13 dicembre 2012

Muzeu i ri, Sadi Petrela e restauron, shirat e përmbytin sërish


Nga: FATMIRA NIKOLLI 12 Dhjetor 2012

Muzeu i ri i Gjirokastrës, restaurimi i të cilit ka kushtuar rreth 500 mijë euro, është përmbytur nga shirat. I përuruar vetëm gjatë verës së këtij viti, lagështira ka shkuar në afërsi të stendave, çka mund të shihet lehtë nga fotografitë që "GSH" boton sot. Parashikohej që nga fondi i sipërpërmendur, fondacioni "GCDO" të shpenzonte 200 mijë euro vetëm për hidroizolimin, por shirat e fundit tregojnë se investimi ka shkuar dëm. Një debat i madh qe hapur pas përurimit, kohë në të cilën nuk munguan akuzat sa u takon punimeve të dobëta dhe ndryshimit të projektit fillestar të arkitektit Rais Petrela. Por, përkundrejt akuzave, realizimi i muzeut në detaje, u mbrojt nga Drejtori i fondacionit "GCDO", z.Sadi Petrela, i cili mori pjesë në një debat të organizuar në "TCH" mbi këto punime. Në atë emision televiziv, nuk munguan akuzat e as kundërakuzat, por sot, muaj më vonë, gjendja në të cilën përballet muzeu i ri, nuk ka nevojë për koment. Muzeut të ri, duket se i ka rënë hija e ndonjë 'kasolleje' të lënë jashtë vëmendjes nga institucionet. "Nusja e re, por qorre!" thotë populli. Kjo shprehje, nuk ka gjetur vend kurrë më tepër se sot. Tavani, muret anësore, dyshemeja janë lagur tërësisht, për të mos përmendur muret pranë dritareve e dyerve. Uji i shirave s'ka kursyer asgjë, rrjedhimisht i ka çuar dëm ato mijëra euro që u hodhën në të me aq pompozitet. Fotot flasin vetë, duke treguar se kush kishte të drejtë në debatin e bërë muaj më parë.
Muzeu
Muzeu i ri ka fokus të përgjithshëm dhe është tashmë pjesë e kalasë së qytetit të Gjirokastrës. Ai dokumenton jetesën e banorëve të luginës së rës, figurat më të spikatura në historinë e qytetit, luftërave, por dhe të arsimit, si dhe gjetje arkeologjike të Luginë së Drinosit, veçanërisht të teatrit të Adrianopolit. Në stendat e muzeut shikon Çerçiz Topullin, Musine Kokalarin, Ismail Kadarenë dhe Enver Hoxhën. Është hera e parë që pas 1990ës, që figura e diktatorit Hoxha përfshihet në një muze në vendlindjen e tij. Në stendat e muzeut bie në sy një koleksion armësh të vjetra, si dhe veshja tradicionale e Gjirokastrës. Çelja e këtij muzeu është përfshirë brenda projektit për rijetëzimin e kalasë, i cili kap vlerën e 500 mijë eurove, ku përfshihen 4 donatorë anglezë dhe amerikanë përfshirë këtu edhe fondin e ambasadorit amerikan për trashëgiminë kulturore. Sadi Petrela, kreu i fondacionit "Gjirokastra", i cili u mor me ngritjen e muzeut, ka pohuar muaj më parë për "TCH" se çelja e tij na mësoi mbi të gjitha mundësinë për të restauruar armët apo veshjet tradicionale që gjenden në muzeumet e vendit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate