12 marzo 2014

Anulohet koncesioni për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës .....Kujdes monumentet, kritere të qarta për dhënien me qira!





12 Mars 2014 - 07:33
TIRANE- Komiteti Kombëtar i Restaurimeve pas mbledhjes së zhvilluar ditën e hënë ka vendosur anulimin e koncesionit për Rijetëzimin e Kalasë së Lezhës. Lajmin e ka bërë publik dje në një konferencë për shtyp ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila bëri të ditur për mediat procedurën e ndjekur nga ish Ministria Turizmit,Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për përzgjedhjen e konkurrentëve, me qëllim rijetëzimin e këtij monumenti të trashëgimisë.

“Procedura ka qenë që në fillim zgjidhet konkurrenti dhe pastaj vlerësohet projekti i tij, por ka ndodhur e kundërta: në vend që të fillohej procedura e përzgjedhjes së konkurrentit dhe të paraqitej një projekt për t’u zhvilluar është miratuar projekti dhe më pas është filluar procedura për përzgjedhjen e subjektit”. Kumbaro sqaroi se gjithë praktika, e zhvilluar ne dy faza të ndara secila nga njëra – tjetra, kishte të bënte me procedurën e miratimit të projektit teknik të rijetëzimit të Kalasë së Lezhës dhe me procedurën e ndjekur nga ish- Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për përzgjedhjen e konkurrentëve, me qëllim rijetëzimin e kësaj zone.

”Procedura e dhënies me qira të Kalasë së Lezhës në vetvete përmban një sërë shkeljesh të cilat konsistojnë në: mos legjitimimin e ish MK për të zhvilluar këtë procedurë, pasi MK nuk ishte administratore e Kalasë së Lezhës, kur KKR aprovoi projektin, dhe vetëm pasi i kishte kryer këto procedura, del VKM për kalimin e administrimit nga bashkia te Ministria e Kulturës. Që nga koha që është zhvilluar procedura për përzgjedhjen e konkurrenteve për zhvillimin e rijetëzimit, nuk ka asnjë vendimmarrje të Ministrisë së Kulturës për miratim procedure, pra edhe kur u hap procedura e konkurrencës ku u paraqit vetëm një kandidat, natyrisht subjekti i projektit të aprovuar tashmë më parë, nuk u mbyll e nuk kemi asnjë akt që të deklarojë fituesin.

Ky projekt nuk është hartuar në kuadër të  procedurës së rijetëzimit parashikuar nga Legjislacioni në fuqi dhe Karta Restaurimit, ndërkohë që territori i brendshëm cilësohet si një nëntokë me potencial të madh arkeologjik”, argumentoi  ministrja Kumbaro. Së fundi, ministrja deklaroi se KKR vendosi shpalljen absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ Urdhër të Ministrit nr. 27 date 1.2.2011 “Për rrjetëzimin e Kalasë Lezhë”, si dhe Anulimin e procedurës se Rijetëzimit si një procedurë të hartuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, Ministrja Kumbaro ka deklaruar edhe vendimet e marra për mbrojtjen e disa monumenteve si të Parkut “Geraldina” të Burrelit, rrënojave të kishës së Çiflikut, Sarandë, Kalasë së Dorëzit, Kalasë së Këlcyrës, Qyteti në Triport (Aulonë), Vlorë, Kalasë së Kaninës, Vlorë, Kishës së Shën Stefanit, Dhërmi, etj.

Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/anulohet-koncesioni-per-rijetezimin-e-kalase-se-lezhes-204674.html#sthash.t7VpiL0C.dpuf 

Kujdes monumentet, kritere të qarta për dhënien me qira!



TIRANE- Ekspertë të Bashkimit Europianë kanë qenë dje në Tiranë, për të ndihmuar në njohjen e modeleve për ngritjen e një plani biznesi në fushën e trashëgimisë. Për këtë është organizuar workshopi “Business Planning and Fundraising”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të trashëgimisë kulturore, i cili u mbajt në kuadër të “Ljubljana Process – Rehabilitimi i Trashëgimisë tonë të Përbashkët”, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Dhënia me qira e Monumenteve të Kulturës është kundërshtuar shpesh nga specialistët e trashëgimisë, të cilët shprehen se: mund të sjellë më shumë të ardhura në arkën e shtetit, por edhe mund të shkatërrojë pa kthim vlerat e ruajtura prej shekujsh. Dilema që ka nxitur debatin në vendin tonë, në fakt ka vite që vijon edhe në Europë. Eksperti i Këshillit të Europës Xhon Baguley, konsulent për thithjen e fondeve në institucionin europian shprehet se trashëgimia nuk mund të mirëmbahet vetëm me fonde publike. Sipas konsulentit John Baguley, “që monumentet të mos të dëmtohen nga privati duhet më herët të përcaktohen kriteret e sakta.

Pra kapaciteti i vizitorëve, mënyrat e ndërtimit, lokale apo restorante, studim fizibiliteti, etj. Në të gjithë botën ky është një debat i vazhdueshëm.” Sipas specialistëve, Ministrisë së Kulturës i duhet në vit një shifër prej rreth 30 milion lekësh vetëm për funksionimin dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë, çka për buxhetin e institucionit është një shumë e lartë. Kjo është edhe arsyeja pse drejtuesit e trashëgimisë në ministri kanë deklaruar se thithja e investimeve private do të jetë tashmë prioritet i të gjitha drejtorive Rajonale të Monumenteve.

Por nga ana tjetër, paralel me këto deklarata, Këshilli Kombëtar i Restaurimit do të marrë një vendim përfundimtar për rrëzimin ose jo të dhënies me qira të Kalasë së Lezhës, çka është kundërshtuar prej ditësh nga Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë. Ministria e Kulturës njofton se sot në orën 9.00 do të mbahet një konferencë për shtyp, lidhur me vendimet kanë dalë nga mbledhja e djeshme e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, ku sipas rendit të ditës po diskutohet për projekte të rëndësishme si: Kalaja e Lezhës; Restaurimi dhe konsolidimi i manastirit të Shën Mërisë në Apoloni. Projekt restaurimi Qela e kishës së Kuklit, Komuna Bushat, Shkodër. (Pjesë e kompleksit muzeor “Ndre Mjeda”); etj. gjatë takimit janë bërë edhe disa propozime për KKR-në për shpallje monument kulture dhe shpallje zona të mbrojtura.

Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/kujdes-monumentet-kritere-te-qarta-per-dhenien-me-qira--204514.html#sthash.EMum1w7S.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate