01 marzo 2014

Kalaja e Lezhës, Kompania: Do ndërtojmë kompleks turistik


Kalaja e Lezhës, Kompania: Do ndërtojmë kompleks turistik
01 Mars 2014 - 07:45
TIRANE-Atë që vandalët e ndërtuan me aq mund, akademikët e shkatërrojnë me copa letrash. Viktor Hygoi tek "Katedralja e Parisit", protestonte pak a shumë me këto fjalë për dëmet e bëra trashëgimisë kulturore në kryeqytetin francez. Në fakt, kjo të kujtohet krejt natyrshëm, kur sjell në mendje, debatet e 4 viteve të fundit për Kalanë e Lezhës.

Ishte viti 2010, kur "Gazeta Shqiptare" shkroi e para për projektin e rijetëzimit të saj, përkthyer në shqip dhënien e saj me qira dhe ndërtimin aty të një sërë objektesh. Qeveria dhe drejtuesit e trashëgimisë së kohës, e mbrojtën me "thonj" projektin, paçka "protestës" së mediave dhe dashamirësve të trashëgimisë. Megjithatë, pak kohë më vonë, arkitektit që e projektoi, Reshat Gegës, u detyruan t'i hiqnin licencën e restaurimit për shkak të problemeve në Kishën e Mesopotamit. Sot, katër vite më vonë, kompania "Schnell shpk" në sajtin e saj online, lajmëron se në kala do të ndërtojë një kompleks turistik(?!). Pra, ndërkohë që shteti pretendonte për rijetëzim, privati flet për kompleks turistik. Në kushtet kur kontrata a marrëveshja mes palëve nuk është bërë publike, lihet vend për spekulime mbi atë se çfarë pritet të bëhet në këtë monumente. Ndërkohë, në faqen e saj në 'Facebook', "Schnell shpk" ka postuar imazhe dixhitale të projektit të saj për kalanë. Një rezidencë e princit mesjetar, ndërtime, mure pafund, rrugica me pllaka betoni, duket se do të zënë vendin që aktualisht ka bari në territorin e kalasë. Nga fotot e projektit të marrë në faqen në "Facebook" të Kompanisë, mund të krijohet një ide e përgjithshme se si do të mund të shndërrohet ky territor, në rast se qeveria aktuale e lejon vijimin e projektit që një palë e shohin si rijetëzim, e një tjetër palë si zonë ku do të ndërtohet një kompleks turistik. Nuk po shkojmë më tej për të pyetur, nëse kjo kompani ka eksperiencën e duhur për t’u marrë me monumentet!

Ndërsa gjatë vitit të kaluar janë botuar lajme që kalaja është dhënë me qira për 20 vite, Ministria aktuale e Kulturës, e kontaktuar nga "GSH", tha se projekti i saj po rishqyrtohet, pa dhënë detaje nëse është dhënë ose jo me qira, gjë që në fakt, nuk pranohet hapur nga ky institucion, ashtu sikundër drejtuesit paraardhës, nuk e kanë pranuar atë. Në janar të këtij viti, në një intervistë dhënë gazetës sonë, drejtoresha aktuale e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pyetjes, a ka rifilluar rijetëzimi i kalasë, i është përgjigjur: Nuk kam informacion. Burime pranë Forumit të Trashëgimisë bëjnë me dije se ky i fundit i ka kërkuar ministres Mirela Kumbaro të deklarojë publikisht, anullimin e koncesionit.

Vendimi i Bumçit
Hapi i dytë në favor të dhënies me qira, është vendimi nr.243, dt. 08.02.2013, i Ministrisë së Kulturës që drejtohej nga Aldo Bumçi. Në të, miratohet raporti përfundimtar i sondazheve arkeologjikë, të përgatitur nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik në kuadër të projektit "Rijetëzimi i Kalasë Mesjetare të Lezhës". Sipas këtij dokumenti, në bazë të rezultateve të sondazheve arkeologjikë, përpara çdo ndërhyrje me karakter restaurimi, konservimi apo rijetëzimi, duhet të realizohet gërmim arkeologjik shpëtimi.

Vendimi i Zhitit Në datën 3 maj 2013, në Fletoren Zyrtare është hedhur një udhëzim i ministrit të Kulturës në atë kohë, Visar Zhiti. Në "UDHËZIM, Nr. 1, datë 3.5.2013, PËR DHËNIEN ME QIRA TË MONUMENTEVE TË KULTURËS", përcaktohen, detaje e kritere për dhënien me qira të monumenteve, pagesat që duhet të bëjnë kompanitë, kushtet që duhet të plotësojnë dhe faktin që sa më shumë të punësuar të ketë, do të ulet qiraja, etj.
Afati i lidhjes së kontratës së qirasë për rijetëzimin e monumentit përcaktohet rast pas rasti nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit; për sipërfaqe mbi 200-500 m2 është deri në 10 vjet, ndërsa për sipërfaqe mbi 500 m2 është deri në 20 vjet.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Territorit, qeveria Rama, ka marrë si vendim pezullimin e dhënies së lejeve të reja ndërtimore, nga të gjitha autoritetet e qeverisjes vendore në të gjitha zonat me rëndësi kombë-tare. Por çfarë do të ndodhë me Lezhën?

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/kalaja-e-lezhes-kompania-do-ndertojme-kompleks-turistik-175172.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate