01 aprile 2014

Ligj i ri për turizmin, do shtohen plazhet publike? interviste me Ministren e Turizmit, Eglantina Gjermeni

e Hënë, 31 Mars, 2014 | 09:37 am

Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, shprehet se ligji i ri për turizmin do të shtojë hapësirat e plazheve publike në vend. Ministrja thotë se në plazhet e vendit do të ketë kritere strikte për vendosjen e dusheve dhe kabinave të zhveshjes për çdo 50 çadra, gjë që do të rrisë kushtet për plazhistët.

Ndryshime do të ketë dhe për kategorizimin e hoteleve në yje. 
Znj.Gjermeni, çfarë ndryshimesh parashikoni në ligjin e ri për turizmin? Si e rregullon ky ligj kategorizimin e hoteleve? Kur do kemi hotele me yjet që meritojnë? Çfarë sanksionesh do ketë për ata që abuzojnë me yjet?
Standardizimi i shërbimeve që ofrohen në tregun e turizmit ka qenë jo vetëm një
nga premtimet e qeverisë, por edhe një prioritet i Ministrisë së Zhvillimit Urban
dhe Turizmit. Nga takimet e shpeshta që ne kemi organizuar gjatë kësaj
periudhe me sektorin privat të turizmit, kategorizimi i detyruar i strukturave
akomoduese ka qenë një kërkesë e theksuar fort dhe qartë nga ky sektor. Për një
periudhë disamujore, Ministria organizoi takime konsultative gjithëpërfshirëse
lidhur me domosdoshmërinë e rishikimit të ligjit të turizmit në të gjithë vendin
me njësitë e qeverisjes vendore dhe me grupe të ndryshme interesi. Ne kemi
dokumentuar të gjitha mendimet dhe sugjerimet e tyre mbi përfshirjen në ligjin
e turizmit procesin e kategorizimit dhe vendosjes së standardeve, për të gjitha
sipërmarrjet që ushtrojnë veprimtari turistike në vendin tonë. Standardet dhe
rritja e cilësisë së shërbimeve janë elemente thelbësore për zhvillimin e
turizmit, përballimin e konkurrencës në rajon, si edhe kthimit të Shqipërisë në
një destinacion të preferuar turistik. Draft ligji për turizmin është në fazën
përfundimtare të përfshirjes së mendimeve të përcjella në Ministri nga grupet e
interesit, përfshirë këtu sipërmarrësit në fushën e turizmit, përfaqësues të
universiteteve, shoqërisë civile, ekspertë të ndryshëm etj. Brenda muajit qershor
të këtij viti ne mendojmë se do të arrijmë ta miratojmë ligjin e rishikuar për
turizmin. Drafti i parë i ligjit është pasqyruar edhe në faqen e internetit të
Ministrisë. Këto ditë do të vendosim edhe variantin final të këtij draftligji,
duke mirëpritur edhe komente e sugjerime për ta përmirësuar dhe bërë më të
zbatueshëm atë. Ky proces po ecën paralelisht edhe me përgatitjen e akteve
nënligjore dhe rregulloreve funksionale, të cilat do të përcaktojnë
kategorizimin, kriteret dhe standardet që duhet të plotësojnë strukturat
akomoduese për t’u kategorizuar me yje. Të gjitha këto garantojnë zbatimin e
ligjit, si edhe ofrojnë mundësi që tregu i turizmit të formalizohet edhe të ketë
konkurrencë të ndershme. Në draftin e hartuar janë parashikuar edhe
sanksionet që do të vendosen mbi sipërmarrjet në rastet e mosrespektimit dhe
zbatimit të kritereve dhe standardeve të përcaktuara në kuadrin ligjor. Nga ana
tjetër, ky proces do të marrë kohën e nevojshme për t’u absorbuar nga biznesi,
por unë dua t’ju siguroj se i gjithë procesi ka qenë dhe do të jetë transparent deri
në fund të tij. Gjatë gjithë hapave që Ministria ka ndjekur, biznesi ka qenë dhe
do të mbetet partneri ynë. Por dua të theksoj se risitë që ne sjellim, do të
përmirësojnë cilësinë e shërbimit, do të rrisin konkurrencën e ndershme dhe do
të shmangin abuzimet në përdorimin e standardeve.

Edhe dy muaj hapim sezonin e ri turistik, që është dhe një test për
qeverinë e re për të treguar ndryshimin në këtë sektor. Skeptikët
shprehen se nuk rritet numri i turistëve me disa stenda panairesh.
Si do diferencohen ata 3-4 milionë “turistë” që vijnë në Shqipëri çdo
vit, në udhëtarë transit dhe pushues?
Pjesëmarrja e Shqipërisë këtë vit në panaire ndërkombëtare ka qenë shumë më
dinjitoze dhe interesi i treguar për Shqipërinë ka qenë shumë herë më i madh se
vitet e shkuara. Dua të theksoj se panairet janë një nga format për të promovuar
vendin dhe për të tërhequr sa më shumë turistë. Panairet janë një mundësi që u
ofrohen agjencive turistike dhe operatorëve turistikë vendës për të shitur
paketat e tyre turistike. Unë e kam theksuar disa herë kontributin edhe punën e
lavdërueshme të bërë nga sektori privat i turizmit për të promovuar Shqipërinë,
potencialet e saj turistike edhe për me tepër sjelljen e sa më shumë turistëve në
Shqipëri. Ne së bashku me këto agjenci turistike e kemi shfrytëzuar
maksimalisht pjesëmarrjen në panaire për të prezantuar një imazh të ri të
Shqipërisë turistike. Ministria ka një strategji të qartë për të tërhequr turistët, jo
vetëm gjatë sezonit të cilit ju i referoheni, por përgjatë gjithë vitit. Dhe për ta
dokumentuar suksesin e punës sonë, po punojmë me Departamentin e Kufirit
dhe Migracionit për të parë të gjitha mundësitë që do të na çojnë në përmirësimin e
 sistemit të mbledhjes së të dhënave për vizitorët që vijnë në
Shqipëri dhe diferencimit të saktë ndërmjet udhëtarëve transit dhe pushues.
Nga ana tjetër, kur flasim për analiza, duhet të jemi të qartë se indikatorët të
cilët tregojnë rritjen e sektorit të turizmit për një vend, nuk janë vetëm numri i
vizitorëve, por edhe netëqëndrimet, të ardhurat që gjenerohen nga ky sektor dhe
punësimi. Puna për mbledhjen e statistikave po realizohet edhe në
bashkëpunim me Institutin e Statistikave dhe Bankën e Shqipërisë për të pasur
të dhëna të sakta, të cilat do të na shërbejnë për të hartuar politika më të mira
për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri. Ky është një proces, për
të cilin ne kemi kërkuar dhe asistencën e Organizatës Botërore të Turizmit. Ju
siguroj se përtej numrave, ne si Ministri dhe si politikëbërës jemi shumë të
interesuar për të pasur të dhëna të sakta dhe për t’i përpunuar ato me vërtetësi.
Vetëm në këtë mënyrë mund të hartojmë politikat e duhura që do të sjellin
zhvillimin që ne duam për sektorin e turizmit. Të katërt këta indikatorë janë të
rëndësishëm për hartimin e politikave dhe adresimin e nevojave dhe pengesave
me të cilat haset sektori i turizmit në vend. Për këtë, në draftligjin
e turizmit, të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike, kanë detyrimin ligjor të japin
të dhëna statistikore periodike. Ne synojmë të përdorim një metodologji të
unifikuar për përpunimin e të dhënave statistikore për turizmin nga të gjitha
institucionet. Kjo është edhe një sfidë tjetër për ne. Dua të theksoj edhe të ndaj
me ju një nismë të fundit, që po ndërmerr qeveria shqiptare për të promovuar
një imazh të ri të Shqipërisë. Këto ditë do të lançojmë një konkurs
ndërkombëtar për një logo, slogan edhe strategji për promovimin e Shqipërisë
në botë. Duam që përmes “Branding of Albania” të jemi të pranishëm në tregun
europian e më gjerë, me një mesazh që të na përfaqësojë, me një logo që të na
shprehë identitetin tonë dhe të jetë atraktive për turistët, me një strategji që do
të na e bëjë më të lehtë rrugën për një marketim më të mirë të gjithçkaje që
Shqipëria ofron, jo vetëm në turizëm, por në të gjithë sektorët.

Si i rregullon ligji hapësirat publike të plazheve, sa i ruan ato, i
shton apo i mban në këtë nivel që janë? Mbi ç’kritere do jepet plazhi
publik për privatët? Çfarë sanksionesh do ketë për ata që abuzojnë?
Qeveria miratoi kohët e fundit ndryshimet në VKM “Për sigurinë në det, plazhe
dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit”, të cilat do të rrisin
standardet dhe cilësinë e shërbimit turistik në strukturat “stacione plazhi”.
Ndryshimet që ne si Ministri propozuam, do t’i shërbejnë mbrojtjes së
konsumatorit, sigurisë së tyre dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve. Për herë të
parë përcaktohen kritere të qarta, të detyrueshme për të gjithë, ku stacionet e
plazheve publike do të shpërndahen në mënyrë proporcionale me ato private.
Qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të paguajnë para në sipërfaqet e
plazheve, që shpesh kanë qenë të uzurpuara tërësisht nga privatë. Në këtë
mënyrë afrohet alternimi i plazheve publike me ato private, duke rritur numrin e
plazheve publike, por edhe hapësirat publike brenda plazheve private. Kjo bëhet
e mundur pasi VKMja
përcakton qartë largësinë e çadrave nga bregu i detit, në
mënyrë që të lihet hapësira e duhur e distancës për pushuesit. Pra, është
parashikuar lënia e një hapësire në brezin e parë të plazhit, në dispozicion të
publikut, për t’u përdorur nga pushuesit me pajisjet e veta. Këto masa të reja
janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë njësitë vendore, që kanë në
administrimin e tyre vijën bregdetare. Përveç masave të detyrueshme, Ministria
ka përgatitur dhe kontratën tip, e cila do të përdoret nga organet e qeverisjes
vendore në momentin e dhënies me qira të hapësirave që do të menaxhohen
përgjatë sezonit nga subjekte private. Kemi përcaktuar kriteret që duhet të
përmbushen për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit. VKMja
përcakton standarde dhe kushte të detyrueshme sa i takon pastrimit dhe
higjienës, numrit të tualeteve, dusheve dhe kabinave të zhveshjes, në raport me
numrin e përgjithshëm të çadrave. Për çdo 50 çadra, duhet të ketë të paktën një
dush dhe 2 kabina zhveshjeje. Vendimi i porsamiratuar përcakton se largësia e
vendosjes së çadrave nga njëratjetra
nuk duhet të jetë më pak se 7.5 metra. Një
tjetër element shumë i rëndësishëm është reklamimi i çmimit për çdo shërbim
që ofrohet, në mënyrë të dukshme për publikun. Duke qenë vend anëtar i
Organizatës Botërore të Turizmit, kemi propozuar që veprimtaria të ushtrohet
në zbatim të Kodit Botëror të Etikës në Turizëm. Kriteret që duhet të
përmbushen për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, janë konform
standardeve evropiane. Është e qartë se në këtë mënyrë industria e turizmit do
të futet në rrugën e duhur të zhvillimit të qëndrueshëm. Por suksesi i plotë do të
arrihet kur të gjitha ne institucionet shtetërore do të intensifikojmë dhe
bashkërendojmë punën me sektorin privat për të çuar përpara zhvillimin e
sektorit, nëpërmjet zbatimit të standardeve të cilësisë.

Ju thoni që do të vendosen kabina dushi, telefoni apo kabina
zhveshjeje publike. Kush do detyrohet që t’i vendosë ato dhe si do
monitorohen?
Monitorimi i zbatueshmërisë së kritereve të miratuara do të kryhet nga ne si
Ministri e Zhvillimit Urban edhe Turizmit, nga njësitë e qeverisjes vendore, si
edhe nga vetë qytetarët. Njësitë e qeverisjes vendore e kanë përgjegjësi të tyren
zbatimin, po nga ana tjetër ne si Ministri do të sigurojmë që ky proces
monitorimi të kryhet në mënyrë të vazhdueshme edhe rigoroze për të pasur
shërbime më cilësore për qytetarët. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, si një
institucion varësie i Ministrisë, ka si objekt të punës së saj garantimin dhe
promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në zonat bregdetare.
Agjencia do të garantojë kontrollin e territorit në këto zona dhe në
bashkëpunim të ngushtë me organet e qeverisjes vendore edhe monitorimin e të
gjithë veprimtarive që ushtrohen në zonat bregdetare. Politikat për zhvillimin e
turizmit bregdetar janë në fokus të punës së Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe
Turizmit dhe pjesë integrale e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit,
si një nevojë për t’u bërë pjesë e politikave të Bashkimit Europian për zonat
bregdetare.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate