15 maggio 2012

Xhamia e Et’hem Beut simboli i Kryeqytetit Tirane, Albania

Xhamia e Et’hem Beut simboli i Kryeqytetit Tirane, Albania
xhamia-e-ethem-beut
Xhamia e haxhi Et’hem Beut është e vetmja ndër tetë xhamitë e shek. XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë që e shohim ende sot. Sipas mbishkrimeve që përmban xhamia e Haxhi Et’hem Beut, themelet e saj i vuri në fund të shek. XVIII Molla Beu, kurse faltoren e plotësoi biri i tij, Haxhi Etëhem Beu në çerekun e parë të shek. XIX. Sipas mbishkrimit që përmban vetë xhamia, themelet e faltores i vuri Molla Beu në vitin 1207 ‘h (1794-1795), i cili arriti të ndërtonte xhaminë deri në përfundimin e kubesë, pa mundur të plotësonte minaren dhe të përfundonte sofanë (portikun, hajatin), suvatimet dhe dekoracionet mbasi vdiq. I biri Haxhi Etëhem Beu e plotësoi duke përfunduar xhaminë e çatinë, duke ndërtuar minaren e sofanë dhe duke e zbukuruar me piktura e ornamente. Faltorja përfundoi së ndërtuari në vitin 1236 ‘h (1820-1821).

Xhamia qëndron mbi themele në formë kuadrati me gjatësi e gjerësi 18,70 x 16, 10 m, pra zë një sipërfaqe prej 301 metrash ketrorë.

Është ndërtuar me gurë te marre nga fshati Shtish-Tufinë që ndodhet në afërsitë lindore të Tiranës. Asnjë nga të katër fasadat nuk i ngjan njëra-tjetrës. Tipi i xhamisë është me sofa (portik), e cila ndodhet në formë L në anën veriore e lindore të faltores.

Sofaja është rrethuar nga ana e jashtme me 16 kolona prej gurësh monolitë 2,90 m të lartë, secila me nga një kapitel korinthik prej 0,60 metra dhe me një bazament prej 0,25 metra.
Mbi kolonat e rrumbullakta qëndron një harkadë e përbërë prej 15 harqesh (7 në anën lindore, 5 në anën veriore dhe 3 në anën perëndimore) jo në formë të mprehtë (jo me majë), siç e kërkon tradita islamike, por në formë gjysmë rrethi, i përhapur në Shqipëri që në kohët antike, i ngjashëm edhe me harqet e kishave, element ky i cili si dhe kapitelet dëshmojnë se mjeshtri arkitekt ka respektuar traditën vendase. Kolonat janë të pajisura me kapitele të dekoruara me ornamente motivesh vegjetale, (gjethe akanthi) të skalitura në reliev, të cilat kane shume pak ngjashmeri me njera-tjetren. Kolonat janë të lidhura midis tyre me kangjella prej hekuri.

 Hyrja sofasë (portali i jashtëm) si dhe hyrja në faltore (portali i brendshëm) ndodhen në anën veriore të xhamisë. Brenda faltores, në anën jugore ndodhet mihrabi (altari në formë cilindrike të zvarguar në mur); në të majtë të mihrabit është minberi (katedra). Përkundrejt tyre është mafili që zgjatet ne te gjithe anen veriore të faltores, i mbështetur mbi dy pilastra guri të bardhë me kapitele gjithashtu të dekoruara. Flatorja ka 18 dritare në dy rreshta horizontale, pjesa me e madhe e të cilave i jep asaj një dritë të kufizuar për të krijuar një ambient mistik. Nga jashtë kubeja e cila ngrihet mbi një pullaz me bazament tetëkëndësh, respekton stilin arabik. Minareja mbështetet mbi një kullë të veçantë, gati të shkëputur nga faltorja 2,25 metra e gjatë, 2 metra e gjerë dhe 9 metra e lartë. Kulla është e përbërë prej 37 rreshta gurësh.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate