03 luglio 2012

Shqipëria dhe Oferta Turistike

Shqipëria dhe Oferta Turistike

Dritan Zaimi
Turizmi është sot industria me rritjen më të shpejtë dhe zhvillimin më dinamik në botë. Menaxherëve, planifikuesve dhe politikbërësve iu duhet të jenë shumë vigjilentë, mendjemprehtë, praktikë dhe efiçentë në marrjen e masave të duhura dhe zbatimin e tyre në kohë, kjo pasi tendencat e reja në një turizëm me rritje të shpejtë tentojnë të zhvlerësojnë shpejt shumë strategji, të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me hapin e zhvillimit të turizmit. Një plan veprimi i vonuar mund të dalë jashtë lojë apo të jetë jo aktual nëse vonon të prodhojë veprim dhe reagim në kohën e duhur.
Për Shqipërinë, kjo është edhe më shumë e vërtetë. Futur në tregun e turizmit pas një kohe të gjatë izolimi, ku nuk pati mundësi të eksperimentonte apo të ndërtonte një produkt të vetin turistik, është e vështirë të përcaktosh çfarë mund të ofrojë më mirë Shqipëria në mënyrë që të diferencohet, të krijojë një avantazh konkurrues dhe të tërheqë sa më shumë nga vizitorët e rajonit dhe më gjerë. Nëse do të marrim turizmin tradicional të diellit dhe rërës, Shqipëria nuk mund të konkurrojë me vendet e rajonit, të cilat ofrojnë shumë më tepër për nga pikëpamja e infrastrukturës apo cilësisë së shërbimeve dhe produkteve turistike. Ndërkohë në botë, turizmi i diellit dhe rërës po humbet terren ndaj turizmit kulturor, aventurier dhe ekoturizmit, ai po përjeton rritje jo më shumë se 2-4%, krahasuar me 15-20% rritje vjetore të turizmit kulturor.
Sot, në këtë fazë ku jemi, nuk mund të themi dot çfarë profili turistik përfaqëson destinacioni Shqipëri, në është më shumë destinacion i pushimeve në det apo në mal, i turizmit kulturor apo i ekoturizmit, apo i ndonjë lloji tjetër. Ndërkohë që çështja që unë dua të ngre është, a ka nevojë tani Shqipëria për një marketim të tillë vetëm në njërin apo në tjetrin produkt turistik, nëse nuk kemi mundur ta bëjmë deri tani dhe të nxirrnim përfitimet përkatëse?! Ndoshta, në këtë kontekst realisht duhet të luajmë rolin e dhelprës me rrushtë, as që nuk duhet ta synojmë, sepse mund të ketë shtigje të tjera për t’u takuar me konkurrentët tanë në kushte edhe më të favorshme dhe duke kompensuar në këtë mënyrë kohën e humbur. Për këtë duhet të jemi vizionarë dhe të synojmë të plotësojmë atë që do të duan më shumë turistët në 20 vitet e ardhshme dhe jo atë që kanë dashur në 20 vitet e fundit.

Kjo për faktin se ritmi i rritjes dhe prirjet e turistëve tani kanë pësuar një evoluim mjaft cilësor drejt një pakete eksperiencash sa më të pasura. Turistët sot janë bërë shumë më tepër kërkues dhe të sofistikuar në kërkesat e tyre, janë me përvojë, nuk mjaftohen më lehtë vetëm me pushime pasive në det pranë rërës dhe plazhit, por duan një paketë me një mori përvojash të larmishme, dhe një sërë aktivitetesh për të mbushur ditët e tyre të pushimeve. Një ditë në plazh, pasdite një vizitë në një park arkeologjik, në mbrëmje një koncert, të nesërmen një shkëputje për një shëtitje në një park tërheqës natyror, një vizitë në muze etj. Një varietet eksperiencash të reja dhe intriguese, si vlerë e shtuar ndaj pushimeve tradicionale në bregdet, është ajo çfarë po kërkojnë gjithnjë e më shumë turistët sot në botë. Destinacione të suksesshme turistike janë ato që ofrojnë sa më shumë, në një hark kohor dhe distancë sa më të shkurtër nga njëra-tjetra, gjë që Shqipëria i ofron më së miri. Mosprofilizimi dhe si rrjedhojë mosspecializimi në një produkt të caktuar turistik nga ana e Shqipërisë, ka avantazhin dhe disavantazhin e vet. Disavantazh për faktin se duke mos u diferencuar me një produkt apo ofertë të caktuar, shton pasiguri në radhët e turistëve që dëshirojnë të prenotojnë pushime në Shqipëri duke ushqyer frikën e mospërfitimit të kënaqësisë dhe cilësisë maksimale në asnjërën nga atraksionet e synuara, dhe si rrjedhojë mospërmbushje të pritshmërive dhe zhgënjim. Dhe avantazh për faktin se turistëve nuk u ofrohet një Shqipëri e pjesshme, por Shqipëria e plotë, me të gjithë larminë dhe potencialet e saj të shumta turistike, si një sofër bujare, ku çdo vizitor do të ulet, do të marrë dhe do të shijojë atë pjesë të ofertës që pëlqen më shumë. Në fakt, kjo është ajo çfarë duhet të jetë Shqipëria. Është mendimi im se nuk do të jemi ne shqiptarët që do të formësojmë Shqipërinë turistike, Shqipëria turistike nuk është ajo që ne do të duam të shesim si të tillë, përkundrazi, do të jenë vetë turistët, vit pas vit e ndoshta dekade, në sajë të përzgjedhjes dhe vlerësimi të tyre, ata që do t’i japin markën Shqipërisë turistike. Në një ofertë të pasur turistike, me diell e det, me male dhe lugina, me arkeologji dhe histori, me tradita dhe folklor, me natyrë dhe biodiversitet, me aktivitete dhe larmi, me moderne dhe antikitet, me zona të zhvilluara por edhe me zona të paprekura fare nga zhvillimi dhe të virgjëra, me njerëz bujarë dhe mikpritës, luksin dhe sfidën e përzgjedhjes e ka turisti. Ne duhet të jemi vëzhgues, sigurues të cilësisë së kërkuar dhe garantues të zhvillimit të qëndrueshëm.
Që të kemi sukses, duhet të investojmë ndjeshëm në rritjen totale të cilësisë në të gjitha dimensionet e ofertës sonë turistike. Kjo duhet të jetë detyra jonë, të përkrahim zhvillimin, të mos paragjykojmë se cila formë zhvillimi na përket më shumë, dhe të synojmë që çdo turist të përftojë një eksperiencë befasuese e mbresëlënëse në çdo kontakt të tij me ofertën tonë.
Që ta realizojmë, duhet të jemi vizionarë dhe të shohim larg, duke kombinuar dy trajektoret e lëvizjes; tonën, dhe atë të turistëve kudo në botë, duke synuar në këtë mënyrë që kur ne të jemi afër qëllimit tonë final, atje do të takojmë turistin që kemi synuar.
http://www.mapo.al/2012/04/07/shqiperia-dhe-oferta-turistike/ 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate