18 marzo 2014

Reshat Gega: Ministria nën presion, anuloi projektin e kalasë së Lezhës


Reshat Gega: Ministria nën presion, anuloi projektin e kalasë së Lezhës18 Mars 2014 - 07:39
NGA: RESHAT GEGA*
TIRANE-Më në fund, pas një beteje absurde mbushur plot saje sa, gënjeshtra dhe shpifje, plot zili e mllefe ndaj asaj që nuk kanë pasur asnjëherë këllqe për ta ideuar dhe realizuar, grupi i meraklinjve në të bërit protagonizëm dhe poza shpëtimtarësh, ia arritën që të detyrojnë kreun e Ministrisë së Kulturës të merrte një vendim në lidhje me çështjen "Kalaja e Lezhës". Pa dyshim që, rasti në fjalë është i pari që sjell në opinion një tollovitje kaq të gjatë e të madhe në lidhje me ndjeshmëritë për vlerat e trashëgimisë sonë. Është i pari projekt me destinacion restaurim, konservim, muzeifikim, plotësime dhe rijetëzim funksional ambientesh në një monument historik, me vlera të një rëndësie të veçantë për trashëgiminë tonë, ndaj të cilit u kurdis e angazhua një kastë pseudodashamirësish të vlerave kulturore, por që, për fatin e keq, njëherazi edhe mjeshtra të përpunimit të një opinioni të gjerë me argumente tërësisht false.

Cili është projekti? Cili është programi dhe objektivi që ai ka, niveli dhe lloji i ndërhyrjeve, si dhe mënyra se si respekton në tërësinë e vet të gjitha vlerat arkitekturore e arkeologjike që mishërohen në tërë hapësirën e quajtur Kalaja e Lezhës? E tëra kjo është përshkruar që në fillimet e reaksionit kundër tij. Kemi dhënë në mënyrë të përmbledhur konceptin dhe parimet kryesore, si dhe kemi vënë në dukje deformimet dhe keqinterpretimet e bëra në media. Pjesa tjetër e detyrimit për të mbajtur të sqaruar opinionin, duke e pastruar atë nga injektimi në vazhdimësi me gënjeshtrat e grupit kundër, mendoj se ka qenë përherë detyrë që i takonte linjës zyrtare e shtetërore, e cila ka pasur tërë kohën në sirtarin e vet, origjinalin e Projektit për Rijetëzimin e Kalasë së Lezhës, të shqyrtuar dhe aprovuar me një procedurë plotësisht në respekt të legjislacionit përkatës.

I tërë opinioni u bombardua me argumente të sajuara, duke i kthyer ato deri në banalitete, vetëm e vetëm që ta pështirosnin dhe denigronin qëllimin dhe programin rivlerësues e konservues të projektit për rijetëzimin e kalasë së Lezhës. U thanë e u treguan barcaleta të tipit të mejhaneve, qofte e bërxolla, pishina e fusha tenisi, ndërtime të reja monstruoze, tip stallash bagëtie, e çfarë nuk u dërdëllit nën ekstazën e histerisë së grupit mix, protagonistët kryesorë të të cilit janë deri në grykë me gjynahe në kurriz të trashëgimisë kulturore të këtij vendi. Janë të njëjtët "monumentedashës" të cilët i dhanë dërrmën pasurisë më të madhe arkeologjike në rang mesdhetar, Durrësit, duke i hapur rrugën vandalizmit ndërtimor, me leje dhe projekte pallatesh, me themele nën e mbi muret antike e mesjetare, duke ndërtuar mbi mozaikët antikë, dhe duke shpëlarë e shfarosur përmbajtjen arkeologjike me një makabritet të paparë në historinë e arkeologjisë botërore. Këta baronë të shkatërrimeve dhe dëmeve ndaj vlerave monumentale, që shiten lart e poshtë si mençuria dhe dashuria më e madhe ndaj vlerave kulturore, janë kapur jo njëherë me presh në duar, duke qenë ideatorë dhe autorë të përdhosjes, shkatërrimit dhe injorimit të vlerave, nga më brilantet për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Çudia më e madhe mbetet mosndëshkueshmëria e tyre, edhe pse bëmat e zhbërjeve dhe sakatosjeve ndaj monumenteve, mozaikëve paleokristianë, mureve rrethuese të periudhës bizantine në Durrës, rrënojave dhe varreve, janë të kompletuara me fakte dhe dokumente ku autorësia është e përcaktuar qartë. Nga vjen kjo apati dhe verbëri e linjave zyrtare për t'i dhënë atë që meriton kësaj hordhie aventurierësh në fushën e trashëgimisë kulturore?
Nuk jam në gjendje ta shpjegoj, por një gjë është e sigurt, që kjo sëmundje, për shkak të neglizhencës shtetërore ka avancuar deri në atë pikë sa dhe vetë shtetin tenton ta komandojë.

Më në fund, për shkak të presionit të gjatë, kreu i Ministrisë së Kulturës, në datën 10 mars 2014, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimit e shqyrtoi procedurën dhe projektin e Rijetëzimit të Kalasë së Lezhës. Në mënyrë të sforcuar u dha edhe një vendim, i cili, procedurën e dhënies me qira e cilësonte të parregullt nga ana ligjore dhe projektin e konsideronte si të pambështetur në Kartën e Restaurimit, pasi hapësira që përfshihet nga Kalaja e Lezhës ka një potencial të madh arkeologjik. Pra, na takon të themi shprehjen e bukur popullore: "U mbars mali e polli një mi". Ku vajtën pishina e tenisi, qoftet e bërxollat, motelet e ndërtimet e reja? Çfarë ndodhi me to, pasi dihet që e tërë fushata kundër këtij projekti ishte e artikuluar dhe e mbështetur me këto argumente? Si shpjegohet që nuk e hodhën poshtë me një "argument" tepër bindës duke e konsideruar si një projekt që është bërë nga Reshat Gega në kohën kur ai gjoja nuk na paskësh pasur licencën përkatëse? KKR-ja do e kishte shumë më të lehtë? Por çfarë rezultoi nga mbledhja dhe vendimi i KKR-së së datës 10 mars 2014, ku u bë shqyrtimi i një projekti, me aq shumë zullume, probleme e bujë, pa prezencën e autorit? Për mua s'qe gjë tjetër veçse një tullumbace.

Argumenti se projekti nuk ka respektuar Kartën shqiptare të Restaurimit është tërësisht i pabazuar dhe i stisur nga profesorë arkeologjie, pranë kreut të ministrisë, që s'kanë lidhje me procesin e restaurimit e të trajtimit të monumenteve arkitekturore. Kanë ngatërruar qëllimisht mbetjet e godinave apo rrënojat e tyre me rrënojat dhe hapësirën arkeologjike. Kanë dezinformuar duke dhënë mendimin se Karta shqiptare e Restaurimit nuk lejon aplikime ashtu sikundër propozon projekti në fjalë. Tërësisht qëndrim dhe mendim manipulator, vetëm e vetëm të pengohet projekti.

Ndërhyrjet plotësuese që propozohen në projekt lidhen me ato pjesë godinash ekzistuese të cilat ruajnë shumicën e volumeve të tyre. Asnjë centimetër katror truall jashtë kontureve aktuale nuk preket nga ndërtime të reja, për rrjedhojë, argumenti se kemi të bëjmë me një potencial të madh arkeologjik, me nëntekstin se projekti parashikoka ndërtime që e dëmtojnë atë, s'është gjë tjetër veç një flluskë sapuni.
E gjithë përmbajtja dhe strategjia e projektit për Rijetëzimin e Kalasë së Lezhës është e mbështetur në ligjin shqiptar për Trashëgiminë Kulturore, neni 29, pikat 1,2,6, neni 35, neni 39, pikat 1,2,3. Ndërkohë, mbështetet tërësisht në kriteret dhe parimet që jepen në Kartën shqiptare të Restaurimit (nenet 6 dhe 7), si edhe tek ajo që për mua është akoma më e rëndësishme, pasi mund të konsiderohet edhe si Kushtetuta e restaurimit për të gjithë botën, Karta e Venecias (artikujt 5,9 dhe 14). Një konsultë të ngushtë kemi pasur edhe me një nga Kartat më të kompletuara, në fushën e restaurimeve dhe trajtimit të Trashëgimisë Kulturore, siç është Karta e restaurimit të Italisë (Lidhja b, udhëzimi për realizimin e restaurimeve në monumentet e arkitekturës).

Qëllimisht apo dhe gabimisht, i ashtuquajturi profesor që ka pëshpëritur si sufler argumentet në kundërshtim të projektit, për shkak të këndvështrimit të kufizuar profesional të tij, i është referuar Kartës së Maltës, e cila ka në fokusin e saj sitet arkeologjike dhe rrënojat e dala nga gërmimi arkeologjik. Edhe kjo Kartë ka qenë tërësisht në respektin e projektit tonë kur është fjala për rrënojat arkeologjike, pasi në të gjitha rastet, ndaj tyre parashikohen ndërhyrje konservuese dhe asgjë tjetër. Ndërsa plotësimet volumore të mbetjeve të godinave s'kanë asnjë arsye të lidhen apo të hyjnë nën disiplinën e rekomanduar nga Karta e Maltës apo Valetës.

Është për t'u habitur se si dhe sa e kanë anashkaluar të gjithë programin e ndërhyrjeve, i cili është i mishëruar dhe përbën skeletin kryesor të Projektit të rijetëzimit të Kalasë së Lezhës. Edhe kjo është bërë me të vetmin qëllim, që të fshihet e vërteta e të ngopet opinioni me detaje e të dhëna të sajuara, prej të cilave njerëzia të bindet se ka të bëjë me një monstër-projekt dhe jo me një plan tejet cilësor në kurimin dhe promovimin e vlerave të monumentit në fjalë.

Gjithnjë, në kuadër të dëshirës për kundërshtim me domosdo të projektit, mbështetur kjo edhe në injorancën e personazheve përkatëse, kanë lëshuar idenë, duke e shpalosur atë edhe në leksione mediokre në 'aula' studentore, se gjoja nuk ka asgjëkund në botën e qytetëruar shembuj si ky që propozon Projekti ynë i Rijetëzimit të Kalasë së Lezhës. Sa tendencioze, aq edhe në mungesë kulture profesionale është ky lloj argumenti. Shembuj nga bota e qytetëruar, ku gjejmë paralele të plotë, si në strategjinë dhe parimin e ndërhyrjeve, ashtu edhe në artikulimin dhe përpunimin teknik të volumeve të godinave rrënoja-monument, ka me dhjetëra. Mjafton të kujtoj, me këtë rast disa që janë të finalizuara jo më larg se viti që shkoi, 2013-ta. Si shembuj mund të sjell: Castello dei Venosta di Bellaguarda; Castello di Zuccarello; Castello Del Carretto di Cosseria; Castello Aghinolfi në Toscana; Manica Lunga Castello di Rivoli; Castello di Calatabiano në Katania dhe Abbazia del Goleto në Altairpia, si dhe Astley Castle në Warwickshire të Anglisë, i cili ka marrë edhe çmim special për rijetëzim të një kështjelle rrënojë-monument. Sipas planit të veprimeve të radhitura në projektin tonë, pika e parë e aksionit për ndërhyrje është konservimi dhe restaurimi statik i të gjithë linjës së murit rrethues, i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë shenja degradimi të theksuar. Aq e aksidentuar dhe delikate është situata statike e tij, sa jo më larg se tri dekada, një trakt afërsisht 33 ml në anën veriore u shemb, duke marrë me vete edhe një pjesë të godinës së ish-garnizonit turk, pikërisht aty ku do të bëhet mejhania me petullat dhe bërxollat e grupit kundër. Pjesa tjetër e murit në vazhdim, duke shkuar nga perëndimi deri në faqen jugore, me gjatësi afërsisht 240 ml, i ka shenjat të qarta për të pësuar të njëjtin fat. Projekti parashikon stabilizimin e të gjithë linjës së murit rrethues dhe konservime apo dhe rivlerësime ndaj tij. Në të jepen detajet dhe parimi i ndërhyrjeve teknike. Pesha specifike e financimit për këtë operacion shkon pak a shumë 75% e të gjithë investimit të parashikuar prej afërsisht 1 milion eurosh.

Qëllimisht është anashkaluar në mënyrë sistematike fakti se një nga pjesët më të rëndësishme, por që përbën edhe një risi në raport me rastet e tjera të rijetëzimit të monumenteve, siç është planifikimi dhe ideja për të realizuar një muze në ambientet që do të kompletohen në godinën e ish-xhamisë. Ky, do të jetë i destinuar për të ekspozuar material, i cili shpalos kulturën ilire e arbërore, jo vetëm të qendrës ku ai është instaluar. Gjatë fushatës së linçimit të projektit, mos vallë nuk e kanë përmendur këtë detaj të vockël për shkak se nuk e kanë parë, nuk e kanë kuptuar apo nuk iu ka leverdisur? Çudia është se si iu ka shpëtuar pa e cilësuar si një sallë bixhozi apo kompleks saunash? Do të qe më e kompletuar dhe me më shumë fantazi dhe ngjyra gënjeshtra gjatë asaj dërdëllitjeje histerike që lëshonte grupi kundër. Me këtë rast, në parantezë dëshiroj të veçoj të gjithë ata, veçanërisht të rinjtë, që kanë qenë e janë të manipuluar për shkak të informacionit të deformuar qëllimisht nga baronët e dëmtimeve ne tra-shëgiminë kulturore shqiptare.

Projekti ynë ka marrë në konsideratë të gjitha aspektet të cilat lidhen me realizimin e një vizite sa më cilësore, duke përmbushur dhe plotësuar tërësisht parametrat për një turizëm kulturor bashkëkohor. Janë dhënë idetë për sistemimin e elementëve infrastrukturorë të domosdoshëm, si parkimi në distancë, shërbimet e fluksit të vizitorëve, rrugë-kalimet jashtë e brenda kalasë, trajtimi i vegjetacionit në përputhje me rivlerësimin estetik maksimal të monumentit, ndriçimi estetik e funksional, sistemi i vëzhgimit dhe ruajtjes me pajisjet dhe skemat elektronike nga më modernet etj., etj. Ky projekt nuk ka të krahasuar me pararendësit e tij, jo vetëm në pikëpamje cilësore, e lidhur kjo me kriteret dhe parimet e ndërhyrjeve rivlerësuese e promovuese të monumentit, por edhe nga ana sasiore e shpalosjes dhe përfshirjes së të gjithë problematikës, duke e materializuar në më shumë se 250 fletë, relacion shpjegues, skema, detaje, plane, dhe i gjithë arsenali i elementëve vizatimorë për secilin nga aspektet.

Se sa e sforcuar ishte vendimmarrja nga ana e Ministrisë për të nxjerrë konkluzionin për projektin e Rijetëzimit të Kalasë së Lezhës duket qartë edhe në një detaj i cili ka të bëjë me mënyrën se si u procedua për mbledhjen e KKR-së në datën 10 mars 2014. U diskutua për një projekt pa pasur prezent autorin e tij. U gjykua e u ndëshkua një vepër apo produkt profesional, pa qenë përpara trupit gjykues autori i veprës! Çfarë mund të thuash më shumë?! A ka ndonjë person me mendje të shëndoshë i cili mundet të thotë se kjo mbledhje ka bërë një shqyrtim objektiv sa kohë e kishte paracaktuar mungesën e atij që mund të thoshte dy fjalë para pretencës, e autorit të veprës së deklaruar me të meta ideore, mikroborgjeze etj., etj? As në kohët e shkuara nuk gjendet një shembull i tillë. Organizatat e masave, kur vendosnin ta zhdëpnin një autor projekti, të një libri apo vepre artistike, pasi kishin përgatitur mirë e mirë opinionin me frymëzime revolucionare, respektonin një rregull formal, i cili në realitet ka qenë historik deri edhe në kohën e inkuizicionit: thërrisnin aty para trupës gjykuese mëkatarin autor dhe e linin të belbëzonte edhe ai nja dy fjalë, paçka se e dinte ç'e priste. Pse ndodhi kështu? Kush e ka ideuar këtë mungesë të theksuar demo-kracie minimale në komunikimin e palëve, në eliminimin brutal të mundësisë për të shpjeguar dhe mbrojtur një pro-dukt profesional? A ia arritën qëllimit me mënyrën se si proceduan? A e shpëtuan Kalanë e Lezhës nga rrënimi? Rreziku i rrënimit është afruar akoma më pranë. Shenjat i ka dhënë me kohë, por askush nga ata që mbahen për meraklinj nuk do e çajë shumë kokën, ashtu sikurse nuk ishin ndjerë para daljes në skenë të projektit, kur nga ana veriore u rrëzuan llokma të murit rrethues. Kjo është e sigurt, pasi në jetën e tyre njihen vetëm prirjet për të përfituar në kurriz të vlerave kulturore dhe monumenteve, duke mos u ndalur edhe para shkatërrimit të tyre.

Një mendje normale e objektive që ka parasysh përmbajtjen e vërtetë të projektit tonë dhe që ndërkohë njeh mirë problemet me të cilat përballet ky monument, do të matej mirë pa të merrte vendim për të përjashtuar atë mundësi që jep investimi parashikuar në projekt, për stabilizimin dhe eliminimin e problemeve urgjente që ka kalaja e Lezhës.
*Arkitekt-Restaurator

SHENIM:
Titujt janë të redaksisë, titulli në origjinal: “Kalaja e Lezhës, rijetëzimi i saj dhe tullumbacja kundër projektit”

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/reshat-gega-ministria-nen-presion-anuloi-projektin-e-kalase-se-lezhes-177964.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate