Postuar më: 05 Mars 2014
Shqipëria prezantohet mes 189 vendeve pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit që organizohet në Berlin. Në Stendën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit rreth 20 operatorë turistikë vendas po prezantojnë ofertën turistike të Shqipërisë.
Panairi i Berlinit është një ndër pikëtakimet më të rëndësishme për tur-operatorët të cilët lidhin kontrata me partneret e huaj. E pranishme në të gjitha aktivitetet që organizohen në ITB Berlin, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni po prezanton platformën “Imazhi i Ri i Shqipërisë”, destinacioni turistik i renditur i 4-ti ndër 152 vendet që duhen vizituar gjatë vitit 2014.
Stenda e Shqipërisë në ditën e parë të Panairit të Berlinit zgjoi interesin e turistëve gjermanë, të cilët ishin të interesuar për të vizituar Shqipërinë. Ajo që i mikpriti e para, ishte Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni e cila i ftoi të zbulonin bukuritë e Shqipërisë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Julinda Dhame vlerëson se interesi i turistëve gjermanë për Shqipërinë ka ardhur në rritje, duke e konsideruar Shqipërinë si një destinacion potencial turistik.
ITB Berlin, mbledh së bashku në një sipërfaqe prej 160.000 metra katrorë, operatorë turistikë nga gjithë bota të cilët promovojnë produktin e tyre turistik. Ekspozuesit dhe vizitorët gjejnë në Panairin e Berlinit informacione mbi tregje të reja dhe njihen me trendin e industrisë ndërkombëtare të turizmit. http://turizmi.gov.al/al/newsroom/lajme/prezantohet-ne-panairin-nderkombetar-te-turizmit-ne-berlin-imazhi-i-ri-i-shqiperise&page=1
Nessun commento:
Posta un commento