26 giugno 2012

Esat Pashë Toptani, duke i dorëzuar çelësin e fortesës së Shkodrës Princit trashëgimtar të Malit të Zi

Valter Gjoni ekspozon në Muze “Franca në Shqipëri”

Janë mbi 150 fotografi të realizuara në vitet 1912-1922 nga fotoreporterë francezë.
Shitja që Esat Pashë Toptani i bëri Shkodrës te Mali i Zi, arratia e Princ Vidit, anija që shoqëroi Ismail Qemalin në Londër, pamje nga Lufta e Parë Botërore…
Janë plot 150 fotografi, të siguruara në faqet e shtypit francez në vitet 1912-1922 dhe në Arkivin e Ministrisë së Kulturës Franceze, të ekspozuara dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Bëhet fjalë për koleksionin e mbledhur nga studiuesi Valter Gjoni, publikuar nën titullin “Vështrime të ndërthurura: Franca në Shqipëri”. Fotografitë vijnë së bashku me diçiturat përkatëse, vendosur nga vetë fotoreporterët. Ndër emrat e gazetarëve mund të përmendim Robert Vaucher, André Kertész, Ted Dubray, Frederic Gadmer, Serge Beaurienne, Charles Martel, konsulli i Francës, Leon Krajewski, ndërsa ka edhe emra të tjerë të koduar, si Operatori K. Sipas Gjonit, ata kanë raportuar për gazeta të rëndësishme të kohës, si “L’Illustration”, “Le Petite parisien”, “Le Monde”, “Le Pelerine” etj. “Kjo do të thotë se Shqipëria nuk paska qenë e panjohur, as e izoluar, por e pranishme në mënyrë sistematike te shtypi botëror, madje në faqet e gazetave kryesore të Parisit”, thotë Gjoni.
Foto historike
Në fotografitë e prezantuara në ekspozitën e hapur me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe Bashkisë së Tiranës nuk paraqiten thjesht e vetëm ushtarë të rraskapitur, viktima lufte apo qytete të shkatërruara. Fotoreporterët francezë janë gjendur në momente kyçe të historisë së atyre viteve. Një ndër to është akti i dorëzimit të çelësit të kalasë së Shkodrës Princit Danilo të Malit të Zi, në prill 1913. Ky akt shoqërohet me të tjera fotografi, si ngritja e flamurit malazez në kalanë e Shkodrës, hyrja e ushtrisë  dhe Princit malazez në qytet, beteja e Taraboshit, varrosja e ushtarëve të vrarë, djegia e pazarit të Shkodrës, largimi i ushtarëve shqiptarë të Esat Pashës, pamje të Konsullatës Franceze të bombarduar etj. Janë këto një seri fotografish të realizuara nga H. Grant, që ilustronin një artikull të 10 majit 1913 në gazetën “L’Illustration”, që aso kohe ishte ndër më të rëndësishmet e shtypit francez. Një tjetër personazh i pranishëm është Princ Vidi, pritja, por dhe përcjellja që i është bërë atij dhe si relike makina e sekuestruar nga francezët në Korfuz, pas largimit. Një fotografi interesante është ajo e varrimit të kolonelit Tompson, i cili përcillet me ritet shqiptare. Këtij koleksioni fotografish i bashkëngjitet edhe piktura e një jahti, gjetur në Muzeun e Jahteve në Nicë. Quhej “Mekong” dhe i përkiste Princit Ferdinand i Orleanit, ose Duka Montepensier. Ajo hyri në Gjirin e Vlorës, duke thyer bllokadën e vendosur nga grekët në datën 1 prill 1913 dhe ka nxjerrë po nga ky rrethim Ismail Qemalin për në Konferencën e Londrës. Ky fakt përmendet edhe në kujtimet e Ismail Qemalit. Sipas Gjonit, ky është mjeti që e çoi Ismail Qemalin në Londër dhe jo skafi, ku është shkrepur fotoja e famshme me Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin, i cili e shoqëroi thjesht deri te jahti. “Ka shumë fotografi që duhen analizuar, pasi në to mund të zbulosh fakte shumë interesante, sidomos për historianët”, thotë Valter Gjoni.

ALMA MILEhttp://www.panorama.com.al/kulture/dorezimi-i-shkodres-malazezeve-nga-esat-pasha-ne-foto/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate