Galeria Kombetare e Arteve
.
Galeria Kombëtare e Arteve është një
Institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës,
Rinisë dhe Sporteve. Ajo funksionon në mbështetje të Ligjit për Muzetë
dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore Kombëtare të Republikës së
Shqipërisë. GKA funksionon në bazë të statusit të saj i cili aprovohet
nga Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, si dhe nga
rregullorja e saj e brendshme. Galeria Kombëtare e Arteve i ka fillimet e
saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe të Komitetit të
Arteve të vitit 1946. Pinakoteka ishte institucioni i pare i arteve
figurative ne Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të
shumta në 11 janar 1954 Galeria e Arteve në Tiranë u hap zyrtarisht për
publikun. Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave
të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u
zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në rrugën
"Fortuzi" dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe
jashtë saj. Galeria, funksionoi në dy drejtime kryesore, në atë të
linjës së përhershme ekspozuese dhe në çeljen e ekspozitave të
përkohshme të artisteve shqiptarë e të huaj. Vizionet e reja rreth
zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën
numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më
funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në Bulevardin
"Dëshmorët e Kombit", ndërtesë, ku ndodhet edhe sot.
Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbehej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike. Fondi i Galerisë së re, deri në këtë periudhë kishte 340 vepra dhe në arkivin e saj ishin regjistruar 240 autorë. Që nga ky vit GKA funksionon si institucioni më i rëndësishëm dhe i vetëm kombëtar i ekspozimit, konservimit, studimit, restaurimit, edukimit, botimit, dokumentimit dhe arkivimit të veprave të artit në Shqipëri. Me vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 350, date 10. 8. 1992, Galeria e Artit merr emrin Galeria Kombëtare e Arteve me këtë motivim: "Për të shprehur më mirë qëllimin dhe funksionimin e këtij institucioni si i vetëm, kombëtar që mbron dhe propagandon interesat e arteve figurative shqiptare". Që nga viti 1949 e deri më sot, Galeria Kombëtare e Arteve funksionon si i vetmi institucion kulturor i këtij lloji. Në vitin 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve u bënë ndërhyrje dhe investime të rëndësishme, të cilat konsistojnë në një rikonstruksion cilësor të hapësirave të brendshme dhe kthimit të tyre sa më pranë projektit origjinal të ndërtesës, si dhe konceptimit të një linje të re muzeale që i përgjigjet njohjes, edukimit dhe informimit artistik të publikut shqiptar dhe të huaj në nivele sa më të larta.
Nessun commento:
Posta un commento