Mozaiku i Tiranës
Në bllokun ‘‘Partizani’’ të lagjes Nr. 9,
gjatë punimeve për ndërtimin e banesave, u zbuluan rrënojat e një godine
të kohës së lashtë me një ambient me mozaik. Për fat të keq, edhe pse u
zbulua një monument me vlera monumentale, punimet nuk u ndërprenë
menjëherë, madje nuk u njoftuan as institucionet përkatëse. Kur u
ndërprenë punimet, monumenti i zbuluar ishte dëmtuar rëndë nga themelet e
hapura për ndërtimin e ndërtesës. Menjëherë pas kësaj filluan punimet
për zbulimin e monumentit. Gërmimet u bënë nga një ekspeditë e
përbashkët e Institutit të Monumentëve dhe Institutit të Historisë.
Gërmimet e para evidentuan pjesë muresh, si dhe fragmente tjegullash.
Gjithashtu u gjetën dhe fragmente të ndryshme enësh qeramike, tjegulla e
tulla të cilat autorët mendojnë se i përkasin shek. I m. Kr. Gjetjet
arkeologjike kanë treguar se kjo banesë i përket një vendbanimi të
thjeshtë fshatar të banorëve ilir të krahinës.
Në shek. III banesa e thjeshtë fshatare u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.
Kemi një ndërtesë me sallë qendrore përmasat e të cilës janë, gjerësia 8 m, kurse gjatësia 15 m. Dyshemeja e kësaj godine është e shtruar me mozaik. Motivet që zbukurojnë mozaikun janë gjeometrike dhe floreal.
Element tjetër i kësaj banese janë muret që ruhen vetëm në anën veriore. Salla qëndrore ka dy dyer me anë të të cilave kalohej në dy ambjente të tjerë, të cilat kanë planimetri drejtkëndore. Krahu verior i ambjenteve është më i ngritur. Në krahun jugor nuk ruhet asnjë fragment i murit. Këtu përveç disa fragmente tullash, e tjegullash nuk u zbulua asnje element tjetër arkitektonik. Po këtu u zbuluan dhe disa tulla të rrumbullaketa që presupozojnë praninë e hipokaustëve. Rindërtimet e transformuan banesën në një kishë. Hajati ishte i shtruar me mozaik dhe kishte planimetri drejtkëndore.
Gjatë vitit 2003 – 2004 u kryen gërmime në pjesën e pars rusticae ose prodhuese të vilës në të cilën dolën dy sternat e mushtit të rrushit, të cilat pjesërisht janë konsoliduar.
Ato u ndërprenë për arsye të justifikueshme dhe u rifilluan në vitin 2008. Gërmimet e këtij viti kanë dhënë një numër të madh ambientesh që mendohet të jenë shoqëruese të dy sternave. Gjithë mjedieset e zbuluara gjatë këtij viti kanë nevojë për konsolidime.
Nessun commento:
Posta un commento