20 dicembre 2012

Shkojnë dëm 270 mijë euro, Muzeu i Armëve, i mbytur nga lagështira Edhe investimi i tretë ka qëlluar i pafat për Muzeun e Armëve në Gjirokastër


Foto nga gjendja aktuale në Muzeun Kombëtar të Armëve në Gjirokastër

GJIROKASTER-e Martë, 11 Dhjetor, 2012 | 14:12 pm
Edhe investimi i tretë ka qëlluar i pafat për Muzeun e Armëve në Gjirokastër. Vetëm një vit pas ndërhyrjes së radhës, muzeu vazhdon të vuajë nga niveli i lartë i lagështirës. Mure që kullojnë ujë e që janë veshur me të gjelbrën e myshqeve apo dysheme që nuk thahen kurrë. Ky është një problem i hershëm në ambientet e këtij muzeu, i cili është vendosur në zemër të kalasë së Gjirokastrës. Prej vitit 2000 e deri më sot, me fonde të buxhetit të shtetit, mbi të janë ndërmarrë tri ndërhyrje, të cilat kanë pasur si synim hidroizolimin e muzeut. Ndërhyrja e parë ka kushtuar 150 mijë euro, e dyta 80 mijë euro dhe e treta, e cila është realizuar vetëm një vit më parë, kapte shifrën prej 40 mijë eurosh. E megjithatë, gjendja vazhdon të jetë alarmante. Niveli i lartë i lagështisë, është paraqet një risk të lartë për objektet që ruhen në këtë muze, unik në llojin e vet në gjithë Shqipërinë. Në këtë muze ruhen rreth 1 mijë objekte, të cilat datojnë prej Epokës së Gurit deri në shek. XX. Mësohet se 300 objekte i përkasin Epokës së Gurit, Bronzit dhe Mesjetës, kurse pjesa tjetër, e cila gjithashtu paraqet një interes të veçantë i përket periudhës së luftërave ballkanike apo Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për objekte unike, të cilat për shkak të periudhës që i përkasin, historisë, por edhe artit që paraqesin, lakmohen shumë nga muzetë e tjerë kombëtarë në Shqipëri, por që fatkeqësisht rrezikojnë rëndë, për shkak të mjediseve në të cilat ruhen.
Shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë ditëve të fundit e kanë përkeqësuar edhe më tepër situatën në Muzeun e Armëve në Gjirokastër. Rikonstruksioni i një viti më parë nuk e përballoi dot shiun e këtij viti, çka dëshmon për cilësinë e punimeve të kryera aty. Tashmë është e qartë se i gjithë investimi i bërë në këtë muze gjatë viteve ka shkuar dëm.
Muzeu Kombëtar i Armëve
Ambientet në të cilat sot gjendet Muzeu i Armëve kanë përcjellë histori nga më rënqethëset. I hapur fillimisht më 1971, Muzeu i Armëve është vendosur aty, ku më parë ndodhej një pjesë e burgut. Hyrja për në ish-burgun është sapo futesh në Muzeun e Armëve, pas një dere metalike. I hapur më 1932, burgu u përdor fillimisht nga regjimi i mbretit Zog, pastaj nga pushtuesit fashistë dhe nazistë dhe së fundi nga regjimi komunist deri më 1968. E vizitueshme është vetëm pjesa që u kthye në muze nga regjimi komunist në vitet ’70.
Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/11/shkojne-dem-270-mije-euro-muzeu-i-armeve-i-mbytur-nga-lageshtira/#ixzz2Fc96Zrho







Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate