NGA GJERGJ FRASHËRI*
07 Mars 2014 - 07:29TIRANE- Kalaja e Lezhës është në listën e monumenteve kulturore më madhore të Shqipërisë, me vlera dokumentare par exellence për historinë e mbarëkombëtare. Ajo ruhej dhe mbrohej nga shteti me anë të legjislacionit, nëpërmjet gjurmimit dhe vlerësimit, si dhe të aktivitetit të mirëmbajtjes, konservimit dhe restaurimit të përcaktuara në Kartën Ndërkombëtare dhe atë të Shqipërisë. Mjerisht edhe jeta e monumenteve të rralla kulturore në Shqipëri është sot e kërcënuar.
Ato nuk gëzojnë më të drejtën të trajtohen ashtu siç i takon statusit të tyre ligjor dhe qëllimit për të cilat janë zgjedhur, vlerësuar dhe shpallur monumente kulture. Deri vitet e fundit këto vepra dokumentare historike ishin në pronësi të shtetit dhe i takonin pasurisë shpirtërore dhe materiale të popullit, por tashmë prej katër vjetësh atyre po u qepen përditë e më shumë kasapë me hanxharë në dorë, për t’i copëzuar dhe grabitur nga privatët. Pré e thertores është bërë fatkeqësisht edhe Kalaja e Lezhës.
Kasapi i parë që mori detyrën për t’u afruar me hanxhar në dorë drejt Kalasë së Lezhës ishte Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) me drejtorin famëkeq zotin Apollon Baçe dhe këshilltarin e tij nga kryeministria, zotin Neritan Ceka. Gjatë viteve 2011-2013 ata hartuan një listë me 22 monumente, midis tyre edhe qytete të fortifikuara si Lezha, për t’ia dhënë privatëve me qira për shumë vite. Që të legjitimohej pra dorëzimi i këtyre veprave të mëdha të historisë së Shqipërisë në duart e privatëve, u njoftua nga “filozofët akademikë” të Tiranës se kishin shpikur termin “rivitalizim” apo “rijetëzim” në praktikën e vlerësimit të monumentit të kulturës.
Asnjë Kartë me Rregulla e Udhëzime për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Monumenteve në botë nuk e pranon këtë term spekulativ, përveçse mirëmbajtjes, konsolidimit, konservimit, restaurimit dhe dokumentimit (shpëtimit), të cilat janë të miratuara nga marrëveshjet ndërkombëtare. Me anë të kësaj “shpikjeje revolucionare terminologjie”, Privatit të qytetëruar nga Vendi i Shqiponjave i hapej rruga që të merrte me qira edhe metropole historike mbarëkombëtare si Kalaja e Lezhës - domethënë ta përdorte atë për të nxjerrë fitime financiare, duke i lejuar (legjitimuar) edhe ndërtime të reja mbi truallin arkeologjik të saj, si për shembull, qofteri, motel, pishinë apo fushë tenisi, e të tjera lodra.
Kasapi i dytë me hanxhar në dorë ishte vetë udhëheqja e Ministrisë së Kulturës (atëherë MTKRS-ja), e telekomanduar nga kreu i qeverisë, e cila e gëlltiti me oreks dhe padurim të madh “shpikjen” e akademikëve. Ajo e shpalli si politikë të madhe ekonomike dhënien me qira të monumenteve të kulturës duke histerizuar biznesmenët vendas, por duke sensibilizuar (shkaktuar) edhe një kritikë të hapur në mediat ndaj saj. U dha një alarm, sepse ajo po miratonte dhënien me qira të monumenteve tek privati, në një kohë tejet të shthurur të disiplinës ekonomike dhe mungesën e theksuar të zbatimit të ligjit në përgjithësi në Shqipëri, gjë e cila do të sillte përdorimin e monumentit të kulturës nga qiramarrësi si pronën e tij private.
Abuzimet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë
Në Shqipëri mbretëronte në masë epidemia e ndërtimeve pa leje, si mund t’i besohet një monument një privati në tilla kushte. Në rastin konkret ai do ta përdorte Kalanë e Lezhës thjesht për interesat e tij financiare, duke bërë ndërtime të reja duke dëmtuar substancën arkeologjike të saj, me një fjalë duke dhunuar dokumentin. Projekti me ndërtimet e reja nuk vonoi. Ishte e pabesueshme ideja për të realizuar ndërtime të reja në Kalanë Lezhës dhe sidomos brenda Akropolit të saj, diçka tipike për të matur shkallën e injorancës shoqërore.
Jo vetëm se nuk gjendet asnjë hapësirë ligjore për një ndërmarrje të tillë, por në ditët tona ajo është një shëmbëlltyre kundër etikës dhe detyrimit qytetar evropian në respektimin e dokumentit historik. Por Ministria e Kulturës i përveshi mëngët edhe më lart. Në dyert e Kalasë së Lezhës mbërriti kasapi i tretë – fëmija e saj, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA-ja). Për të hapur rrugën e ndërtimeve të reja brenda hapësirës së Akropolit, në shkurt të vitit të kaluar KKA-ja merr një vendim skandaloz dhe tërësisht antiligjor, për të kryer gërmime të shpëtimit arkeologjik në nëntokën e Akropolit të kalasë së Lezhës (Kalaja e Lezhës, Kompania: Do ndërtojmë kompleks turistik, Gazeta Shqiptare 01.03.2014).
Por a e di KKA-ja çfarë është gërmimi arkeologjik i shpëtimit në krahasim me gërmimin arkeologjik klasik? Si mund ta kategorizosh hapësirën e Akropolit të Kalasë së Lezhës me nëntokë 100% të mbushur me substancë arkeologjikë, si hapësirë për të aplikuar arkeologjinë e shpëtimit. Kjo do të thotë se KKA-ja me ministrin në krye mori guximin dhe falsifikoi kategorinë e pasurisë arkeologjike të Akropolit, me qëllim që në majë të Kalasë së Lezhës të legjitimohen ndërtimet e reja. Ende më antiligjor dhe qesharak ishte cilësimi që Ministri i Kulturës i bëri vendimit të mësipërm, duke i legalizuar këto gërmime shpëtimi për nevojat e ashtuquajturës “Rijetëzim të Kalasë Mesjetare të Lezhës”.
Çfarë kupton ky këshill kombëtar i mbushur me profesorë dhe drejtorë të rangut kombëtar me rijetëzim të nëntokës arkeologjike në Akropolin e kalasë së Lezhës? Pra del sheshit, se e gjithë ky falsifikim i statusit të nëntokës arkeologjike është bërë nga orkestra e KKA-së me dirigjent ministrin Bumçi, për t’i dhënë të drejtë qiramarrësit të bëjë ndërtime të reja brenda monumentit. Kalaja e Lezhës nuk është hapësirë për gërmime arkeologjike të shpëtimit, nuk është hapësirë për asnjë lloj ndërtimi të ri, nuk ka askush të drejtë ligjore të bëjë “rivitalizime” apo “rijetëzime” (ndërtime të reja) brenda hapësirës së saj, përveçse ndërhyrje profesionale për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një vendim të veprës penale të shkatërrimit të monumentit, e cila duhet kallëzuar dhe gjykuar në përputhje me ligjin, edhe për pasojat që solli.
Si u hapën dyert e pazarit të “dhënies me qira”
Për ta çarë më tej rrugën për ndërtimet e reja brenda hapësirës së Akropolit në Kalanë e Lezhës u shfaqën në vijim edhe dy kasapë të tjerë me hanxhar në dorë). I pari prej tyre, Ministri i ri i Kulturës Zhiti konfirmoi të drejtën për dhënien me qira të monumenteve (Udhëzim nr. 1, dt. 03.05.2013, po aty), duke hapur dyert e pazarit të “dhënies me qira”. Nuk vonoi kështu edhe Qiraxhiu – sipërmarrësi (investitori) që do të vinte në jetë projektin ndërtimor në Kalanë e Lezhës. Sipas burimeve mediatike, Qiraxhiu mësohet se u zgjodh shoqëria sipërmarrëse “Schnell shpk” nga Lezha, e cila e mori Kalanë e Lezhës me qira për 20 vjet, prej datës 10.05.2013, pra një javë më vonë nga udhëzimi i zotit Zhiti.
Gjithashtu, shoqëria në fjalë ka “lajmëruar në sajtin e saj online, se në kala do të ndërtojë një kompleks turistik(?!)...duke postuar edhe imazhe dixhitale të projektit të saj me ndërtime të reja mbi akropolin e kalasë” (po aty). Tashmë jemi në aktin e fundit. Portat e Akropolit të Kalasë po sulmohen nga ushtria e ndërtuesve të Qiramarrësit (investitorit), i cili ka filluar seriozisht mësymjen për të realizuar ndërtimet e premtuara. Ndërsa ushtria e ndërtuesve të Qiramarrësit po luftonte për hapjen e portave të hyrjes së Akropolit, arkeologët përdorën Kalin e Trojës dhe hynë brenda përpara tij.
Gjatë vitit 2013 janë kryer gërmime arkeologjike në Akropolin e Kalasë së Lezhës nga Shkolla Franceze e Romës (École Française de Rome) nën drejtimin e arkeologes shqiptare Etleva Nallbani (Gaz. Shqiptare, Qiramarrësi i Kalasë së Lezhës, kallëzim arkeologes që e gërmoi, 1 Mars 2014). Por nuk po marrim vesh, se cili është statusi i këtyre gërmimeve. Për cilën arsye janë kryer ato? Kush i ka financuar këto gërmime? Janë bërë ato me leje ligjore? Një përpjekje për të na sqaruar ka bërë Prokuroria e Lezhës me arsyetimin e saj, se “Shkolla Franceze e Romës ka kryer gërmime arkeologjike në Kalanë mesjetare të Lezhës duke shfrytëzuar (përdorur) si leje, një marrëveshje që ajo ka pasur me Institutin Arkeologjik të Tiranës” (po aty).
Ndjehesh i mjerë kur dëgjon nga organet e larta të drejtësisë së këtij shteti përgjigje të tilla të pasakta, të papërgjegjshme. Instituti Arkeologjik i Tiranës apo QSA-ja, nuk kanë asnjë të drejtë ligjore të lëshojnë leje gërmimi arkeologjik, për çfarëdolloj statusi, as për gërmime shpëtimi, as për gërmime klasike për qëllime thjeshtë kërkimore shkencore. Këtë të drejtë e ka vetëm KKA-ja pranë Ministrisë së Kulturës. Nuk ka dijeni Prokuroria e Lezhës mbi përkatësinë e këtyre të drejtave? Padashur, Prokuroria e Lezhës tregon mungesë dëshire për t’ua hequr hanxharët nga duart dëmtuesve të monumenteve!
Mbetet të supozohet, se leja është lëshuar nga KKA-ja me statusin e gërmimit arkeologjik të shpëtimit. Por kujt shoqërie arkeologjike i është lëshuar kjo leje gërmimi. Ka Shkolla Franceze e Romës apo drejtuesja Nallbani shoqëri të licencuar për gërmime arkeologjike në Shqipëri? Me sa jam në dijeni, të dyja ato nuk kanë një të tillë. Atëherë mund të na informojë apo sqarojë dikush tjetër më saktë përveç Prokurorisë së Lezhës, se me çfarë lloj leje ligjore janë pajisur arkeologët e Akropolit të Lezhës për gërmimet arkeologjike që kryen gjatë vitit 2013? Apo gërmimet janë kryer thjeshtë pa leje dhe s’ka nevojë për sqarime?
Çfarë është bashkëpunimi me shkollën franceze
Përkarshi një kasaphane të tillë shkeljesh ligjore dhe vendimesh dubioze të institucioneve të larta të shtetit tonë kundër pasurisë arkeologjike dhe trashëgimisë kulturore kombëtare, të cilat përbëjnë vepra penale brenda llojit, ka edhe individë që i shtyjnë ligjet mënjanë dhe bëjnë hartime kur gjykojnë punën e tjetrit. Askush nuk shtron pyetjen, pse gërmimet arkeologjike në Akropolin e Lezhës u kryen me ngut dhe pa leje ligjore. Cila ishte domosdoshmëria për kryerjen e tyre? Gjithashtu, kush do t’i konservojë dhe financojë përjetësisht (afatgjatë) tashmë mbetjet in situ që dolën nga zbulimi në Akropol.
Kujt do t’i kalojë përgjegjësia për rrënimin dhe zhdukjen e tyre në kohë? Të vjen keq kur dëgjon opinionin e ndonjë gazetareje, se ky gërmim pa leje, jo vetëm nuk përbën vepër penale, por duhet lavdëruar, sepse arkeologjia shqiptare në bashkëpunim me shkollën franceze “vetëm sa i ka nxjerrë thesaret nga nëntoka për t’i shtuar vlera kalasë së Lezhës dhe qytetërimit shqiptar” (!). Sipas saj, gërmimet e Shkollës Franceze të Romës, jo vetëm që u kanë ardhur në ndihmë arkeologjisë dhe trashëgimisë sonë... por ato janë në mbrojtje dhe në të mirë të trashëgimisë tonë” (!) (po aty).
Të tilla mediokritete dëgjon mjerisht edhe nga individë të një farë Forumi të Trashëgimisë Kulturore, të cilin e drejtojnë dhe i japin tonin një tufë mëkatarësh dhe dëmtuesish të veprave të trashëgimisë në 15 vjetët e fundit. Dëgjova këto ditë njërin prej tyre të thoshte se “ish-Ministria e Kulturës... ka krijuar konflikte me Shkollën Franceze të Romës, një institucion shumë i rëndësishëm i kulturës evropiane” (Gazeta Shqiptare, 2 Mars 2014). I intervistuari ka harruar të thotë, se Shkolla Franceze e Romës nuk bën gërmime pa leje dhe pa status të rregullt as në vendin e vet dhe as në Romë. Por pse bën ajo atëherë këtu në Shqipëri? Madje ai nuk dallon dot, se ish-Ministria e Kulturës nuk e ka konfliktuar kurrë këtë Shkollë, përkundrazi, ajo e ka ndihmuar së tepërmi si askënd tjetër për të realizuar gërmime në mjedise arkeologjike të klasit ndërkombëtar në Shqipëri.
Madje Ministria e Kulturës e ka lejuar atë përtej rregullave, përderisa mbetjet in situ të dala nga gërmimi dëshmi të kulturës historike elitare të kombit shqiptar, që deri dje ndodheshin të ruajtura në nëntokën e Akropolit të Lezhës, do të mbeten tashmë në mëshirë të fatit dhe do të zhduken në kohë. Rezultati tregon, se kjo Shkolla Franceze e Romës nuk e paska aq shumë hallin për t’i ardhur në ndihmë arkeologjisë sonë, dhe aq më pak, të mbrojë trashëgiminë tonë. Po qe se do të kishte këtë qëllim, ky “institucion shumë i rëndësishëm i kulturës evropiane” nuk do të kishte marrë përsipër të kryente kësi lloj gërmimesh, për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja në Akropolin e Kalasë së Lezhës.
Shkolla Franceze e Romës i njeh shumë më mirë se sa KKA-ja dhe KKR-ja dhe shumë-shumë më mirë se sa Forumi i Trashëgimisë së Mëkatarëve të Shqipërisë, udhëzimet dhe rregulloren e Konventës Evropiane të Valletta-s dhe Kartën e Venezia-s, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar edhe në hapësirën e Shqipërisë, sepse ato janë ratifikuar nga vendi ynë. Por kur një institucion i nderuar evropian, i cili e njeh këtë detyrim dhe nuk e zbaton, tregon se ka qëllime të tjera, të cilat nuk e ndihmojnë as arkeologjinë dhe as trashëgiminë shqiptare. Në këto kohëra paditurie të madhe profesionale dhe ligjore, mëkatarët e rritur me barkun bosh u vringëllojnë hanxharucët vendasve dhe bëjnë krushqi me “shkollat” e huaja, qoftë edhe kundër mbrojtjes së monumenteve në Shtëpinë e tyre...
Ai që ka kryer gërmim arkeologjik në territorin e Republikës sonë pa lejen e KKA-së duhet të penalizohet nga Ministri i Kulturës dhe duhet të ndiqet nga Prokuroria e Shtetit për kryerjen të veprës penale në dëmtimin e veprës së trashëgimisë. Shkollat, institucionet dhe firmat e huaja nuk bëjnë përjashtim nga asnjë nen i kodit penal të kësaj Republike, ashtu siç edhe neve shqiptarëve nuk na bëjnë përjashtime vendet e huaja prej ligjeve të tyre.
Në këtë kalvar të kasapëve me hanxhar në dorë dhe mëngë të përveshura, ka vetëm një shpresë të vogël që vjen nga deklarata e Ministres së Kulturës në detyrë, zonjës Kumbaro të datës 27.02.2014 në faqet e kësaj gazete për hedhjen poshtë të projektit për dhënien me qira të Kalasë së Lezhës dhe përdorimin e saj nga bizneset private. Do të ndalen së fundi kasapët me hanxhar në dorë kundër veprave të trashëgimisë kulturore? Në se shteti ynë do të gjejë mundësi financiare në këtë situatë të vështirë për Kalanë e Lezhës me barkun e hapur arkeologjik, do të ishte më se e domosdoshme të zbatohej një projekt për konservimin arkeologjik dhe mirëmbajtjen e substancës arkeologjike të dalë nga zbulimi.
Së paku të zvogëloheshin dëmet e realitetit që kemi përpara dhe të mësonim nga gabimet. Kalaja e Lezhës nuk duhet t’u lihet në dorë segmenteve që punojnë në këtë vend për sterilizimin e saj historik, atyre që kërkojnë parcelimin e saj tokësor për interesa private. Monumentet dhe pasuria arkeologjike e Shqipërisë duhet të jenë në duart e forta të shtetit tonë, nën kontrollin profesional ligjor të qeverisë dhe në duart e ekspertëve shqiptare për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e tyre. Larg duart e diletantëve dhe të kasapëve nga Kalaja e Lezhës!
*Autori i shkrimit është anëtar i kolegjit të Këshillimit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Shënim: Redaksia e “Shqiptarja.com” është e hapur të publikojë reagime të personave të përmendur.
Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/frash-ri-kasap--me-hanxhar--n--dor--mbi-kalan--e-lezh-s-203947.html
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/frash-ri-kasap--me-hanxhar--n--dor--mbi-kalan--e-lezh-s-203947.html#sthash.pACO5HlQ.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento