15 marzo 2014

Vlorë: Kapacitetet turistike, sivjet më shumë mundësi pushimesh

Bregdeti Dhermi Foto ARKIV ATSHVLORË, 15 mars/ATSH-Harilla Koçi/.- Përgatitjet për sezonin veror në rrethin e Vlorës nga operatorët që veprojnë në këtë fushë, janë përqëndruar në rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e strukturës turistike ekzistuese dhe zgjerimin e mëtejshëm të saj.
-Bregdeti i thyer, me plazhe të përziera ranore e gurishtore-
Bregdeti i Vlorës nuk ngjason me asnjë tjetër në Shqipëri. Një pjesë e tij përbëhet nga plazhe të mrekullueshme ranore që shtrihen nga grykëderdhja e lumit Vjosë, deri në Plazhin e Ri në Vlorë. Në të përfshihet një hapësirë masive pothuajse e virgjër dhe e pashfrytëzuar, për shkak të mungesës së pjesshme të infrastrukturës rrugore. Kështu, bregdeti i Poros deri në Zvërnec, është pothuajse i pashfrytëzuar. Brezi masiv i rërës në to, pasohet nga ai pyjor, gjë që krijon një mjedis të rrallë ku investimet, sipas specialistëve, krijojnë kushtet për rritjen e jashtëzakonshme të kapaciteteve turistike. Nga ana tjetër, pjesa tjetër e bregdetit ku përfshihet ai i përzier dhe shkëmbor, përbën një tjetër resurs të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit të të gjitha kategorive. Këtu gjen plazhe të mrekullueshme shkëmborë dhe me zhavorr të imët, të cilat gjithnjë e më tepër preferohen nga pushuesit vendas dhe turistë të huaj.
-Koeficienti i shfrytëzimit të bregdetit, ende i ulët-
Nuk ka ndonjë tregues të saktë të koeficientit të shfrytëzimit të këtij bregdeti, por ai mendohet të jetë mes vlerave 20-30 për qind. Plazhet e Dhralesë, të Gjipesë etj, në bregdetin e Himarës, mbeten ende të pashfrytëzuara, ashtu sikundër edhe brezat ranorë në bregdetin e Poros, deri në Zvërnec. Në këtë pjesë të bregdetit vlonjat, pushuesit janë spontanë dhe shfrytëzojnë resurset natyrore në një bregdet ku mungon plotësisht struktura turistike.
-Investimet zgjerojnë kapacitetet turistike-
Investimet e pritshme në zonën bregdetare, veçanërisht në infrastrukturë, garantojnë zgjerimin e kapacitetit turistik.
Kanan Shakaj, kryetar i komunës Novoselë, që administron vijën bregdetare të Poros deri në afërsi të Zvërnecit, thotë për ATSH-në se, projektet e rikonstruksionit të rrugëve që lidhin aksin kombëtar Fier-Vlorë me bregdetin e Poros, duke përshkuar disa fshatra, ndikojnë drejtpërdrejtë në këtë drejtim. “Me përfundimin e këtyre rrugëve krijohet një mundësi e mirë për të shfrytëzuar këtë bregdet ranor, ku, aktualisht, numri i pushuesve nuk përputhet me kapacitetet që janë qindra herë më të mëdha, krahasuar me treguesit aktualë”, thotë Shakaj. Ai sqaron se këtu vijnë çdo verë qindra pushues nga Fieri, Berati, Kuçova, Tirana, nga Shkodra, që pëlqejnë rërën dhe ujin e pastër, por edhe freskinë e pyjeve.
Kisha e Shen Merise se Athalit ne Himare Foto Harilla Koçi
Kisha e Shen Merise se Athalit ne Himare Foto Harilla Koçi
-Plazhi i Zvërnecit, plotësohet struktura e shërbimit-
Plazhet e virgjëra të Zvërnecit sivjet do të jenë më të shfrytëzueshme. Një strukturë e lehtë shërbimi, e përbërë nga të paktën 20 lokale e njësi të llojeve të tjera të çmontueshme, është ngritur para pak javësh në plazhin më të madh të këtij bregdeti. Kësaj i shtohet edhe rruga e re që lidh Vlorën dhe fshatin Nartë me këtë bregdet, e cila është e standardeve mjaft të mira. Drejtues të komunës Qendër thonë se, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, si dhe ndërtimi i rrugës që lidh bregdetin e Zvërnecit, do të shumëfishojnë fluksin e pushuesve, të cilët vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe të huaj. Gjatë javëve të fundit janë planifikuar kryerja e punimeve për pastrimin dhe rehabilitimin e plazheve të cilat do të nisin brenda muajit prill.
-Përmirësimi i infrastrukturës, shumëfishohet numri i pushuesve në bregdetin e Himarës-
Autostrada Fier - Vlore ne afersi te Novoseles Foto Harilla Koci ATSH
Autostrada Fier – Vlore ne afersi te Novoseles Foto Harilla Koci ATSH
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, ku përfshihet edhe ndërtimi i segmenteve që lidhin aksin kombëtar Vlorë-Sarandë, me plazhet përgjatë bregdetit, ka shumëfishuar numrin e pushuesve. Por, në këtë drejtim pritet përmirësimi i mëtejshëm i standardeve, për shkak se, në disa nga segmentet rrugore pavarësisht investimeve, ka mjaft probleme që lidhen me cilësinë e ulët të punimeve që janë kryer. Vitin e kaluar numri ditor i pushuesve në plazhet e Himarës, Dhërmiut, Qeparoit, Jalës llogaritej në më shumë se 40 mijë. Por, kjo shifër mund të rritet edhe më tej. Veçanërisht në këtë drejtim vlerësohet se do të ndikojë ndërtimi i segmentit rrugor të plazhit të Palasës, një nga mrekullitë e bregdetit të Himarës. /a.ke/ http://www.ata.gov.al/vlore-kapacitetet-turistike-sivjet-me-shume-mundesi-pushimesh-75760.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate