Mesazhi i Kryetarit të Bashkisë
Berati është një destinacion i rëndësishëm dhe tërheqës për turistët. Ai karakterizohet nga vlerat e tij unike, tempujt mahnitës, arkitektura e veçantë, dokumentat e rrallë të krishtërimit të hershëm, bashkëjetesa fetare dhe nga harmonia e kulturave. Berati është shembulli i përkryer i një qyteti të lashtë 2400 vjeçar. Ai i ka themelet në antikitet me një larmishmëri vlerash të përfaqësuara nga puna e jashtëzakonshme e mjeshtrave gjatë shekujve, dhe nga trashëgimia e pasur kulturore, materiale dhe shpirtërore – e cila sot është e gjitha pjesë e denjë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.Turizimi konsiderohet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Beratit. Në Planin tonë Strategjik për Zhvillimin Social dhe Ekonomik 2010-2020, turizmi shihet si një objektiv parësor për zhvillimin e ekonomisë lokale. Duke marrë parasysh rëndësinë e turizmit për zhvillimin ekonomik në përgjithësi dhe mundësinë që ai ofron për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e bisnezeve të vogla, Bashkia e Beratit filloi përgatitjen e kësaj Strategjie dhe Plani Veprimi për Turizmin. Në prill të vitit 2010 u nënshkrua një marrëveshje e përbashkët me Organizatën Hollandeze për Zhvillim SNV, ku ajo mori përsipër t’i ofronte Bashkisë së Beratit asistencë teknike për përgatitjen e SPVT-së (Strategjia dhe Plani i Veprimit për Turizmin). Për të mbështetur këtë proces, në maj 2010, u krijua Komiteti i Veprimit për Turizmin (KVT) me përfaqësues nga institucionet publike, bisnezi, dhe shoqëria civile
Si kryebashkiak i qytetit të Beratit dhe Kryetari i Komitetit të Veprimit për Turizmin jam shumë i lumtur që, pas një periudhe të ngarkuar me punë, ne arritëm që ta realizojmë me sukses këtë projekt. Dua të shfrytëzoj këtë rast që t’i shpreh mirënjohjen time SNV-së për këtë bashkëpunim të frytshëm në përgatitjen e SPVT -së. Gjithashtu dua t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë partnerëve të tjerë dhe qytetarëve të përkushtuar për kontributin e tyre dhe vullnetin e treguar për t’u përfshirë drejpërsëdrejti në përgatitjen dhe zbatimin e këtij dokumenti strategjik. SPVT -ja do të jetë kuadri i veprimtarisë për institucionin tonë, duke e drejtuar zhvillimin e turizmit në rajon drejt objektivit të rritjes së përdorimit të qëndrueshëm të burimeve tona. Ky dokument përcakton projektet dhe veprimet që do të ndërmarrim në të ardhmen së bashku për ta kthyer Beratin në një destinacion turistik ndërkombëtar, me cilësi të lartë dhe shumë të njohur.
Fadil Nasufi
Kryetar i Bashkisë
http://www.bashkia-berat.net/?p=2401
Nessun commento:
Posta un commento