17 luglio 2012

“Shtëpia Voskopojare”, qendra e parë e informimit të turistëve


VOSKOPOJE 17 Korrik 2012 - 10:31- Për herë të parë pas shumë vitesh që nga themelimi i saj në fshatin turistik të Voskopojës, këtë sezon veror është çelur qendra e informimit të turistëve “Shtëpia Voskopojare”. E ngritur në qendër të fshatit ajo u ofron turistëve informacione të shumta mbi vlerat kulturore si dhe monumentet e kultit të kësaj zone.

Mungesa e një qendre të tillë që nga krijimi i Voskopojës e deri në ditët e sotme ka sjellë jo pak probleme për turistët, në mënyrë të veçantë ata të huaj, të cilët në mungesë të një informacioni të plotë për vlerat kulturore të kësaj zone kanë qenë të detyruar të vizitojnë ato pak monumente që janë të dukshëm për syrin, pa pasur informim për vlerat që ato mbartin në brendësi dhe që datojnë shekuj më parë.

Sipas përgjegjësit të qendrës i cili shoqëron dhe turistët, David Bani, selia e kësaj qendre ka qenë një domosdoshmëri për komunën e Voskopojës, e njohur për turizmin e saj malor.

Nëpërmjet kësaj qendre komuna e Voskopojës ka mundësi të informohet dhe mbi përshtypjet e turistëve lidhur me traditën, kulturën, mikëpritjen si dhe kushtet në infrastrukturë.

Vetë përgjegjësi i qendrës pohon gjithashtu se në këto ditë të para formulari i mbushur nga turistët theksin kryesor e ve tek rrugët e kalldrëmta si dhe aksin kryesor që të çon në fshatin turistik të Voskopojë tek të cilat duhet ndërhyrë urgjentisht, shqetësim i ngritur ky në ditën e çeljes së sezonit turistik në këtë zonë dhe nga A1 Report.

Qendra “Shtëpia Voskopojare” u ndërtua me fonde të Bashkimit Evropian dhe sot menaxhohet nga komuna.

(da.is/shqiptarja.com)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate