04 giugno 2012

Moratoriumi i skafeve,Njerëzit e skafo-republikës insistojnë për heqjen e moratoriumit. 2 artikuj

Fokus/Njerëzit e skafo-republikës insistojnë për heqjen e moratoriumit

Vendimi i fundit i komisionit të sigurisë për moratoriumin e skafeve ka vënë në alarm të zgjedhurit vendorë të PS në bashkitë dhe komunat bregdetare, të cilat i kanë bërë dje thirrje Kuvendit të votojë për heqjen e tij, pasi sipas tyre lënia në fuqi e tij penalizon ekonominë e këtyre njësive vendore.
Duke folur edhe në emër të krerëve të bashkive të Vlorës, Sarandës, Fierit, Lushnjës, Himarës, Orikumit, Pogradecit, Divjakës, Konispolit, Kavajës, Velipojës , Shëngjinit, etj, kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi:
“Mbështesim amendimin e grupit te PS për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve si një ligj që ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë dhe bizneset në gjithë njësitë tona vendore. Lëvizjet demografike kanë bërë që bashkitë dhe komunat tona të strehojnë rreth 2/3 e popullsisë së vendit”.
Më tej ai thekson se “mohimi i shfrytëzimit të lirë të ujërave tona, jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por dhe ka cenuar krenarinë e qytetareve tanë që e kanë konsideruar detin simbol te lirisë”.
“Në emër të qytetarëve tanë u kërkojmë përfaqësuesve në Kuvend, të votojnë për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve e të bashkëpunojmë pa humbur kohë për të orientuar ekonominë bregdetare, drejt një rilindje të nevojshme”, përfundon deklarata e kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Të martën Komisioni i sigurisë rrëzoi nismën e PS-së për shfuqizimin e ligjit për moratoriumin e mjeteve motorike lundruese. Nisma për shfuqizimin e ligjit e hartuar nga deputeti i PS-së Artan Gaçi mori 10 vota kundër nga deputetët e mazhorancës në komisionin e sigurisë. Në propozimin e bërë nga Partia Socialiste kërkohej që të hiqej bllokimi i mjeteve lundruese në Shqipëri, duke e cilësuar si një masë të tepërt dhe dëmtuese ndaj bizneseve.
Sipas relacionit të projektit të opozitës, ky ligj ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë. Moratoriumi është vendosur prej gjashtë vitesh nga mazhoranca aktuale dhe ka pasur si qëllim bllokimin e trafiqeve që bëheshin me skafe drejt Italisë dhe Greqisë.
Moratoriumi i skafeve që nga momenti i miratimit dhe deri më sot është shoqëruar vazhdimisht me debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Opozita është shprehur vazhdimisht kundër, duke sjellë si argument kufizimin e të drejtës së lëvizjes së lirë të mjeteve të tjera motorike në ujë.



Moratoriumi i skafeve, PD: Rama kërkon rikthimin e vizave
Transmetuar më 03.06.2012 16:13



Tiranë, 3 qershor 2012,  Një ditë pasi të zgjedhurit vendorë të Partisë Socialiste në zonat bregdetare i bën thirrje deputetëve të miratojnë shfuqizimin e moratoriumit të skafeve, që sipas tyre po pengon seriozisht turizmin dhe ekonominë e qyteteve turistike, ka reaguar Partia Demokratike, e cila deklaron se rikthimi i skafeve rikthen regjimin e vizave dhe e largon vendin nga Europa, raporton agjencia e lajmeve

“Përsëri dje z. Edi Rama nëpërmjet zëdhënësit të tij okazional të rradhës iu rikthye temës së tij shumë të preferuar dhe tejet fitimprurëse të skafeve, skafoturizmit dhe Skaforepublikës. Sipas z.Rama ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin dhe ekonominë e qyteteve bregdetare dhe vetëm sa nuk u tha direkt se qeveria me moratoriumin e skafeve po i dëmton këto bashki socialiste me qëllim”, deklaroi në emër të PD-së, zëdhënësja Silvi Bardhi në një konferencë për shtyp.

Partia Demokratike deklaron se “skafet si flotilje e krimit të organizuar dhe trafiqeve i kanë shërbyer vetëm pasurimit të grupeve kriminale dhe mbrojtësve të tyre, pushtetarëve që i mbështesin dhe jo qytetarëve”.

“Pretendimi se ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin në qytetet e qeverisura nga socialistët është sa absurd aq edhe qesharak. E vërteta është se pas ndalimit të skafeve numri i turistëve në këto qytete Jo vetëm që nuk është ulur po është rritur me rreth 15 herë dhe në shkallë vendi ky numër është rritur me 13 herë dhe konkretisht Shqipëria priti vitin e kaluar mbi 4 milionë turistë e vizitorë kundrejt vetëm 300 mijë qe ajo priti në vitin 2004. Moratoriumi i skafeve bëri të mundur avokatin e shkëlqyer nga fqinjët tanë, madje garancinë e tyre për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën për qytetarët shqiptare. Sigurisht që për disa pushtetarë që vetë lëvizin me pasaporta diplomatike, lëvizja e lirë e qytetarëve nuk ka rëndësi madje mirë është që ajo mundësisht të anullohet sepse përbën një sukses të qeverisë së kësaj mazhorance”, theksoi PD.

Partia Demokratike hedh poshtë këtë qëndrim të Edi Ramës dhe krerëve të tjerë të Partisë Socialiste, që për interesa të pasurimit të pushtetarëve të saj me paratë e pista të trafiqeve kriminale, kërkojnë të anulojnë lëvizjen e lirë e të rikthejnë vizat për qytetarët e thjeshtë shqiptarë, si dhe të rikthejnë sërish Otranton në varrezën e zezë të të rinjve shqiptarë.

“Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe dhe skafe që i largojnë nga Europa”, përfundon deklarata e PD-së.



Letra e plotë drejtuar deputetëve të Kuvendit nga të zgjedhurit vendorë të PS:

Me përgjegjësi maksimale për të përfaqësuar denjësisht ata që na kanë votuar për t’u mbrojtur e avancuar interesat e aspiratat, Ne, të zgjedhurit vendorë përfaqësues të PS Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnje, Himarë, Orikum, Pogradec, Divjakë, Konispol, Kavajë, Velipojë, Shëngjin, Ishëm, Golem, Kryevidh, Ksamil, mbështesim amendimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për shfuqizimin e “Moratoriumit të mjeteve motorike lundruese”, si një ligj i cili ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë tona.

Lëvizjet demografike kanë bërë që bashkitë dhe komunat tona të strehojnë rreth 2/3- at e popullsisë, pa llogaritur bashkëkombësit kosovarë, që përgjatë këtyre viteve janë orientuar drejt njësive tona. Kjo lëvizje është orientuar drejt nesh për shkak të mundësive që ofron deti dhe është absurde që ne të vazhdojmë t’ua mbajmë atë të bllokuar.

Shfrytëzimi i detit për banorët tanë nuk është thjesht një mundësi më shumë, por është burimi jetik e strategjik i tyre.

Mohimi i shfrytëzimit të lire të deteve tona jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por ka cenuar edhe krenarinë e banorëve tanë të cilët ndër shekuj e kanë konsideruar detin simbol të lirisë.

Në emër të qytetarëve tanë, ne i kërkojmë përfaqësuesve në parlament të votojnë për shfuqizimin e “Moratoriumit të mjeteve motorike lundruese”e të bashkëpunojmë pa humbur kohë për të orientuar ekonomitë bregdetare drejt një rilindje aq të nevojshme për interesat e vendit.

Shpresojmë që me pavarësinë e vendimmarrjes suaj të reflektoni interesin e shumicës së Shqiptarëve që ne përfaqësojmë por edhe vetëdijen tuaj për rëndësinë strategjike të detit si motor për zhvillimin turistik e ekonomik të zonave tona e të gjithë Shqipërisë.

Bashkia Durrës -  Vangjush Dako
Bashkia Vlorë  -   Shpëtim Gjika
Bashkia Fier -      Baftiar Zeqo

Bashkia Sarandë -  Stefan Cipa

Bashkia Lushnje - Fatos Tushe

Bashkia Divjakë -  Fred Kokoneshi

Bashkia Pogradec - Artan Shkëmbi
 
Bashkia Himarë   - Gjergji Goro
Bashkia Orikum  - Gëzim Capo

Bashkia Kavajë   - Elvis Rroshi

Bashkia Konispol - Mimoza Arapi

Komuna Ishëm -  Sulejman Ibrahimi

Komuna Golem -  Agron Agalliu

Komuna Kryevidh-  Fatos Kaja

Komuna Ksamil -  Besnik Abedini

Komuna Shëngjin -  Salvador Kaçaj

Komuna Velipojë -  Pashko Ujka

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate