Kulture
04 Mars 2014 - 07:45TIRANE- Reagimit të arkeologes shqiptare Lida Miraj për projektet e Universitetit të Parmës për Amfiteatrin e Durrësit, i cili u paraqit në ekspozitën e “Të njohësh, Të ruash, Të shfaqësh”, më 25 shkurt në Muzeun Historik të Tiranës, i kundërpërgjigjet Sara Santoro, Drejtoreshë e Misionit Arkeologjik Italian në Durrës. Po botojmë të plotë reagimin si më poshtë:
Intervista e Dr. Lida Miraj dhënë gazetares Dhurata Hamzai dhe botuar në gazetën Shqiptarja.com e datës 26 shkurt 2014 përmban akuza serioze kundër Misionit Arkeologjik Italian në Durrës, të cilave mendojmë se kemi të drejtën t’u kundërpërgjigjemi si më poshtë:
1. "Të përmbysen letrat: një projekt i ri për rifunksionimin e teatrit”. Kështu shkruhet në diçiturën e njërit prej projekteve të Universitetit të Parmës për Amfiteatrin e Durrësit.
Ky është titulli (në shqip) i panelit n. 22 i ekspozitës “Të njohësh, të ruash, të shfaqësh”- seksioni i III - Amfiteatri dhe qyteti"dhe i referohet, si e shpjegon më së miri titulli në italisht, një ndryshimi të perspektivës në dispozicion të publikut në amfiteatër, propozuar në projektin e dytë e hartuar nga ne (publik jo i drejtuar nga veriu, por drejt jugut). Askush nuk mendon të ndryshojë historinë e amfiteatrit dhe as natyrën e tij nga monument i lashtë në "qendër tregtare" (ndërhyrje që të tjerë kanë bërë në situata të tjera), përkundrazi, puna jonë ka kontribuar konkretisht për të bërë të njohur një pjesë të asaj historie të amfiteatrit që deri dje ishte lënë pas dore, ajo e përdorimit të këtij monumenti në periudhën mesjetare dhe moderne ( shekulli i VI - XX).
2. Mungesë korrektësie në përdorimin e materialit shkencor
Dr. Miraj thekson: “Gjendem përballë skicave të mia të përdorura nga kolegët italianë që unë i kam botuar tek revista “Iliria” në ‘86-n. Ajo që më bën përshtypje është se janë të paraqitura këtu dhe citohet që i kanë bërë këta…. Kemi bërë rilevimin topografik të amfiteatrit. Rilevimi topografik i amfiteatrit është botuar në revistën “Iliria”, 1986, nr.2. Shoh që këta të Universitetit të Parmës e kanë botuar këtë planimetri pa e cituar që kjo planimetri është botuar më parë”.
Dr. Miraj, si arkitekte, duhet ta dijë shumë mirë dallimin mes vizatimit piktoresk, skicës planimetrike, që është niveli i dokumentit të botuar prej saj në vitin 1986, dhe një relievi metrik i cilsësisë së lartë, si ai i kryer nga Universiteti i Parmës dhe i paraqitur në ekspozitë: nuk ka asnjë element të përbashkët, me përjashtim të faktit se të dyja i përkasin të njëjtit monument. Kemi të bëjmë me nivele të pakrahasueshme studimi, nga pikëpamja shkencore dhe teknike. Publikimi i Mirajt në vitin 1986 nuk përmban asnjë planimetri metrikisht të besueshme, as rilevim topografik, deri në një masë të ngjashme me vizatimet italiane. Prandaj, pohimi i Dr. Miraj është i rremë, është një gënjeshtër e ndërgjegjshme. Preteksi për t'u përmendur në këtë ekspozitë pasi është marrë në vitin 1986 me amfiteatrin duke botuar disa vizatime piktoreske ( planimetria është hartuar në vitin 1984 nga arkitekt C. Miho, që ajo nuk e ka përmendur) nuk ka absolutisht asnjë bazë faktike.
Përkundrazi, ne jemi shumë të kënaqur, që i kemi shërbyer vetë Dr.Mirajt, me relievin tonë metrik për përgatitjen e Technical report për "Europa Nostra" – CEB, nënshkruar nga Pedro Ponce de Leon, faqja 38 dhe 39, marrë nga tabelat e ekspozitës sonë të vitit 2007 mbi projektin e ndërkombëtarizimit mbështetur nga Ministria italiane e Kërkimeve MIUR "Amfiteatri i Durrësit: njohja e një monumenti për vlerësimin e trashëgimisë kulturore botërore" (pa na përmendur sigurisht), si bazë dokumentacioni thelbësor për çdo projekt restaurimi.
3. Këta kanë marrë disa fonde të bëjnë një projekt
Misioni Arkeologjik Italian asnjëherë nuk ka marrë fonde nga Qeveria ose nga Institucionet Shqiptare, të asnjë lloji, për asnjë aktivitet. E gjithë masa e madhe e punës në lidhje me dokumentacionin dhe kërkimet shkencore gjatë 10 viteve të veprimtarisë së Misionit është financuar tërësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane dhe Ministria e Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor (prej një shume të përgjithshme rreth 100,000 €) si dhe nga dy universitetet ai i Parmës dhe ai i Chieti- Pescara-s titullarë të Misionit (me një shumë të barabartë). I gjithë dokumentacioni i prodhuar, i cilësisë shumë të lartë, si dhe propozimet e konsolidimit, restaurimit dhe rifunksionimit, janë vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare falas. Vlera e kësaj pune, dhuruar nga italianët miqve shqiptarë për hir të dashurisë ndaj kulturës që ndajmë, në qoftë se do t’u ishte dhënë profesionistëve të lirë të tillë si Dr. Miraj , do të kishte kushtuar së paku 600,000 € .
4 . Amfiteatri është një monument arkeologjik që duhet të riprezantohet si një monument.
Konsiderohet gabim hyrja në monumente... Monumenti prezantohet si monument.
Pavarësisht gënjeshtrave të shumta që përmban intervista, Dr. Miraj ka bërë mirë që ka ngritur në mënyrë të qartë një temë shumë të rëndësishme, deri më sot e pahapur me vetëdije të plotë nga komuniteti shqiptar: çfarë të bëjë me monumentet arkeologjike, mirëmbajtja dhe restaurimi i të cilëve kushton shumë, por që në të njëjtën kohë përbëjnë dëshminë e identitetit dhe historisë së komunitetit. Ne na ishte kërkuar nga Autoritetet Shqiptare të paraqisnim propozime për rifunksionimin e amfiteatrit.
E kemi bërë atë duke u menduar gjatë dhe me shumë kujdes ( në qoftë se Dr. Miraj do të kishte parë me kujdes propozimet, edhe ato mbi shkallët, do të kishte gjetur zgjidhje me siguri të avangardës, por krejtësisht të respektueshme për sipërfaqen e monumentit, ashtu si vetë shkolla italiane e restaurimit i ka mësuar gjithë botës).
Reflektimi na ka çuar të mendojmë dhe të propozojmë zgjidhje të ndryshme për çështjen e rifunksionimit. Dr. Miraj është në mënyrë të qartë në kundërshtim me rifunksionimin, për arsye konservative: pra, asnjë lloj shfaqeje, as në Durrës, për pasojë as në Butrint, as në Adrianopojë etj. Kemi të bëjmë me një opinion legjitim dhe të respektuar, i cili gjen përkrahës ( që në të vërtetë janë të pakët ) në Itali.
Nuk i përket sigurisht Misionit Arkeologjik Italian të vendosë se çfarë të bëhet me amfiteatrin, nëse ta lini si stoli të bukur për ta parë nga larg, apo ta përdorin atë në një farë mënyre, duke tërhequr edhe përfitime ekonomike për komunitetin, gjithmonë duke respektuar monumentin e lashtë. Personalisht besoj se monumentet e lashtësisë duhet të vihen përsëri në rrjedhën e jetës dhe të historisë, në mënyrë që të jenë trashëgimni e gjallë. Edhe Leon Battista Alberti ishte gjithashtu i këtij mendim, dhe e shkroi, në librin e tij të dhjetë të De re aedificatoria ( 1452 ).
Drejtoreshë e Misionit Arkeologjik Italian në Durrës
Sara Santoro
Akuzat e arkeologes Lida Miraj
Në intervistën për “Shqiptarja.com” arkeologia shqiptare Lida Miraj ka akuzuar palën italiane për mosrespektimin e statusit të punimeve shkencore, ku ka përmendur se autorët e projekteve kanë përdorur pa cituar skica të sajat të botuara më parë në botimet shkencore. Gjithashtu, arkeologia Lida Miraj, pasi ka kritikuar edhe konceptin e “përmbysjes së letrave” të këtij projekti ka thënë se “Këtyre profesorëve të Parmës, nuk beson kush se ua lejon njeri të mendojnë që po përmbysin letrat e Koloseut dhe ta kthejnë Koloseun në teatër apo në amfiteatër tjetër”.
Akuzat e arkeologes Miraj gjatë intervistës kanë vijuar edhe për mënyrën sesi janë përdorur fondet. “Këta kanë marrë disa fonde të bëjnë një projekt, kanë bërë një projekt. Dëshirat janë të mëdha, por nuk ma merr mendja që do të lejohet të realizohen këto ndërhyrje të këtyre monumenteve”.
Kështu ka thënë arkeologia Miraj, ndërsa ka komentuar se “këto projekte ngatërrojnë destinacionin e Amfiteatrit të Durrësit”. Vazhdimisht projektet e të huajve në Shqipëri janë shoqëruar me replika nga arkeologë të njohur shqiptarë. Kjo ndodhi edhe në ekspozitën “Të njohësh, Të ruash, Të shfaqësh”, fryt i bashkëpunimit të tri universiteteve italiane, ku me kërkimet mbi trashëgiminë arkeologjike janë angazhuar prej vitesh profesorët Sara Santoro, Paolo Giandebiaggi dhe Claudio Varagnoli.
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/amfiteatri-i-durresit-sara-santoro-ja-ku-gabon-lida-miraj-203442.html#sthash.mhl1xare.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento