20 dicembre 2012

Teatri antik i Apolonisë është përmbytur sërish nga shirat e ditëve të fundit, duke e thelluar dëmin e bërë në fillim të muajit dhjetor

Nga: FATMIRA NIKOLLI
20 Dhjetor 2012 - 09:02
Përmbytet sërish teatri antik i ApolonisëTeatri antik i Apolonisë është përmbytur sërish nga shirat e ditëve të fundit, duke e thelluar dëmin e bërë në fillim të muajit dhjetor. Kjo ka sjellë rrëshqitje të mëtejshme të dherave, në një gjatësi prej një metri. Lajmi konfirmohet nga vetë drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali. I kontaktuar dje nga "Gazeta Shqiptare", ai tha se shirat e ditëve të fundit kanë dëmtuar për së dyti gjatë këtij viti zonën pranë teatrit. "Në ditët kur ka pasur reshje ne jemi përpjekur që ta pastrojmë zonën nga uji, duke e larguar atë me motopompë, po pas një ore shi, gjithçka kthehet si në fillim. Duket si legjenda e Rozafës", - sqaron Haxhimihali. Nga ana tjetër, ai nuk sheh zgjidhje të këtij problemi para stinës së pranverës, çka nënkupton mot më të mirë. "Me ikjen e dimrit shpresojmë të ndërhyhet, duke marrë parasysh studimin gjeologjik", - thotë drejtori i parkut. Ai e sheh të domosdoshme, në mos asgjë tjetër, një ndërhyrje tek burimi i nëndheshëm. "Shkaku më i madh i kësaj që po ndodh ka të bëjë me burimin e hershëm nën dhé që s'është marrë parasysh. Duhet krijuar një lloj rrjeti që e shkarkon ujin diku tjetër, për të zvogëluar dëmin e përmbytjen", - përfundoi ai.
Dëmet
Gërmimet e bëra nga ekspedita arkeologjike shqiptaro-gjermane në Apoloni duket se janë bërë shkaku kryesor i rrëshqitjes masive të dheut dhe përmbytjes së teatrit antik të parkut. Përpos kësaj, ndikim të madh kanë pasur reshjet e shumta të rëna gjatë muajit dhjetor. Teatri gjendet rrëzë një kodre që është e zhveshur nga bimësia e shkurret - për shkak të zjarreve të rëna, por edhe për shkak të pastrimit të zonës që të gërmohej. Më herët, Haxhimihali, drejtor i parkut, ka fajësuar për ngjarjen e rëndë, gërmimet e bëra aty përgjatë vitit 2012. Ai ka pohuar se që në fillim, kur u planifikuan gërmimet, nuk u morën parasysh tregimet e banorëve të zonës që kanë vite që jetojnë pranë këtij parku arkelogjik, sipas të cilëve diku pranë gjendet një burim i lashtë. "Ata pohuan se dikur në lashtësi, si dhe në vijim, pikërisht në vendin ku ndodhet teatri antik i Apolonisë së lashtë ka pasur një burim ku banorët e zonës mbushnin ujë për të pirë dhe për t'u larë. Në verë burimi thahej, por me nisjen e reshjeve të vjeshtës burimi aktivizohej", - ka deklaruar Haxhimihali.
Raporti
Ndonëse Apolonia u përmbyt sërish sivjet, një studim i kryer në vitin 2011 jepte rekomandimet që duheshin marrë parasysh që kjo të mos ndodhte. "Gazeta Shqiptare" zbardhi ditë më parë raportin mbi parkun arkeologjik. Në fund të relacionit, inxhinierët thonë e bardha mbi të zezë se cilat janë rekomandimet e tyre, duke i ndarë në dy pika: E para, poshtë themelit të godinës së portikut lindor, të hiqet shtresa me veti të dobëta gjeoteknike dhe të zëvendësohet me një shtresë tjetër me veti me të mira gjeoteknike; e dyta, në zonën e teatrit të ndryshohet metoda e gërmimit nga poshtë-lart me metodën nga lart-poshtë. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate