03 giugno 2012

Frederik Stamati: Fizika berthamore zbulon trashegimine

Frederik Stamati: Fizika berthamore zbulon trashegimine

Shkruar nga:    
Postuar më: 4 ditë më parë
Avantazhet që kanë disa metoda të fizikës bërthamore së fundmi po gjejnë përdorim tek puna e restauruesve shqiptarë. Frederik Stamati është ndoshta më i vjetri në këtë profesion, njëkohësisht pionieri i përdorimit të metodave të fizikës bërthamore në studimet arkeologjike. Vitet e fundit kjo “ndërlidhje” është marrë seriozisht edhe nga UNESCO, që inicioi një projekt për trajnimin dhe diplomimin e fizikantëve dhe restauruesve që do të aplikojnë metodat moderne të fizikës bërthamore në studimet arkeologjike. Restauruesi Frederik Stamati shpjegon veçoritë që kanë këto metoda dhe rëndësinë e tyre në studimin e objekteve arkeologjike, pa rrezikuar dëmtimin e tyre.

Kur është ndjerë nevoja e shkencave ekzakte në studimet arkeologjike?

Prej kohësh arkeologjia shqiptare në studimet e objekteve të trashëgimisë ndjeu nevojën e shkencave ekzakte. Në studimet e objekteve arkeologjike është e rëndësishme që së pari të kesh informacion mbi objektin. Ky ishte dhe hapi i parë ku do të gjenin përdorim metodat e shkencave natyrore në studimet arkeologjike dhe historike. Për herë të parë këto metoda u aplikuan në Shqipëri në vitet ’70. Që të jemi të saktë, bëhet fjalë për analiza kimike. Me zhvillimin e teknologjisë edhe mundësitë e Shqipërisë u rritën, ku përveç analizave kimike lindi nevoja edhe e aplikimit të metodave të fizikës bërthamore.

Cilat janë favoret e aplikimit të këtyre metodave?

Metodat e fizikës bërthamore kanë disa veçori të rëndësishme. Së pari, janë të lira; aplikimi i tyre ka kosto të ulët, madje më të ulët edhe se ato kimike. Së dyti, janë shumë të shpejta dhe së treti,  nuk e dëmtojnë objektin, pasi ato bëhen përmes rrezeve X, që do të thotë se nuk kërkojnë të marrësh mostra nga objekti, pra nuk cenojnë prishjen e tij.

Sa është marzhi i gabimit?

Këto metoda kanë saktësinë e mjaftueshme që duhet për studimet e objekteve arkeologjike. Ato shërbejnë për t’i bërë një anatomi kimike objektit, që restauruesi përpara se të fillojë punën të dije se mbi çfarë materiali duhet të punojë, gjithashtu japin indicie për të përcaktuar origjinën dhe moshën e objektit, si dhe tregojnë shkallën e dëmtimit të tij, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më efikase. Pra koordinohen një sërë anësh pozitive që janë shumë të domosdoshme në punën tonë. Sot në botë këto metoda aplikohen gjerësisht.

Dhe sa gjejnë përdorim në Shqipëri?

Shqipëria ka avancuar jo vetëm për sa i përket restaurimit, por edhe në çështjen e gjetjes së prejardhjes së objekteve. Që ta bëjmë më konkrete: u gjetën disa objekte qeramike në Lezhë me pikturim të bardhë, të cilave nuk u dihej origjina sepse nuk ngjanin me asnjë objekt të tillë të gjetur në rrethinat e Lezhës. Atëherë, këto iu nënshtruan analizave dhe u vërtetua se ishin prodhuar në Durrës, por ishin eksportuar në Lezhë. Por ka metoda edhe më të avancuara që vetëm tani po aplikohen në Shqipëri.

Cilat janë ato dhe ku janë aplikuar?

Te flamujt që u gjetën në fondin e arkivit. Ishin disa flamuj që nuk u dihej origjina dhe mosha. Për përcaktimin e tyre u përdor metoda e Karbonit-14, e cila sapo ka filluar të aplikohet nga Qendra e Fizikës Bërthamore të Aplikuar (dikur Instituti i Fizikës Bërthamore).

Dhe ku konsiston metoda e Karbonit-14?

Karboni-14 është një radioizotop (radioaktiv), që në bazë të formulës së zbërthimit përcakton moshën e objektit. Kjo metodë përdoret kryesisht në objektet arkeologjike prej druri, kocke, lëkure apo materiali organik. Me anë të saj bëhet shumë e qartë periudha së cilës i përket objekti. Kështu zbuluam edhe flamurin me të cilin u varros Ismail Qemali.

Tani sapo ka filluar të përdoret edhe metoda Spetroskopia Raman, e cila jep përbërjen molekulare të objektit. Kjo metodë përdoret kryesisht në piktura, afreske apo ikona. Me anë të kësaj metode restauruesi merr informacion se sa lloj pigmentesh janë përdorur në një objekt të tillë. Kjo është një metodë e re, por që akoma nuk kemi një rast konkret që të themi se u zbatua dhe pati rezultate. Sigurisht që ne kemi bërë analiza të tilla, por vetëm në bashkëpunim me universitete apo laboratorë të huaj.

A paraqesin rrezik këto metoda?

Rrezik për objektin, absolutisht që jo. Siç thashë, ato nuk e dëmtojnë objektin, përkundrazi. Ndërsa ata që i aplikojnë janë fizikantë të trajnuar për të tilla analiza, kurse restauruesi merr vetëm rezultatin. Për t’i bërë të njohura këto metoda si dhe mundësitë që ato ofrojnë në studimet arkeologjike UNESCO ndërmori nismën për zhvillimin e një seminari trajnues. Pjesëmarrësit ishin fizikantë, të cilët prezantuan mundësitë që ofron fizika bërthamore në studimet arkeologjike, si dhe restaurues që përmes këtij seminari u njohën me këto metoda.
http://www.shqiperia.com/lajme/lajm/nr/16476/Frederik-Stamati-Fizika-berthamore-zbulon-trashegimine 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate