19 giugno 2012

Rrëfimi për Ballkanin....


Rrëfimi për Ballkanin

Ekspozita e fotografive të kishave, xhamive, hamameve publike, akueduktëve, shtëpive dhe urave, që në shtetet ballkanike janë ndërtuar gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, hapet të martën (sot), në Konakun Kneginja Milica, në Beograd. Ekspozita është pjesë e projektit “Rrëfimi për Ballkanin”, dhe ajo do të qëndrojë e hapur deri më 19 gusht. Pjesë e ekspozitës është edhe fotografi kosovar, Samir Karahoda.
Projekti ndërkombëtar “Rrëfimi për Ballkanin” hulumton dhe prezanton para opinionit trashëgiminë kulturore e historike të krijuar në Ballkan gjatë periudhës së sundimit osman.
Të dhënat e fundit, të cilat tregojnë se trashëgimia kulturore e epokës së Perandorisë Osmane është e rrezikuar seriozisht, kanë për qëllim nisjen e një diskursi publik për historinë e rajonit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të tij.
Sot, kujtimet për këtë periudhë mbesin të fshehura brenda ndërtesave të cilat me kohë kanë ndryshuar rolin, ose janë zbehur plotësisht për shkak të lënies pas dore dhe shkatërrimit të përgjithshëm. Megjithatë, pavarësisht asaj nëse këto ndërtesa të periudhës osmane janë private ose publike, respektivisht myslimane, krishtere ose çifute, ato mbesin dokumente të një historie të përbashkët – të një historie që popujt e Ballkanit e ndanë për afro gjashtë shekuj. Fotografitë moderne të këtyre përmendoreve na mundësojnë të rishikojmë trashëgiminë kulturore osmane në një dritë tjetër, që t’i kthehemi së kaluarës dhe të rrëfejmë rrëfimin tonë për Ballkanin...
Në realizimin e këtij projekti - pjesë kryesore e së cilit është ekspozita fotografike, që ofron një shikim të ri të së kaluarës dhe të përmendoreve kulturore ballkanike - janë përfshirë disa shtete të Ballkanit. Një perspektivë moderne ia dhanë fotografët që, përkundër fakti që nuk njihen mes veti, tentojnë që nëpërmjet fotografisë të krijojnë një tërësi koherente, duke rishqyrtuar rëndësinë që kjo histori e përbashkët ka edhe sot për të gjithë ne. Ivan Petrovic, Kamillo Nolas, Jutta Benzenberg, Ivan Blazev dhe Samir Karahoda fotografuan kishat, xhamit, hamamet, akueduktët, shtëpitë dhe urat kryesore të secilit vend, me theks në karakteristikat kryesore historike dhe në gjendjen aktuale të tyre.
Ekspozita është konceptuar nga historianët botërorë dr. Mark Mazower, dr. Machiel Kiel dhe dr. Christina Koulouri, dhe ajo parqet një sfidë për të parë përtej kufijve nacionalë, ashtu që historia e Ballkanit të hulumtohet si tërësi.
Përveç Beogradit, ekspozita tashmë është shfaqur, respektivisht do të shfaqet edhe në Athinë, Selanik, Munih, Prizren, Shkup dhe Tiranë.http://lajme4.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1047252862/titulli/Rrefimi-per-Ballkanin

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate