05 giugno 2012

Lëvizja e lire për qytetaret e Republikës se Shqipërisë

Lëvizja e lire për qytetaret e Republikës se Shqipërisë

http://www.e-albania.al/web/Levizja_e_lire_313_1.php
Shume shpejt, qytetaret e Republikës se Shqipërisë nuk do të kenë nevoje për vize për të udhëtuar në 25 prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe në 3 shtete të tjera jo-anëtare të BE-së, pjesë të zonës Shengen.
Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që kanë një pasaporte të vlefshme biometrike, mund të udhëtojnë pa viza në këto shtete për periudha afatshkurtra deri në 90 ditë, çdo gjashtë muaj (180 ditë), për qëllime biznesi, për studime apo për turizëm.

Në cilat Shtete mund të udhëtoni pa viza?
Rregullat e reja zbatohen në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza edhe në Islandë, Norvegji e Zvicër.

Austri              Belgjike              Bullgari             Qipro
Rep. Çeke      Danimarkë        Estoni               Finlandë
France            Gjermani           Greqi                 Hungari
Islandë           Itali                      Letoni                Lituani
Luksemburg Malte                    Holande           Norvegji
Poloni             Portugali            Rumani             Sllovaki
Slloveni          Spanje                Suedi                 Zvicër


Po në Britaninë e Madhe dhe Irlandë?
Britania e Madhe dhe Irlanda mbeten jashtë zonës Shengen, për rrjedhoje rregullat e reja nuk aplikohen në këto shtete. Për informimin mbi kërkesat e hyrjes në këto dy shtete, qytetarët shqiptare duhet të kontaktojnë Seksionin e Vizave në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë dhe në Ambasadën e Irlandës në Greqi.

Si mund ta dalloj nëse pasaporta ime është biometrike?
Shpërndarja e pasaportave biometrike në Shqipëri ka filluar që nga maji 2010. Shikoni me kujdes nëse pasaporta juaj ka këtë simbol ikona_viza në pjesën ballore të saj.
Nëse po, atëherë pasaporta juaj është biometrike dhe ju mund të udhëtoni me të lirisht në shtetet e sipërpërmendura.

Si mund të pajisem me pasaportë biometrike, nëse ende nuk e kam një të tillë?
Aplikoni pranë zyrave të Gjendjes Civile në Njësitë e Qeverisjes Vendore, të Komunave dhe Bashkive

A mund te udhëtoj akoma me pasaportën time të vjetër jo-biometrike?
Pasaporta e vjetër jo-biometrike nuk vlen për lëvizjen e lirë pa viza. Ju nuk do të mund të udhëtoni dot me këtë pasaporte, nëse në të nuk keni vizë Shengen.

Sipas rregullave të reja, sa kohë mund të qëndrojnë qytetarët shqiptare në zonën Shengen?
Sipas rregullave të reja, qytetarët shqiptarë me pasaporte biometrike mund të qëndrojnë në zonën Shengen maksimumi 90 ditë , që nga dita e hyrjes brenda një periudhe kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë).
Periudha fillon që nga momenti kur ju hyni për here të parë në këtë zone, brenda periudhës gjashtë mujore.
Për shembull, nëse më datë 1 janar ju hyni për herë të parë në zonën Shengen, periudha e ardhëshme gjashtë mujore fillon në datën 1 korrik. Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, është përgjegjësia juaj të numëroni ditët e mbetura nga periudha gjashtë mujore.
Pra, ju mund të bëni disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).

A mund të punojë dhe të jetojë në shtetet e zonës Shengen sipas rregullave të reja?
Rregullat e reja aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. Ato nuk u sigurojnë qytetareve shqiptarë të drejtën për të jetuar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t'u punësuar në këto shtete. Nëse keni ndërmend të punësoheni apo të studioni për një periudhe që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikoni për vize afatgjatë ose për leje qëndrimi në ambasadën apo konsullatën e shtetit ku do të shkoni. Është e ndaluar të punoni në zonën Shengen pa leje pune apo të jetoni aty pa lejen përkatëse të qëndrimit.

Cilat janë kërkesat e tjera për të hyrë në këto shtete?
a) Pasaportë biometrike.
b) Deklarimi i qëllimit të udhëtimit si dhe paraqitja, para punonjësit të kontrollit kufitar e dokumenteve që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.
• Kur deklaron në kufi se po udhëton për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli dhe bileta e kthimit, nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor.
• Kur deklaron se udhëton për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.
• Kur deklaron se udhëton për arsye shëndetësore, paraqitet konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet apo rekomandimi nga institucioni shëndetësor shqiptar ( rastet e kryerjes së analizave etj.).
• Kur deklaron se udhëton për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, nr. telefoni, etj.
• Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë siguracionin shëndetësor (që përfshin udhëtimin dhe periudhën e qëndrimit) dhe nëse udhëtohet me makinë, dokumentacionin e nevojshëm të makinës (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe kartoni i gjelbër i sigurimit ndërkombëtar të makinës).
• Mjetet e udhëtimit (bileta avioni, trageti,etj.)

Cilat janë mjetet e jetesës gjatë qëndrimit në zonën Shengen?
Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose tranzitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. (Vende të ndryshme kanë shuma të ndryshme, por mesatarisht është 50 euro në ditë, kur ju keni një rezervim hoteli. Asgjë të ndërlikuar nuk ka në procedurat e lëvizjes në zonën e lirë).

Rekomandime për udhëtarët
a) Udhëtoni me agjenci udhëtimi të besueshme.
b) Kontrolloni a ju duhet siguracion shëndetësor nga lloji i tij (dokumenti/konfirmimi nga zyrat shëndetësore). Rekomandohet të pajiseni me siguracion shëndetësor përpara nisjes.
Nëse udhëtoni drejt zonës Shengen me automjet duhet te pajiseni me patente ndërkombëtare drejtimi dhe me kartonin jeshil të siguracionit ndërkombëtar të makinave.
Për më shumë informacion, përfshire rregullat rrugore të BE-së, vizitoni faqen e internetit :
http://ec.europa.eu/transport/road_safety/observatory/traffic_rules_en.htm
c) Numri i urgjencës është 112 dhe vlen për të gjitha shtetet anëtare të BE-së (për policinë,ambulancën dhe zjarrfikësin).


Kujdes !
Mos rrezikoni duke kaluar dhe qëndruar në mënyrë të paligjshme në asnjë vend të Shengenit dhe të humbisni kështu mundësinë ligjore që ju mundëson liberalizimi i vizave për të lëvizur të lire në të gjitha vendet Shengen.
Çdo person që kapet duke hyrë apo duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në njërin nga vendet e Shengenit do të kthehet menjëherë në Shqipëri dhe nga autoritetet e këtij vendi mund t'i ndalohet hyrja në të gjitha vendet Shengen deri për 5 vjet. Ky është një standard që zbatohet sot për të gjithë dhe në të gjitha vendet e BE-së.
Personat nuk duhet të konsiderohen si persona që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo për sigurinë e brendshme. Gjithashtu, nuk duhet të jenë persona ndaj të cilëve është dhënë ndonjë vendim për të refuzuar hyrjen e tyre në këtë zonë. Autoritetet kufitare të shteteve anëtare jo vetëm që kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa, por dhe të japin vendimin përfundimtar mbi çështjen e hyrjes në këtë zone (Neni 5 i Konventës Shengen).
Një numër i madh shtetasish të Maqedonisë, Malit te Zi dhe Serbisë nuk po lejohen sot të hyjnë në asnjë nga vendet e Shengen-it dhe po kthehen në kufi pikërisht për këtë arsye.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate