13 dicembre 2012

Kishat e Voskopojës por edhe ato të Vithkuqit janë në rrezik, ndër sa prej kohësh janë lënë në mëshirë të fatit


Nga: Enkelejda Skënderasi 12 Dhjetor 2012

KORCË Kishat e Voskopojës por edhe ato të Vithkuqit janë në rrezik, ndër sa prej kohësh janë lënë në mëshirë të fatit. Specialistët flasin rrallë dhe më pas heshtin para mungesës së fondeve. Kisha e Shën Mërisë, ajo e Shën Kollit, e Shën Thanasit në Voskopojë, por edhe ajo e Shën Pjetrit në Vithkuq, të ndikuara edhe nga dimri i 'egër', po shkojnë drejt rrënimit. Muret e tyre rrethuese janë thuajse tërësisht të shkatërruara për shkak të ujërave dhe lagështirës. Të dëmtuara pjesërisht dhe disa të tjera krejtësisht në afresket e tyre, në këto kisha që datojnë shekuj më parë, sot është e vështirë të gjesh gjurmë të së kaluarës. Dhe nëse flasim për shtresat në oborre, ato janë tërësisht të dëmtuara, çka nuk është e vështirë të dallohet qartësisht edhe me sy të lirë. Në fakt, verën e këtij viti, pati vetëm restaurime të pjesshme, kryesisht në kambanoren e Shën Kollit apo në çatinë e saj dhe në muret e Shën Mërisë, por që në fakt ritmet e dëmtimeve kanë qenë më të mëdha, duke futur këtu edhe agjentët atmosferikë. Çarjet në
mure apo edhe dëmtimet e pikturave murale nuk kanë kursyer edhe kishën e Shën Thanasit. Pllakat e gurit që mbulojnë çatinë lejojnë penetrimin e ujërave të shiut apo në rastin konkret të borës, të cilat rrjedhin më pas në kupola, duke dëmtuar pikturat. Megjithatë, pavarësisht situatës alarmante, përgjegjësi i kishave në Voskopojë thotë se ka të tjera projekte restaurimi në këto kisha, të cilat do ta stabilizojnë disi situatën që po i çon drejt shkatërrimit të plotë këto kisha, por kurrsesi t'u japë fund këtyre problemeve, pasi vetë faktori kohë ka ndikuar drejtpërdrejt në amortizimin e këtyre objekteve të kultit.
"Ne nuk mund ta fshehim amortizimin e kishave, pasi faktori kohë ka ndikuar në to, për faktin se këto kisha datojnë shekuj më parë", tha për "Gazetën Shqiptare", Petrit Bacelli. E ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Korçë hesht ndaj rrënimit të objekteve të kultit në Voskopojë dhe Vithkuq, të cilat mbajnë edhe statusin "monumente kulture të kategorisë së parë", gjendja aktuale e kishave është pranuar edhe nga krerët e komunave. Këta të fundit thonë se investimet në këto kisha kanë qenë të pjesshme. "Këto kisha, duke qenë edhe në një zonë turistike, janë mjaft të frekuentuara nga turistë vendas dhe të huaj, të cilat kërkojnë gjurmë të historisë. Por këto kisha, krahas dëmtimeve të faktorëve të jashtëm, janë dëmtuar së tepërmi edhe nga vjedhjet, pasi ikonostaset apo pikturat e tyre janë bërë shpeshherë pre e hajdutëve", u shpreh Nexhip Bacelli, kreu i komunës Voskopojë. Gjendja aktuale e tyre, moti i keq dhe mosndërhyrja urgjente me restaurime, po e çon më tej degradimin e tyre, duke humbur më së shumti gjurmët e së kaluarës.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate