela Çibukaj, Rezarta Shkurta, Flori Mumajesi, Julka, Andos, Adrian Lulgjuraj, grupi “Grifshat” do të interpretojnë në Durrës. Çdo qytet do të ketë këngëtarët e tij të veçantë. Në këtë festë të muzikës ata nuk do të jenë të vetëm në skenë. Për prezantues një dyshe që e njihni mirë, por që bashkohen për të parën herë në këtë rol. Xhemi Shehu i rikthehet eksperiencës që ka përjetuar që nga koha e shtojzovalleve, ndërsa Flori Binaj, aktori i njohur i “Portokallisë” e provon këtë aventurë për të parën herë. Nën skenarin e Olti Currit dhe regji të Ergys Lubonjës, “Summer Fest” do të sjellë një atmosferë festive në të gjitha qytetet ku do ndalojë, me mbështetjen mediatike të “Top Media”.

Pas Durrësit,  “Summer Fest” do të zbresë në qytetin e Vlorës, sërish me këngëtarë të “Voice of Albania” që prezantojnë jo vetëm këngët me të cilat konkurruan në “Top Fest 9”, por edhe hite të njohura ndërkombëtare. “Çdo shoë jemi munduar ta ndërtojmë në mënyrë të tillë që të jetë një spektakël i veçantë. Interpretimet e këngëtarëve do të shoqërohen edhe me sfilatë veshjesh moderne, ndërsa pjesa më e madhe e tyre do të promovojnë hitet e reja verore në këtë festival, i cili nis edicionin e parë, por besojmë se do të pritet mirë nga publiku”, thekson drejtuesja e projektit, Ledja Liku. Pas Vlorës, Saranda do të ketë më shumë ritme pop. Adelina Ismajli do t’i rikthehet skenës në këtë qytet, duke zbuluar në videoprojeksion pjesë edhe nga dy videoklipet e saj të reja. Eneda Tarifa, Vesa Luma, Big Basta do të jenë këngëtarët e tjerë pjesë e atmosferës. Lezha do të përfshihet nga rryma etno. Në sheshin e këtij qyteti do të kthehen “Djemtë e Detit”, ndërkohë që të tjerë këngëtarë si Anjeza Shahini, Dren Abazi, Noizy etj., do të këndojnë për publikun lezhjan. Nga Lezha udhëtohet drejt Pogradecit, qytet në të cilin do të ndezin atmosferën Çiljeta, Samanta Karavello, Erik Band etj. Rrugëtimi i edicionit të parë të “Summer Fest” do të mbyllet në qytetin e Korçës, për të cilin janë rezervuar këngëtarë që pëlqejnë të ngjiten live në skenë. Kamela Islamaj, Orgesa Zaimi, Gent Bushpepa, Vedat Ademi dhe Klajdi Haruni me “Mamicën”, do të përmbyllin këtë festë të madhe verore.http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=237490

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate