09 maggio 2012

Tiranë, Panairi i turizmit mbledh mbi 100 operatorë turistikë

Tiranë – Mbi 100 operatorë turistikë nga të gjitha trevat shqiptare janë mbledhur në Tiranë në panairin “Shqipëria turistike 2012″.

Zv/ministri i Turizmit, Abaz Hado, në fjalën e tij u shpreh se, sipërmarrja shqiptare ka bërë përpjekje të mëdha për zhvillimin e turizmit në vend dhe se qeveria do të vazhdojë mbështetjen e këtij sektori strategjik. “Turizmi mbarëshqiptarë do të jetë risia e këtij viti”, tha ai.
Ndërkohë që për të krijuar një atraksion më të madh ndaj turistëve, ky panair do të zhvillojë edhe bashkëbisedime për hartimin e paketave të përbashkëta turistike ndërshtetërore dhe promovimin e Ballkanit Perëndimor si njësi turistike e integruar”, tha ai.
I pranishëm në këtë ceremoni edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, theksoi se, kryeqyteti i Shqipërisë ka potenciale të mëdha turistike.
Bashkia do të organizojë evenimente të shumta për promovimin e turizmit në Tiranë, duke e konsideruar si një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të qytetit. Ky event zhvillohet në përpjekje për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të industrisë së turizmit në vend dhe për ta bërë Shqipërinë një destinacion turistik të preferuar.
Panairi u organizua në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë nga “Albexpo Group” në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA), Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) dhe me mbështetje të USAID-Rritje Albania.
Në këtë event janë ftuar ekzibitorë nga shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe Rajonit, me qëllim afrimin e mundësive për bashkëpunim ndër rajonal.
“Shqipëria Turistike 2012″ është konceptuar të jetë vendi më i përshtatshëm për të kontaktuar dhe zhvilluar lidhjet me njerëzit e duhur dhe organizatat, siç janë operatorët e turizmit me hotelet dhe resortet, institucionet qeveritare, bashkitë, portet dhe aeroportet si dhe partnerë të mundshëm biznesi, të cilët së bashku do të ndajnë përvojën, vizionet dhe projektet e tyre për të ardhmen.
Forumet e Biznesit që do të zhvillohen me këtë rast do të ofrojnë një mundësi ideale për liderët e bizneseve që të takohen, me qëllim krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta dhe të aleancave strategjike.
Ndërkohë, në një konferencë për mediat, ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, ka bërë publike shifrat e rritjes së numrit të vizitorëve gjatë viteve të fundit. Sipas tij, përqindja e rritjes së numrit të vizitorëve në dy vitet e fundit ka qenë më e lartë se ajo e Greqisë. Vetëm gjatë vitit 2011, Shqipëria është vizituar nga 4.1 milionë vetë, 40% e të cilëve në muajt korrik dhe gusht.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate