Pushimet Dimërore
Këto veprimtari janë të llojit turizëm i bardhë (zhvillohen gjatë stinës së ftohtë të vitit) dhe i llojit turizmit të gjelbër (zhvillohen gjatë stinës së ngrohtë të vitit).
Si rezultat i shtresës së konsiderueshme të dëborës dhe shpateve me pjerrësi të përshtatshme, sporti i skive ka mundësi të mëdha. Zona kryesore për zhvillimin e sporteve dimërore është pika malore e Voskopojës, e cila ndodhet në rrethin e Korçës, 20 km në perëndim të saj. Voskopoja gjendet në një lartësi prej 1.160 metrash mbi nivelin e detit dhe shtresa e dëborës aty zgjat deri në tre muaj. Këtu gjendet "pista e skive" ku zhvillohen edhe garat e Kampionatit Kombëtar. Pike tjeter eshte pista e Bigellit ne Bonoshtice.
Pika të tjera ku zhvillohen sportet dimërore janë alpet shqiptare në veri të vendit në pikat e Razmës, Bogës e Thethit, Shishtaveci në Rrethin e Kukësit, Grabova në rrethin e Gramshit, Dardha në rrethin e Korçës, Biza në rrethin e Tiranës etj.
Aktivitetet e treking dhe ngjitjeve malore kanë mundësi të shumta në territorin e Shqipërisë. Arealet ku zhvillohen këto aktivitete janë të shtrira nga veriu në jug. Mjaft tërheqës është programi i trekingut i quajtur "trekingu i Cikës", i cili zhvillohet në zonën jugperëndimore të vendit, duke përshkuar luginën e përroit të Dukatit, vargun e Cikës, zonën e Kurveleshit dhe përfundon në bregdetin Jonian. Treking zhvillohet përgjatë itinerarit Dukat-Tërbaç- Vranisht-Kuç-Kudhës-Qeparo. Zona të tjera për trekking dhe ngjitje alpinistike janë alpet e Shqipërisë në pika të tilla si; Vermosh, Theth, Razmëm, Boga, ,Valbona etj. Mali i Tomorrit i shtrirë në rrethet e Beratit dhe Skraparit, Vithkuqi, Voskopoja , Drenova në rrethin e Korçës, Guri i Kamjes në rrethin e Pogradecit, Llogaraja në rrethin e Vlorës, Korabi e Radomira në rrethin e Dibrës, Gjinari në rrethin e Elbasanit, lugina e Drinos në zonën e Dropullit në rrethin e Gjirokastrës, itinerari Borsh-Zhulat që përshkon Kurveleshin etj.
Shqipëria ofron kushte të shkëlqyera topografike dhe natyrore për zhvillimin e sporteve ajrore. Pika më e favorshme është Qafa e Llogarasë në lartësinë 1.052 metra mbi nivelin e detit, ku drejtimi i erërave është mjaft i favorshëm. Parashutat që lëshohen nga kjo pikë ulen në plazhin e Palasës, duke përshkuar një eksperiencë të rrallë nga mali në bregun e detit. Qafa e Llogorasë është një pikë ku janë organizuar edhe takime ndërkombëtare të aktiviteteve të tilla. Pika të tjera ku ushtrohen këto sporte janë Morava në rrethin e Korçës, Dajti në Tiranë etj.
Territoret malore janë tërheqëse për ndërtimin e kampingjeve dhe akomodimin me çadra gjatë stinës së ngrohtë. Pika të tilla janë Biza në rrethin e Tiranës, Razma në Alpe, Llogaraja në rrethin e Vlorës, pyjet e bredhit të Hotovës në rrethin e Përmetit, pyjet halorë të Gërmenjit në rrethin e Kolonjës, parku i Qafë Shtamës në rrethin e Krujës, Lura në rrethin e Dibrës etj.
Në lumenjtë dhe përrenjtë e shumtë malorë, peshkimi sportiv është një kënaqësi më vete. Këtu peshkohet trofta e ujërave të ftohtë dhe peshq të tjerë të ujërave të ëmbla. Zonat më të përshtatshme me bukuri natyrore për këtë lloj aktiviteti janë lugina e Valbonës, përroi i Thethit, lumi i Shalës në Alpet shqiptare, lugina e sipërme e Vjosës etj.
Si rezultat i përhapjes së madhe në territorin e Shqipërisë së formacioneve gëlqerorë, ka një zhvillim të formave të shumëllojshme të karstit, gjë e cila ka mundësuar ekzistencën e shumë shpellave karstike me interes të madh për turizmin e këtyre të fundit, apo siç quhet ndryshe speleologjia.
Vetëm në rajonin e Shkodrës gjenden 35 shpella të tilla. Me interes të veçantë turistik do të përmendim "shpellën e Pëllumbasit ", apo siç quhet edhe ndryshe " shpella e Zezë" që gjendet 25km në juglindje të Tiranës, mbi grykën panoramike të Skorranes i krijuar nga lumi i Erzenit.
Ka një gjerësi prej 10-35 metrash, një lartësi 15-40 metrash dhe arrin deri në 300 metra gjatësi. Shpella është mjaft e ruajtur. Krahas stalaktiteve dhe stalagmiteve te shumta është për tu përmendur fakti, se këtu janë gjetur skelete të ariut të shpellave (ursus speleus), i cili ka jetuar rreth 400. 000 vjet më parë. Në gjithë kontinentin Evropian njihen vetëm 5 shpella të tilla.
Shpellë tjetër atraktive është "shpella e Pirrogoshit", që ndodhet në rrethin e Skraparit, në jug të vendit, e cila përfaqëson edhe shpellën më të madhe të Shqipërisë. Ajo ndodhet në shpatin e djathtë të përroit të Çorovodës, në fshatin Radesh, në një lartësi prej 450 metra mbi nivelin e detit. Hyrja e shpellës ka një gjerësi prej 5 metrash, ndërsa gjatësia e saj arrin në 1.500 metra. Pjesa më atraktive e saj është korridori i madh. Shpella përfundon me një pus të thellë, ku gjenden me shumicë lakuriqët e natës.
Shpella të tjera me interes janë ato të Jubanit, Zhyles, Murriqit dhe Pusit në zonën e Shkodrës dhe të Alpeve, shpella e Lekë Petës në Kurvelesh etj.
Aktivitet tjetër argëtues janë biçikletat malore, të cilat mund të zhvillohen në zonën e Alpeve(Theth, Vermosh), etj.
Një vend tjetër që ngjall interes për turistët vendas dhe të huaj është dhe Razma, për më tepër informacion klikoni këtu
Nessun commento:
Posta un commento