
Ditën e dielë në portin më të madh të vendit u ankorua kroçera “Seven seas mariner” me 699 turistë në bord. Përfaqësuesi i agjencisë pritëse, Arjan Çyrbja tha për ATSH-në se deri në fund të muajit tetor të këtij viti vetëm kjo agjenci do të trajtojë 12 kroçera të tilla, me një numër udhëtarësh që disa herë arrin në 1200 vetë për çdo anije.
Këto janë lajme të mira për turizmin me kroçera, po të kesh parasysh se në këtë sektor ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe 4-5 agjenci të tjera pritëse. Gjithçka i shkon për shtat edhe deklaratave të ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili gjatë dy vizitave të tij në portin më të madh të vendit ka theksuar nevojën e përmirësimit dhe modernizimit të standardeve dhe kushteve të pritjes së kroçerave në Durrës. Në të njëjtën linjë drejtori ekzekutiv i APD, Selim Belortaja ka vlerësuar se një nga prioritetet e portit do të jetë hapja dhe bashkëpunimi i tij me qytetin.

Edmond Basho, ekspert në një nga agjencitë e mëdha turistike të vendit, vlerëson se në përgjithësi, jo më shumë se gjysma e turistëve në bordin e kroçerës kanë parablerë ofertën turistike shqiptare për vizita në Krujë, Tiranë, e më rrallë edhe në Berat. Ata nisen të organizuar me autobuzë dhe guida drejt destinacioneve të përcaktuara, ndërsa pjesa tjetër dalin nga anija dhe porti për tu njohur drejtpërdrejt me qytetin e Durrësit. Një shans i mirë për bizneset e bulevardit kryesor dhe të bregdetit. E po ashtu një mundësi për t’i joshur ata drejt Amfiteatrit apo Muzeut etnografik. Fatmirësisht, të gjitha monumentet dhe objektet me vlerë në qytetin historik gjenden brenda një itinerari prej jo më shumë se 800 metra.
Këtë vit turistët e huaj do të orientohen më lehtë në Durrës falë 27 tabelave të detajuara me vendndodhjet dhe me informacionet e nevojshme dygjuhëshe për monumentet dhe objektet arkeologjike të qytetit me histori 3-mijëvjeçare. Pas këtij investimi bashkia pritet të verë në efiçencë të plotë Zyrat e informacionit turistik.

Nessun commento:
Posta un commento