23 aprile 2014

A është koha për një ligj për Trashëgiminë Kulturore

NGA VASIL S. TOLE                           23 Prill 2014 - 08:54

 TIRANË- Trashëgimia Kulturore e Shqipërisë është një nga pasuritë më me vlerë që populli dhe shteti shqiptar zotëron, krahas pasurive natyrore e mjedisore, atyre ekonomike dhe burimeve njerëzore. Ndër të tjera, Kushtetuta në nenin 3 të saj e detyron shtetin që të respektojë dhe mbrojë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare si të tilla. Pjesë e kësaj trashëgimie është edhe ajo shpirtërore e krijuar nga njeriu ynë, e mbartur dhe transmetuar nga njeri brez në tjetrin deri më sot.

Aq e fortë është rëndësia e kësaj trashëgimie në popull saqë shtëpia që të paktën s’kishte një vegël muzikore dikur konsiderohej “shtëpi e lanun”, kupto e braktisur! Pasuria, larmia, vlerat dhe problematikat e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri kërkojnë një vëmendje të veçantë ligjore.

Shpallja e iso-polifonisë në vitin 2005 si pjesë e “Listës së dukurive shpirtërore UNESCO”; krijimi në vitin 2010 i “Listës së Kryeveprave Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore”, dhe së fundmi ngritja e strukturave përkatëse të administrimit të kësaj trashëgimie pranë Ministrisë së Kulturës janë vetëm disa hapa në drejtimin e duhur. Aktualisht shtrohet pyetja se edhe për sa kohë ruajtja dhe transmetimi i trashëgimisë shpirtërore do të bëhet jashtë logjikës së një ligji të përveçëm dhe tërësor kushtuar asaj?
 
Çfarë hyn ne trashëgimi kulturore shpirtërore
Faktikisht,  përvojat e para për të krijuar legjislacion të posaçëm për trashëgiminë kulturore shpirtërore janë të reja syresh, kjo edhe në nivel ndërkombëtar. Në vitin 1989, UNESCO aprovon disa rekomandimeve për mbrojtjen e kulturë tradicionale dhe folklorit, të cilat gjetën menjëherë zbatim në vendeve e saj anëtare.

Në këto vite ende nuk ishte definuar termi “trashëgimi kulturore shpirtërore” ose “trashëgimi kulturore jo materiale”, ndërkohë që trashëgimia kulturore materiale si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar mbrohej, njihej, studiohej dhe administrohej gjerësisht përmes konventave, ligjeve dhe rregulloreve të veçanta të secilit vend. Data të rëndësishme në nivel ndërkombëtar i kushtoheshin trashëgimisë materiale si 18 prilli –“Dita ndërkombëtare e muzeve dhe siteve” ose 18 maji e njohur si “Dita ndërkombëtare e muzeve” etj.

Vetëm në 17 tetor të vitit 2003, për mendimin tim mjaft vonë për të shpëtuar dhjetëra e qindra dukuri shpirtërore të popujve të botës: duke filluar nga gjuha  e folur dhe e shkruar, dialektet dhe nëndialektet e saj; nga folklori dhe llojet e tij; ritualet dhe spektaklet popullore; dukuritë, njohjet dhe praktikat arkaike tradicionale të lidhura me natyrën dhe gjithësinë; besimet, doket dhe zakonet popullore kombëtare, të shoqëruara me faza të ndryshme të ciklit të jetës së njeriut dhe zakonet e shoqëruara me marrëdhëniet sociale, etj, etj, u hartua dhe aprovua Konventa e UNESCO-s “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore”.
 
Konventa e 4 prillit 2006
Shqipëria e ratifikoi këtë Konventë më 4 prill 2006, ndërkohë që hyri në fuqi më 20 prill 2006, duke e bërë kësisoj Shqipërinë një nga vendet e para në të cilin ky dokument ligjor do të zbatohej. “Nxitimi” për ta përqafur këtë konventë kishe arsyet e veta. Si në pak vende të tjera të kontinentit Europian, në territorin e Shqipërisë ishte koncentruar një pasuri kulturore shpirtërore e cila zë fill që me lindjen e krijimtarisë gojore të njerëzimit, prej kohëve Homerike e deri në ditët e sotme.

Shprehja proverbiale e të huajve në shekujt  XIX-XX se: “Pasuria kryesore e shqiptarëve është folklori, por ka edhe krom dhe naftë”, janë vetëm një shenjë për të kuptuar rëndësinë e kësaj trashëgimie, por edhe faktin se izolimi i gjatë, terreni malor dhe shumë arsye të tjera që lidhen me gjeopolitikën, kishin konservuar në zemër të Evropës një pasuri shpirtërore të pashoqe që nuk u përket vetëm shqiptarëve. Pikërisht, zgjerimi i konceptit të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore edhe në sferat jo-materiale pas vitit 2006, solli sa një përmasim të mbrojtjes së saj por edhe një lulëzim, shpërfaqje të ideve, projekteve dhe mesazheve që shtetet dhe popujt e botës filluan ti jepnin njeri tjetrit.

Një listë e “Dukurive shpirtërore” prej 327 elementesh është krijuar dhe vijon të përditësohet pranë UNESCO- ashtu si “Lista botërore e monumenteve materiale” me 981 monumente në të. Të shumë ishin shtetet të cilat filluan të reflektonin idetë e  pasjes së ligjeve të reja kushtuar posaçërisht “Trashëgimisë kulturore jomateriale-shpirtërore”.... Nuk mendoj se është zgjidhje afatgjatë edhe amendimi i ligjit aktual të trashëgimisë kulturore për të plotësuar në mënyrë gjithsesi fragmentare, pjesën shpirtërore brenda tij!
 
Kush e kërkon ligjin e ri
Shpreh bindjen se të gjithë të interesuarit do të shprehen pozitivisht për nevojën e hartimit të një ligji të ri i cili do të shprehet edhe për: përcaktimin e objektivave dhe qëllime; mbi parimet e politikës shtetërore për trashëgiminë kulturore shpirtërore dhe kuptimin e saj; për përcaktimin e llojeve dhe vlerave të kësaj trashëgimie, të  emblemës dalluese dhe të “Ditës kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore”; të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen dhe të atyre të specializuara; në përcaktimin e  detyrave të Ministrisë përgjegjëse për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore dhe funksionet e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore; të krijimit të Komitetit Shtetëror të Gjuhës Shqipe; të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore dhe të drejtorive rajonale të TKSH-së; të organizmave vendorë të trashëgimisë kulturore shpirtërore, të Dhomës Kombëtare të Artizanatit Tradicional; të përcaktimit të rregullave për “Koleksionistët e trashëgimisë kulturore shpirtërore”, për Muzetë e trashëgimisë kulturore shpirtërore, për krijimin e Fondit publik për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore, për “Listat kombëtare e Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, etj, etj.

Ligji i ri duhet dhe do të rregullojë me pak fjalë:... marrëdhëniet ligjore që rrjedhin nga proceset e ruajtjes, mbrojtjes, zhvillimit dhe popullarizimit të vlerave kulturore në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore, përfshirë edhe çështjet e identifikimit, dokumentimit, studimit, zbatimit, rikrijimit, shpërndarjes së vlerave kulturore shpirtërore, mbrojtjen e të drejtave të autorit mbi këto vlera, të mirëmbajtjes dhe trashëgimit të këtyre vlerave në Republikën e Shqipërisë, në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe të komunikimit kulturor mes popujve.

Pyetjes së fillimit se “A është koha për një ligj të ri kushtuar trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe gjuhës shqipe si vektori kryesor i kësaj trashëgimie?”, koha vetë i përgjigjet me një PO të madhe. Së fundi, kur ruan trashëgiminë shpirtërore mbron drejtpërsëdrejti vetë njeriun, ndërsa në rastin e vlerave materiale thjesht produktin e tij, sigurisht të çmuar!

 (Botuar me shkurtime-Dh.H) 

Shkrimi u publikua sot (23.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/a-eshte-koha-per-nje-ligj-per-trashegimine-kulturore-211066.html#sthash.hiYzIXIK.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate