20 marzo 2014

“Europa Nostra” paraqet studimin për Amfiteatrin Antik - Durres


Fondacioni "Europa Nostra" paraqet studimin e fizibilitetit për Amfiteatrin Antik te Durresit
Fondacioni “Europa Nostra” paraqet studimin e fizibilitetit për Amfiteatrin Antik te Durresit
Durrës, 20 Mars /ATSH-Gëzim Kabashi/. – Fondacioni “Europa nostra” ka paraqitur mbrëmjen e kaluar në Durrës studimin e fizibilitetit, që synon rivitalizimin e ansamblit historik, që ndodhet pranë amfiteatrit antik të qytetit, i përfshirë në listën e monumenteve të rrezikuara të Evropës për vitin 2014.
Gjatë një takimi që u zhvillua mbrëmjen e kaluar në Bashkinë e qytetit bregdetar arkitekti dhe eksperti ndërkombëtar Pedro Ponce, i cili është njëkohësisht zv. President i Komitetit Shkencor të Europa Nostra-s prezantoi këtë projekt tepër ambicioz që nuk përfshin amfiteatrin e Durrësit si objekt të vetëm, por të gjithë ansamblin historik që ndodhet përreth tij, si një zonë e tërë që do të rijetëzohet dhe do të shtojë interesin e turistëve dhe vizitorëve vendas e të huaj. Gjashtë muaj më parë specialistët e këtij Fondacioni zhvilluan një vizitë në mjediset e monumentit më të madh të zbuluar në vendin tonë, pasi ai u përzgjodh në listën e monumenteve më të rrezikuar në botë.
Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se aseti më i madh i trashëgimisë sonë kulturore është amfiteatri dhe se ky projekt është i rëndësishëm, pasi merret jo vetëm me monumentin, por me një zonë të tërë të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Amfiteatri i Durrësit
Amfiteatri i Durrësit
Në emër të Ministrisë së Kulturës, zv ministri Zef Çuni u shpreh se ky studim ka qasje me vizionin e Ministrisë së Kulturës për trajtimin e trashëgimisë kulturore në tërësinë e saj, duke konturuar peizazhin e plotë kulturor. Ndërkohë gjetja e fondeve për ta zhvilluar këtë studim është një sfidë për të gjithë aktorët.
Të gjithë të pranishmit kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord në parim për ngritjen e këtij grupi pune (Task Force) me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Instituti i Arkeologjisë, Bashkia e Durrësit, Ministria e Financave, Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor dhe Europa Nostra, i cili do të ndjekë fazat e parashikuara në këtë studim, do ta prezantojë atë për miratim në institucionet përkatëse, si dhe do të kontribuojë për lobimin dhe gjetjen e burimeve financiare për rehabilitimin e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe europiane.
Gjatë 10 viteve të fundit institucione shkencore dhe universitare europiane kanë paraqitur interes, si dhe projekte ende të pazbatuara në monumentin më të madh të zbuluar në vendin tonë./k.s/f.n/ http://www.ata.gov.al/durres-europa-nostra-paraqet-studimin-per-amfiteatrin-antik-79045.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate