TIRANE, 10 Mars/ATSH- N.Lena/-Në bukuritë e rralla të vendit tonë, futet dhe Thethi.Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit.Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.
Maja Arapit
Historia e Thethit dhe e shalës ështe e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve.. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të pa njohura. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në pejë. Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinjt. Edhe sot,Shala,Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit. Më pas në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me bushatëllinjtë e shkodrës. I pari që përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi I Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar””. Pas ndryshimeve të ‘90–tës, pati shumë ndryshime dhe sotë është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Emri, midis historisë dhe gojëdhënës
Mbështetur në të dhënat historike te grumbulluar, në toponimet që janë në këtë fshat dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë : Nga emri “thep”,Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e te tjera, shpreheshin : “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Në këtë fshat ka shumë vende që emërtohen dhe rreth fjalës “thep-a, -i, -at” si : “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Në kuptimin që emërton fjala “kuj” (kunj) pothuaj është shumë e përafërt me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka më shumicë, p.sh. “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj. Krahas këtyre, malet e larta dhe të mprehta si “thika” që njerëzit në mënyrë të zakonshme e përdorin shprehjen “…në thika të majave…”, “…në thika…”, “…prapa atyre thikave që duken…”, e te tjera, mund të shkojnë në favor të prejardhjes së emrit Theth nga fjala “thep” i cili ka përparësi me emrat “kunj” dhe “thika” në kuptimin e vendit që emërtojnë. “Thekër”, duke zhvilluar një bujqësi ekstensive, duke prerë e djegur pyjet, banorët mbillnin thekër. Atëherë nga përdorimi i shprehjes “në thekën”, në të folurën krahinore, “…po shkoj në thekën”, “…isha në thekën…”, “…thekën”, “Thekna”, rrugës deri në fiksimin e emrit, evoluoi dhe na erdhi “Theth”. Toponime me emrin “thekën” ka disa në Theth si “Theknat” disa : “Thekna e Hasës”, “Zhari i Theknës” e të tjera. ”Thellë”Thethi është një gropë e thellë në krahasim me malet që e rrethojnë. Edhe si luginë është mjaftë e thellë në drejtim të burimit të lumit të Shalës, sa që edhe banorët më të afërt janë mbi një orë larg. Gjatë veprimtarisë së tyre, njerëzit mund të kenë përdorur shprehjet : “…isha atje thellë…”, “…në thellësi…”, “…thellë…” e kështu me kalimin e kohës u formua emri “Theth”.
Kurora mes maleve
Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima,Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, speleologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë lë mbresa të pashlyeshme.
Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okolideri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Thethi si park zoologjik natyror Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra si : ariu,dhia e egër, derri i egër, kaprolli, dhelpra, ujku, lepuri, pa harruar rrëqebullin, zardafin e iriqin.
Po përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, pylli i Thethit është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm si shqiponja,skifteri, thëllëza, pëllumbi i egër, gjeli i egër dhe pula e egër e shumë shpendë të tjerë që shtegtojnë në Theth gjatë sezonit të riprodhimit. Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe të lumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik : troftën pikaloshe e kryemadhe, pa harruar edhe liqenin e akullt tëTërthores, ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.
Turizmi
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri.
Ndërsa për banorët e kësaj zone, Dr. Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lëGrykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.
Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar./a.g/ http://www.ata.gov.al/thethi-mes-turizmit-dhe-trashegimise-kulturore-71813.html
Nessun commento:
Posta un commento