NGA: FATMIRA NIKOLLI



Përmes një letre, dërguar ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, Kishore Rao, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore-UNESCO, në Paris ka kërkuar informacion të detajuar. Në letër,(që i ka shkuar për dijeni edhe Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n), Rao pyet se si qëndron çështja e ndryshimit të pronarit. Më tutje, ai kërkon të dijë nga shteti shqiptar se ku shtrihen ekzaktësisht tokat e privatizuara, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore dhe sa ky privatizim mund të ndikojë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit.
Pak ditë më parë, Forumi i Trashëgimisë përmes një deklarate për mediat, njoftoi se Butrinti është privatizuar, dhe se pronari i ri i një pjesë të tij, është Agim Toro, i cili e ka marrë atë si kthim prone. Gjatë këtyre ditëve, në media ka pasur debate mes palëve. Toro, ka qenë për një kohë të gjatë i punësuar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Anëtarët e Forumit, kanë bërë me dije se ndër pjesët e Butrintit që i kalojnë Toros, është edhe vetë teatri antik.
Ndërkaq, e pyetur nga media për çështjen dhe qëndrimin e ministrisë, ministrja Kumbaro u shpreh në një konferencë se ka kërkuar informacion, pas marrjes së të cilit do të sqarojë opinionin publik. Më poshtë, letra e plotë, ndërsa në foto, mund të shihet edhe faksimilja e letrës.
LETRA
Lënda:
Gjendja e konservimit të pasurisë botërore "Butrint"
E dashur ambasadore
Qendra e Trashëgimisë Bo-tërore së fundmi ka marrë një artikull në lidhje me ndryshimin e pronësisë mbi tokën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Po ju dërgoj, edhe një kopje të artikullit, i cili gjithashtu mund të lexohet edhe në linkun e mëposhtëm: (http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-privatized-parts-of-unescoheritage-faqe).
Në përputhje me paragrafin 174 të udhëzimeve operacionale, përgjigja e qeverisë suaj, do të na mundësojë të verifikojmë burimin dhe përmbajtjen e informacionit që ka marrë qendra.
Prandaj, unë do ju isha mirënjohës nëse ju mund ta përcillni këtë mesazh, tek autoritetet tuaja lokale e kombëtare, dhe të na njihni ne me komentet e tyre mbi ndryshimin e pronarit të tokës dhe ndikimin e mundshëm që kjo mund të ketë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit, pasuri e Trashëgimisë Botërore.
Ne do ju ishim mirënjohës, nëse autoritetet tuaja mund të na saktësojnë se ku shtrihen ekzaktësisht tokat në fjalë, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore.
Më lini të shfrytëzoj rastin t'ju falenderoj për bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj në implementimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore, dhe ju lutem pranoni, e dashur ambasadore, konsideratën time më të lartë.
Kishore Rao
Drejtor
(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/privatizimi-i-butrintit-unesco-leter-shqiperise-177514.html
Nessun commento:
Posta un commento