28 marzo 2014

Magjia e ngjyrave në Kepin e Rodonit, Histori-Gojedhena-Ndertuesit dhe Mrekullite e Natyres qe duhet te vizitoni kete 2014-te

Kepi Rodonit 5Kepi i rodonit
 TIRANË, 27 Mars/ATSH-  N.Lena-
Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit.Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.
Gojëdhëna
Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo.
Sipas këtij të fundit Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir.Ai ka qenë i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent.Kalaja e Rodonit
Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejtë që kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redon. Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit Ilir të deteve.
 Historia
Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452 Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit.
Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.
Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim në 22 Janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 Shkurtit1462 ku Raguza në rast lufte do ti vinte në shërbim Skënderbeut limanët dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.
Kepi Rodonit 3Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Ajo u la pas dore dhe sot ka mbetur një relike e kohës së shkuar ku shuajnë kureshtjen e tyre historike turistë të shumtë.Vërtet pozicioni i saj ndodhet në një vend piktoresk e rrethuar me det dhe qiell.Në qoftëse dikur atë e shqetësonin gjylet e topave detar,sot ngacmohet nga blicet e aparateve dhe kamerave fotografike.
Ndërtuesit
Mbas kryengritjes Çlirimtare të vitit 1443, Skënderbeu ringriti Principatën e Kastriotëve dhe krijoi lidhjen e Lezhës në 2 Mars 1444. Për tu mbrojtur nga sulmet turke Gjergj Kastrioti nisi ndërtimet mbrojtëse duke riparuar kështjellat ekzistuese, dhe duke vendosur në to reparte të zgjedhura. Gjithashtu ai krijoi edhe një sistem mbrojtës në pjesën lindore të vendit. Më vonë Skënderbeu ndërtoi edhe disa Kështjella sipas interesave strategjike: si ato të Rodonit dhe Modricës, ndërsa kreu ndërtime fortifikuese në Krujë, Petrelë, Gurin e bardhë, Stelush, Balec.
Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qënë në varësinë e Venedikut, që kishte nën kontroll bregdetin. Por Skënderbeut i duhej edhe një pikë portuale për të zhvilluar aktivitet tregtar me perëndimin, pasi lufta shqiptaro-turke “gëlltiste” të ardhura të shumta, për të cilat ai kishte shumë nevojë. Dokumentat Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej në shumës “Dyert e Redonit”.SONY DSC
Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjëndje rrënoje.Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta.
Njëri prej këtyre manastireve përmendet në një document të vitit 1488.Në të thuhet që, Papa Inoçenti VIII-të u lejon Minareve Observante të Dalmacisë të marrin rishtaz nën kujdesin e tyre manastirin e Rodonit pranë Currilave.
Mrekullitë e natyrës
Turistët e huaj shprehen se “Kepi dhe plazhi i Rodonit janë një mrekulli e natyrës shqiptare”. Atje bregdeti përbëhet nga shkëmbej, të cilët krijojnë gjire me rërë të cilat janë në vetvete miniplazhe të një cilësie të lartë, për shkak të pastërtisë së tyre dhe ujit kristal të detit. Deti me përbërje shkëmbore dhe me një florë e faunë nënujore të hatashme përmban pasuri për amatorët e zhytjeve. Ata që e kanë provuar këtë plazh dhe kanë parë bukuritë e Kepit të Rodonit, janë të paktë dhe të rrallë, por ngritja e një infrastrukture bashkëkohore do të krijojë shfrytëzimin masiv të këtij bregdeti.Kepi i Rodonit është futur në guidat turistike të Shqipërisë dhe axhendat e turistëve të huaj nga shumë vende të botës, janë të përherëshme dhe shtohen nga viti në vit.
Kepi Rodonit 4Vendet e bukura për një biznes të mirëfillt turistik,nuk mungojnë në vendin tonë.Ajo që s’po kuptohet akoma është menaxhimi i këtyre pikave të papërsëritshme si burim fitimi dhe prezantimi në botën shqipëtare dhe jashtë saj.



Natyra e ka bërë punën e saj me mrekullitë që ka dhuruar në këtë vend, na ngelet ne që t’i vlerësojmë e t’i mirëmbajmë këto perla që të mos e humbin bukurinë.Kepi Rodonit  2
Mungesa e investimeve të qëndrueshme dhe lënia e tyre në duar të rastësisë pa projekte konkrete zhvillimi,i le ato në harresë dhe pa vizitor. http://www.ata.gov.al/magjia-e-ngjyrave-ne-kepin-e-rodonit-83278.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate