01 giugno 2012

Prezantohen dy shembuj të Strategjive dhe Planeve të Veprimit për Shërbimet e Vizitorëve në komunat Shëngjin dhe Velipojë

slide_im_takimi-te-hotel-tirana


Prezantohen dy shembuj të Strategjive dhe Planeve të Veprimit për Shërbimet e Vizitorëve në komunat Shëngjin dhe Velipojë
Përgatitja e strategjive dhe planeve  të  veprimit për shërbimin e vizitorit ka qenë tema kryesore e konferencës së organizuar sot nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyra e Bashkëpunimit  Zviceran në Shqipëri.

Në konferencë u promovuan dy shembuj të strategjive dhe planeve të veprimit për shërbimet e vizitorëve në komunat  Shëngjin dhe Velipojë. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Programit për Decentralizim dhe Zhvillimit  Lokal,  program që ka mbështetur njësitë vendore në hartimin e strategjive të turizmit dhe shërbimeve për vizitorët.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Aldo Bumçi, Znj. Isabel Perich, Drejtore e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran për Shqipërinë, përfaqësues nga Qarqet, Njësitë e qeverisjes vendore, bizneset private, organizatat jo-qeveritare, etj.

Ministri Bumçi gjatë fjalës e cilësoi këtë strategji si shumë të rëndësishme por duhet punuar me plan të qartë për planifikimin teritorial. Z.Bumçi foli gjithashtu dhe për pastrimin e plazheve dhe punën e bërë nga komunat Shëngjin dhe Velipojë. “Strategjia për Planin e Veprimit për Informimin e Vizitorit” do ti shërbejë edhe procesit të hartimit të Strategjisë së re të Turizmit për vitet 2013-2020, tha në fund të fjalës së tij Ministri Bumçi.
"Procesi i decentralizimit përfshin në një shkallë të madhe delegimin e menaxhimit të turizmit dhe shërbimeve për vizitorin në nivel vendor", tha Znj. Isabel Perich, Drejtore  e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran për Shqipërinë. Ajo përmendi se autoritetet lokale nuk duhet të presin për qeverinë qendrore për të marrë përgjegjësi dhe masa në lidhje me zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e shërbimeve në territoret e tyre. "Përvoja e vendeve të tjera, përfshirë vendin tim, Zvicrën – tregon se kur njësitë e qeverisjes vendore marrin mbi vete përgjegjësi dhe nisma, reagimi i pushtetit qëndror dhe aktorëve të tjerë është pozitiv, dhe në fund tërë cikli i shërbimeve është i plotë ", shtoi znj Perich në mbyllje.

Pjesëmarrësit u njohën me instrumente të reja për përmirësimin e shërbimeve të informacionit turistik për vizitorët si dhe procesin e metodologjinë që mund të përdoret për replikimin e këtyre praktikave nga njësi të tjera të qeverisjes vendore. Dy rastet e veçanta të Shëngjit dhe Velipojës janë promovuar si shembuj, të cilët mund të replikohen edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Këto nisma morën shkas nga rritja e numrit të vizitorëve dhe turistëve, si dhe mungesa e mjeteve informuese korresponduese në këto njësi.
Përfaqësues nga të dy komunat ndanë përvojën e tyre në zhvillimin e strategjive për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe instrumentet e informimit. Disa produkte janë shpërndarë për pjesëmarrësit, përfshirë edhe një video film, i cili përshkruan perceptimin e pjesëmarrësve në proces mbi instrumentin inovativ për informimin e vizitorëve dhe turistëve.

Programi Zviceran për “Decentralizim dhe Zhvillim Lokal – dldp” ka ndihmuar autoritetet vendore në qarqet Shkodër dhe Lezhë me mbështetje teknike dhe financiare për përmirësimin e shërbimeve publike, duke rritur komunikimin me qytetarët, si dhe përmirësimin e funksioneve të përgjithshme të bashkive dhe komunave. Dy objektivat kryesore të programit përfshijnë rritjen e kapaciteteve të njësive të qeverisjes vendore dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në nivel kombëtar.
http://www.mtkrs.gov.al/web/Prezantohen_dy_shembuj_te_Strategjive_dhe_Planeve_te
_Veprimit_per_Sherbimet_e_Vizitoreve_ne_komunat_Shengjin_dhe_Velipoje_1087_1.php 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate