TURIZEM NE SHQIPERI, POLICIA MERR MASAT
Policia
e Shtetit, në prag të sezonit turistik, ka marrë një sërë masash, jo
vetëm për garantimin e rendit e të sigurisë publike, por dhe për
krijimin e lehtësirave të nevojshme për qytetarët e huaj që udhëtojnë
drejt Shqipërisë për qëllime turistike. Në kuadër të këtyre masave,
shërbimet e policisë në të gjithë vendin janë porositur, që në rast
konstatimi të kundravajtjeve administrative në fushën e qarkullimit
rrugor të kryera nga shtetas të huaj, që udhëtojnë për qëllime turistike
në vendin tonë, do t’i komunikojnë drejtuesit të mjetit shkeljen e
kryer dhe do ta këshillojnë atë.Ky këshillim do të bëhet me qëllimin e
tërheqjes së vëmendjes së drejtuesit të mjetit për respektimin e
rregullave të qarkullimit rrugor, me synim rritjen e sigurisë në rrugë.
Ndërkohë raporti i ngjarjes i përpiluar nga punonjësi i policisë do t’i
dërgohet Përfaqësive Diplomatike dhe konsullore të akredituara në vendin
tonë dhe Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Jashtme. Për shtetasit
Kosovarë ky raport do t’i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të
Shërbimit Policor të Kosovës. Në ato raste kur shtetasit e huaj, që
udhëtojnë drejt vendit tonë për qëllime turistike, do të përfshihen në
incidente, ngjarje apo aksidente rrugore, ndaj tyre do të zbatohen
kërkesat e parashikuara në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe
Kodin Rrugor. Për kontrollin e zbatimit të këtyre masave, nga
Departamenti për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit do të ushtrohen
inspektime të vazhdueshme pranë strukturave të Komisariateve të
Policisë dhe Njësive Rajonale të Policisë Rrugore. Gjithashtu Policia e
Shtetit, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, ka bërë të mundur
verifikimin online të kundravajtjeve rrugore të kryera gjatë përdorimit
të mjetit, të cilat janë akoma të palikujduara. Këto masa janë në
vazhdën e iniciativave të ndërmarra dhe implementuara nga Policia e
Shtetit në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj
qytetarëve shqiptarë dhe shtetasve të huaj.
Nessun commento:
Posta un commento