05 marzo 2014

Shqipëria, dy vite provë që të mos dalë nga UNESCO


Shqipëria, dy vite provë që të mos dalë nga UNESCO
04 Mars 2014 - 11:32
GJIROKASTER - Informacionet nga sistemi dhe raportimet në media nga ky sektor flasin jo aq për një sistem krejt të gabuar sesa për një abuzim të frikshëm të sistemit, për një neglizhencë dhe zvarritje të menaxhimit në të gjitha instancat, devijime dhe shkelje të ligjit nga njerëz brenda sistemit që e kanë keqpërdorur me dashje ose prej paaftësisë”. Me këto fjali nis programi i Trashëgimisë Kulturore 2013-2017, publikuar në sajtin e Ministrisë së Kulturës. Vështirë të thuhet se sa do të vihet në jetë, e gjithashtu sa efektiv do të jetë, porse duhet shënuar se për fat të keq problematikat janë të pafundme.
Ndërsa vihet re se trashëgimia ka nevojë për një vizion afatgjatë zhvillimi, në kuadër të këtij vizioni flitet për përgatitje të një strategjie kombëtare, duke përfshirë të gjithë aktorët e fushës, ristrukturimin e burimeve njerëzore sipas kompetencave të tyre konkurrenciale (çka do ta shohim pas emërimeve), riorganizimin e zyrave rajonale dhe të rrjetit kombëtar të muzeve, përditësimin e rregullt dhe rigoroz të listës, si dhe verifikimin e statusit të monumenteve të shpallura dhe atyre të propozuara për heqje nga lista.
Rishikimi
Ajo që është për t’u vlerësuar, është pika ku flitet për përpilimin e një harte risku për të gjitha monumentet e veçanta, por edhe për qendrat historike dhe parqet arkeologjike. Ndërkaq, mbetet tejet interesant “rishikimi në një dritë më të qartë ligjore të kushteve në të cilat janë dhënë në përdorim objektet e trashëgimisë kulturore”. Këtu mbetet e paqartë se cilat objekte, ato që u dhanë vjet, apo ato që janë dhënë më herët: si Petrela, Preza, Lëkursi?! Dhe po aq e paqartë mbetet se çfarë do të ndodhë pas rishikimit? Do ketë ndërprerje bashkëpunimi, do merren masa ndëshkimore?
UNESCO
Një tjetër ndalesë në programin 4-vjeçar është ngritja e një grupi të posaçëm pune për shqyrtimin e të gjitha rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Në fakt, ky grup i posaçëm duhej të qe ngritur me kohë e të ishte funksional, sipas rekomandimeve që UNESCO jepte, dhe paramendohej të ishte “watch-dog”, një “portë” e rëndësishme, ku do të kalonin vendimet për Beratin dhe Gjirokastrën. Më në fund, do vihet në jetë. Ndërkaq, MK-ja thotë se do të “përgatisë një plan veprimi energjik në përputhje me skadencat e dhëna nga UNESCO, e cila e ka futur Shqipërinë në një periudhë dyvjeçare prove për ruajtjen e statusit të mbrojtur nga UNESCO për Gjirokastrën dhe Beratin”. Kjo, do të thotë se rrezikokemi të dalim prej mbrojtjes? Pse? Ç’masa do merren? Do ketë penalizime? Po me ndërtimet (me leje abuzive) ç’do bëhet?
Projektet
Në planin 40-vjeçar, pritet të ndërtohet edhe një strategji e re koordinimi dhe monitorimi për projektet me donatorët në parqet arkeologjike, qendrat historike. Kjo sipas ministrisë do të jetë prioritet. “Në bashkëpunim me ta (donatorët) do të zhvillohen partneritetet PP për rijetëzimin kulturor e social të tyre, duke garantuar transparencë, monitorim dhe mbrojtje e restaurim të qendrave të TK”, thuhet në program.
Policia e Shtetit
Përmirësimi i kuadrit ligjor për TK (Trashëgiminë Kulturore) dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është një tjetër pikë ku ndalet ministria. Prej kohësh, në rastet kur objekte të trashëgimisë janë vjedhur, dëmtuar, apo shembur me dashje, çështja i ka kaluar policisë dhe kaq. Edhe në raportet vjetore të saj, të arrestuar për dëme ndaj trashëgimisë e lëre më pastaj të dënuar, pothuajse nuk ka. Duket se ministria ka marrë në dorë frerët dhe do të kërkojë, siç shprehet: verifikimin e denoncimeve të bëra në media lidhur me dëmtimet e trashëgimisë kulturore dhe ndjekjen me rreptësi; hartimin e një marrëveshjeje për të specifikuar mekanizmat e represionit kundër krimit mbi trashëgiminë kulturore, për të trajnuar njësi speciale të policisë në mbrojtje të TK-së, ndërsa në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe median do të fillojnë dhe vazhdojnë në mënyrë permanente fushata sensibilizimi me shoqërinë civile për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, nëpërmjet denoncimeve me telefon dhe me foto në linjë e në media.
Në frymën e tërësishme të MK-së, Trashëgimia kulturore, si në qendrat arkeologjike, edhe në rrjetin e muzeve, ku modeli i parë do të fillojë me Muzeun Historik Kombëtar, i cili do të kthehet në një qendër të gjallë aktivitetesh për nxënësit dhe të rinjtë, duke forcuar rolin e vet edukativ me vlerat kombëtare, me njohjen e historisë, me shijet estetike dhe me qëndrimet qytetare.
Ndërkaq, sipas programit të ministrisë, do të rivlerësohet Trashëgimia Kulturore jomateriale, e harruar deri më sot. Ajo do të shërbejë jo vetëm si një rigjallërim i jetës kulturore dhe sociale në të gjithë territorin, por edhe si një bazë e bashkëpunimit kulturor ndërkufitar dhe ndërajonal, i cili do të jetë prioritar për MK-në.
Në fund, rikthehet në vëmendje, një çështje shumë e debatuar: Piramida. Sipas programit të MK-së, do të ndërtohet një plan për restaurimin dhe rijetëzimin e disa monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë së vonë historike, si Piramida, Teatri i Kukullave dhe Teatri Kombëtar.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/shqiperia-dy-vite-prove-qe-te-mos-dale-nga-unesco-175665.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate