NGA JULIAN HILA 02 JANAR 2013 16:53
LEZHE Për të mbushur arkën e financës dhe boshllëqet e krijuara nga mosrealizimi i të ardhurave në disa zëra, Bashkia e Lezhës do t’i kërkojë këto para tek turistët që e vizitojnë këtë qytet. Duke filluar që
nga muaji janar i këtij viti tarifa për të parë varrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu do të dyfishohet. Kjo rritje e çmimit është argumentuar me faktin se vizitorët dhe turistët nuk do pengohen nga kjo rritje, madje vlerësohet si një tarifë mjaft e ulët e krahasuar me vendet e tjera që kanë asete me rëndësi kaq të madhe. Vendimi për rritjen e çmimit, i cili është miratuar edhe nga Këshilli Bashkiak është bërë i ditur nga drejtori i Kulturës në këtë njësi vendore, Bardh Dedegjonaj.
Sipas Dedegjonaj dyfishimi i hyrjes në këtë memorial nuk do të ulë aspak numrin e vizitorëve dhe turistëve që çdo vit ka qenë në rritje.
“Rritet tarifa sepse tarifa prej 100 lekësh për të vizituar memorialin e Skënderbeut dhe muzeun etnografik me mbi 830 objekte na dukej një tarifë fare minimale, që në asnjë vend tjetër të Ballkanit nuk gjendej. Prandaj u mendua që me propozimin tonë dhe me rënien dakord të Bashkisë është vendosur një tarifë prej 200 lekësh. Memoriali i Skënderbeut është një resurs i jashtëzakonshëm jo vetëm për Lezhën, por edhe për gjithë Shqipërinë, kështu që ai që niset nuk mund të tërhiqet për një rritje tarife prej 100 lekë”, u shpreh Bardh Dedgjonaj, drejtor i Kulturës në Bashkinë Lezhë. Dyfishimi i kësaj tarife nga 100 lekë në 200 lekë të reja për çdo vizitor apo turistë, konsiderohet si një vlerë për një aset kaq të rëndësishëm historik siç është varri i Skënderbeut, ndërsa nga rritja e çmimit do të përjashtohen fëmijët dhe nxënësit e shkollave nën 18 vjeç, të cilët do të vazhdojnë të paguajnë 100 lekë të reja.
Redaksia online
eç/ad.ti/shqiptarja.com
Nessun commento:
Posta un commento