25 aprile 2014

Himarë: Sezoni turistik, masa për t’i paraprirë çeljes së tij

-Reportazh-
Ne plazhet e Himares Foto Harilla Koçi..
Ne plazhet e Himares Foto Harilla Koçi..
25 prill/ATSH-Harilla Koçi/.-Përgatitjet për sezonin turistik në bregdetin e Himarës kanë filluar. Pavarësisht se moti nuk është stabilizuar ende, atmosferën e verës dhe të të gjithë “aksesorëve” që lidhen me të, këto ditë e përjeton ngado në hapësirën e perlës së turizmit shqiptar.
Nuk janë thjesht përgatitjet e operatorëve turistikë, të cilët janë angazhuar prej javësh në këtë drejtim, por edhe projektet që ka përgatitur Bashkia e Himarës, elementët që e përforcojnë këtë perceptim. Sivjet synohet diçka ndryshe, diçka që duhet t’i japë një impakt më të plotë dhe më të gjerë zhvillimit të turizmit. Janë resurse të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Drejtuesit e bashkisë, por edhe mjaft operatorë në këtë bregdet të bukur dhe të jashtëzakonshëm, mendojnë se, në shumë drejtime, turizmi është zhvilluar në mënyrë spontane, rrjedhojë dhe për meritë të vetë operatorve turistikë.
-Çelja zyrtare e sezonit turistik, një festë e madhe popullore-
Ne plazhet e Himares Foto Harilla Koçi...
Ne plazhet e Himares Foto Harilla Koçi…
Në fundjavën e ardhshme, Bashkia e Himarës ka planifikuar të çelë zyrtarisht sezonin turistik veror 2014. Kryetari i Bashkisë, Gjergji Goro, thotë për ATSH-në se kjo ngjarje do të jetë një festë e vërtetë popullore, jo vetëm dhe thjesht për shkak të pjesëmarrjes, por të dimensioneve dhe cilësisë së organizimit. “Jeni të ftuar atë ditë për të parë nga afër se çfarë përmasash do të ketë kjo festë”, na fton ai, ndërkohë që thekson se, në këto dy ditë në Himarë do të ftohen të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të qeverisë, të biznesit, persona publikë. Sipas tij, do të synohet të evodentohen resurset e vërteta të turizmit në Himarë, do të evokohet tradita në gatime, në veshje dhe në artin popullor. Festa do të shtrihet në një gjeografi të gjerë, ndërkohë që do të shfrytëzohet edhe hapësira detare për të krijuar një larmi kombinimesh që evidentojnë bukuritë natyrore. “Do të jetë një organizim i shkëlqyer, që nuk është bërë asnjëherë më parënë Himarë në funksion të turizmit”, citon Goro, për të cilin impakti i kësaj dite duhet të jetë iplotë.
Ne plazhet e Himares Foto Harilla Koçi.
Ne plazhet e Himares Foto Harilla Koçi.
-Promocioni, një element i pashfrytëzuar-
Një nga gjërat që i kanë munguar zhvillimit të turizmit në bregdetin e Himarës, sipas kryetarit të Bashkisë, Gjergji Goro, është promocioni. “Për një pjesë të madhe të pushuesve nga zona të ndryshme të vendit, Himara turistike është ende ajo e viteve ’70-të, apo ’80-të, sepse ka munguar plotësisht promovimi i vlerave të ridimensionuara të turizmit këtu”, thotë ai. Goro shton se, Himara turistike tashmë ka ndryshuar, nuk është ajo e viteve të shkuara, kur pushuesit vinin merrnin nga një dhomë për 10-15 ditë dhe shfrytëzonin bregdetin për të kaluar pushimet. “Himara është krejtësisht e ndryshme, me një strukturë turistike të zhvilluar, me hotele e lokale, me mundësi argëtimi të larmishme që ofrojnë standarde bashkëkohore. Por, për këto spontaneiteti promocional ka nisur të ndryshojë dhe të zëvendësohet nga një strategji e detajuar. Bashkia po punon në këtë drejtim, duke u vënë drejtpërdrejt në rolin që duhet, për t’i paraprirë zhvillimit të turizmit duke shfrytëzuar të gjitha resurset natyrore dhe njerëzore në këtë drejtim.
-Mjedisi, një faktor i rëndësishëm-
Por, për zhvillimin e turizmit, kërkohen edhe standarde mjedisore. Në këtë fushë, përpjekjet janë përqëndruar në tre drejtime kryesore. Së pari, po punohet për pastrimin e mbetjeve të ndërtimeve pa leje që u prishën pak javë më parë. Sipas drejtuesve të bashkisë, ndërtimet e mësipërme, cënonin rëndë standardet mjedisore. Nga ana tjetër, në bashkëpunim me firmën që ka sipërmarrjen e pastrimit, është bërë një riorganizim i gjeografisë së përfshirë në aktivitetin e saj dhe grafiku i ndërhyrjes në pikun e sezonit, duke shtuar edhe numrin e koshave, apo konteinerëve, si edhe ritmin e punës së largimit të mbetjeve.
-Ujrat e zeza, një shqetësim që kërkon zgjidhje emergjente-
Por, trajtimi i ujrave të zeza, është një problem i hershëm që edhe këtë vit, do të mbetet në kuadrin e zgjidhjeve të përkohshme. Problematike në këtë drejtim është zona e “Potamit”, siç emërtohet pjesa jugore e bregdetit në qytetin e Himarës, që ende ka mbetur jashtë sistemit të kanalizimeve. Ndërkohë, në pjesët e tjera të bregdetit himariot, ujrat e zeza do të vazhdojnë të trajtohen me sistemin e gropave septike, duke ushtruar një kontroll më të rreptë nga ana e inspektorëve të bashkisë për standardet e trajtimit të tyre nga ana e subjekteve.
-Pritshmëria e pushuesve, më e madhe se vitet e tjera-
Duke analizuar masat që ka marrë dhe ato që do të merren e do të aplikohen, drejtuesit e Bashkisë së Himarës, janë optimistë se, pritshmëria e pushuesve, do të jetë më e lartë krahasuar me vitet e tjera. Përgjatë bregdetit që administrohet nga kjo njësi e qeverisjes vendore, që nis nga Palasa e vazhdon deri në Qeparo, janë në dispozicion rreth 3000 shtretër që ofrohen nga hotelet dhe subjekte të tjera të ngjashme të cilat janë të rregjistruara në Bashki dhe paguajnë taksa. Ndërkohë, 4 apo 5 herë më shumë, përfshihen në atë që emërtohet sektori i turizmit familjar, por të parregjistruara. Janë rreth 15000 shtretër, që përballojnë një kapacitet të konsiderueshëm pushuesish, pa përfshirë ata ditorë, që janë po aq të shumtë. Me këto të dhëna, si dhe me standardet e përmirësuara të infrastrukturës rrugore, drejtuesit e Bashkisë së Himarës, mendojnë se numri i pushuesve do të shënojë rritje./z.t/http://www.ata.gov.al/himare-sezoni-turistik-masa-per-ti-paraprire-celjes-se-tij-98334.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate