Nga: Ben Andoni
Ka vite që pas listimit të Beratit dhe Gjirokastrës në UNESCO, autoritetet qendrore dhe vendore të Shqipërisë pretendojnë se misioni u përmbush, ndërkohë që një material i fundit tregon gjendjen e rëndë në këto dy qytete dhe më shumë akoma dështimin e autoriteteve shqiptare të dy niveleve për mbarëvajtjen e tyre
Lajmi i gjendur në sitin e UNESCO-s është i thjeshtë, por nga autoritetet shqiptare qendrore dhe vendore nuk është bërë fare i njohur ose debatuar në rrafsh specialistësh. Pak ditë më parë, Komiteti i Trashëgimisë Botërore (WHC), i ka kërkuar Shqipërisë të përgatisë një “Status of Conservation Report” (‘Raport për statusin e konservimit”) ku duhet të evidentoheshin të gjitha problemet që ekzistojnë në qytetet shqiptare të UNESCO-s, Berat dhe në Gjirokastër. Raporti, i miratuar dhe nga pala shqiptare, e cila është pjesë e bordit, ka treguar gjendjen aspak të mirë të dy qyteteve tona, por më shumë akoma rrezikun real, që ato paraqesin për të ardhmen në lidhje me statusin e tyre nën ombrellën e UNESCO-së.
Ky raport është paraqitur nga qeveria drejt WHC, Komitetit të Trashëgimisë më 1 Shkurt. Bazuar në këtë raport, WHC përgatiti Vendimin e tij. Aktualisht, Komiteti i Trashëgimisë Botërore WHC nuk e ka diskutuar situatën apo raportin në mbledhjen vjetore të strukturës së saj. Dhe, ky vendimi i saj nuk është shtruar për diskutim, që nënkupton se do të kishte vërejtje.
Çfarë do të thotë kjo
Kjo do të thotë me pak fjalë që UNESCO do të dërgojë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm një mision për të investiguar situatën dhe ka shumë të ngjarë (gjithmonë me ftesën e palës shqiptare), sipas një specialisti të huaj që punon në strukturat që merren me trashëgiminë, se ky mision do të rekomandojë për UNESCO-n që ta vendosë Beratin dhe Gjirokastrën në “List of World Heritage Sites in Danger” (Listën e siteve botërore të Trashëgimisë në Rrezik). Ky vendim mund të merret në mbledhjen vjetore në 2013 nëse qeveria shqiptare nuk do pajtohet me kërkesat e UNESCO apo do të arrijë të marrë hapa decisivë në zgjidhjen e problemeve të referuar. Për mendimin e shumë specialistëve, që nuk duan të prononcohen në lidhje me këtë lajm, problemet janë aq të rënda, saqë është shumë e vështirë për t’i zgjidhur ato brenda vitit 2013 dhe është gati e pamundur në një logjikë normale që të mos shmanget përfshirja e tyre në listën e Objekteve të Trashëgimisë Botërore të Rrezikuara.
“Pikëpamja ime personale, thotë një nga të huajt që punojnë në këto qytete dhe që s’do të prononcohet publikisht, është se kjo është një nga gjërat më të mira që mund të ndodhin për Beratin dhe Gjirokastrën sepse ato paraqesin realisht një situatë dramatike dhe ky vendim do ta detyrojë qeverinë që të veprojë shumë më aktivisht për t’i mbajtur nëse do të dëshirojë që të kenë dhe në të ardhmen statusin e qyteteve të Beratit dhe Gjirokastrës si site Botërore të Trashëgimisë”.
Nëse do të mëtohej se ku të përcjell fakti, nëse përkeqësohet situata dhe se ç’farë dënimi më të madh do mund t’i jepej Shqipërisë, kjo do të ishte deri në tërheqjen e statusit të trashëgimisë botërore.
Pse nuk e tregojnë përfaqësuesit
shqiptarë
Kjo është më e thjeshta, për specialistët që pyeten. Nëse përfaqësuesit shqiptarë do ta tregonin këtë situatë, kjo do të bënte të qartë realisht të pohohej se qeveria ka dështuar totalisht në mbrojtjen e Beratit dhe Gjirokastrës; se qeveria nuk i ka përmbushur kërkesat e UNESCO-së dhe se qeveria s’ka thënë të vërtetën para publikut në lidhje me situatën e vërtetë të Beratit dhe Gjirokastrës dhe mbi të gjitha sesi të dy qytetet: Berati dhe Gjirokastra do të humbnin shumë vëmendjen e turistëve jo vetëm për ato fotografitë e bukura të ofruara por edhe për artikujt e shumtë të shkruar për këto qytete që në realitet do të thotë se nuk kanë treguar të vërtetën për to.
Pak javë më parë, MAPO, në një nga reportazhet e saj ka treguar betonimin e Gjirokastrës. Me të njëjtën problematikë përballet dhe qyteti i Beratit. Ndërsa pushteti qendror dhe vendor në Shqipëri, në vend që të merren me imperativa, prej vitesh janë në garë për të treguar më të mirat, ato mohojnë mundësinë e bashkëpunimit për të mirëmbajtur si duhet këto site.
Raporti
Pika 4
4.
Në rastin aktual të Beratit dhe Gjirokastrës, pala shqiptare (Albanian State Party) ka paraqitur një raport me kërkesën e Komiteti i Trashëgimisë Botërore WHC më 1 Shkurt dhe në përgjigje të Qendrës së Trashëgimisë Botërore ka skicuar vendimin 35 COM 7B.82. Qendra e Trashëgimisë Botërore ia ka paraqitur Draftin e Vendimit palës shqiptare për miratim dhe që në momentin që pala Shqiptare e ka miratuar dhe që kur asnjë nga anëtarët e WHC s’ka kërkuar një diskutim, drafti i Vendimit është adoptuar nga WHC pa asnjë diskutim në mbledhjen…
5.
Sipas vendimit, tani varet nga pala shqiptare që të ftoj nga ana e saj ICOMOS / misionin e UNESCO në Shqipëri. Vetëm atëherë ky mision mund të përmbushet. Nëse qeveria shqiptare vonon ftesën, atëherë pritet që misioni do të shkojë më vonë këtij muaji apo në fillim të vitit të ardhshëm. Bazuar në raportin e misionit, do të skicohet një vendim i ri ( dhe sërish do të koordinohet me palën shqiptare) dhe ky do t’i paraqitet Mbledhjes së WHC për votë. Nëse raporti i misionit nuk do të finalizohet dhe adoptohet përpara 1 shkurtit të vitit 2012, votimi nuk mund të ndodhë në Mbledhjen e WHC të vitit 2012 por vetëm 2013.
Pala shqiptare gjithashtu duhet që deri më 1 Shkurt të vitit 2013 të merret me kërkesat e tjera të listuara në Vendim.
Rruga e Gjirokastrës në UNESCO
-Në 19 shtator 2001 viziton qytetin e Gjirokastrës Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s japonezi Koichiro Matsuura me iniciativën dhe nxitjen e shkrimtarit të shquar gjirokastrit Ismail Kadare. “Shkrimtari i madh shqiptar nga ky qytet Ismail Kadare, në Paris më tha: “Shko në qytet, shikoje atë!” dhe unë erdha. Ajo çka pashë më kënaqi pa masë. Gjirokastra është një nga 4 kandidatet që qeveria shqiptare ia ka dërguar UNESCO-s”, tha ai. Ai deklaroi se Gjirokastra e meritonte të hynte në Listën e Pasurive Botërore.
-Sinjali i parë zyrtar nga Gjirokastra, ishte prezantimi në mesin e vitit 2008 para ambasadorëve të UNESCO-s në Pallatin e Burbonëve në Paris nga ish-kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Ylli Asllani i dosjes me titullin “Gjirokastra SOS”. Në prani të shkrimtarit Ismail Kadare, të ish-ambasadorit të Shqipërisë në UNESCO Jusuf Vrioni, ish-kryebashkiaku Asllani krahas prezantimit me imazhe të vlerave të qytetit, prezantimit të gjendjes alarmante të monumenteve të rrënim të tij, parashtroi kërkesës për pranimin me procedurë të përshpejtuar, si një veprim që mund të ndikonte në ndalimin e rrënimit.
-Dosja e parë e aplikimit zyrtar u përpunua në periudhën 1998 - 1999 nga bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim me ekspertët e Drejtorisë së Monumenteve në Gjirokastër dhe ata të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe ju nis UNESCO-s në fillim të vitit 2000, por dosja nuk përfshinte të gjitha standardet e aplikimit, prandaj ajo u kthye për t’u ripunuar nga ekspertët sipas disa rekomandimeve të UNESCO-s.
-Në vitin mesin e vitit 2003 nga UNESCO-ja kthehet dosja e parë dhe nis përgatitja e dosjes së dytë nga MKRS, nga Bashkia e Gjirokastrës dhe nga Instituti i Monumenteve të Kulturës nën drejtimin e profesor Emin Rizës dhe në bashkëpunim me ekspertë italianë të monumenteve nga rajoni i Markeve dhe nga Fondacioni Packard. Pas ripunimit dosja e dytë niset për në selinë e UNESCO-s në Paris, e plotësuar me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe me argumente të tjera për pranimin e Gjirokastrës në listën e “Pasurisë kulturore të njerëzimit”.
-Tetor 2003. Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, i pranishëm në “Ditët e Kulturës Shqiptare” në selinë e UNESCO-s në Paris deklaron se ka marrë konfirmimin e Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s Koichiro Matsuura se në korrik 2005, Gjirokastra do pranohet si pasuri e trashëgimisë kulturore botërore.
-Maj 2004, vizitojnë Gjirokastrën 5 ekspertë të UNESCO-s, të cilët vëzhgojnë nga afër problematikën e ruajtjes së monumenteve në Gjirokastër. Në këtë delegacion bënin pjesë ish-drejtori i UNESCO-s për Evropën Juglindore Horst Godicke, arkeologu francez Prof. Pierre Cabanes, Sekretari i Përgjithshëm Ndërkombëtar I ICOMOS kanadezi Dinu Bumbaru, bizantologu italian Gianclaudio Macchiarella dhe përfaqësuesi i zyrës së UNESCO-s në Venecia, kroati Damir Dijakoviç.
-Në një konferencë të përbashkët shkencore të MKRS-së dhe të UNESCO-s në Sarandë, në fund të vitit 2004, zoti Horst Godicke, përfaqësues i UNESCO-s dhe Këshilltar I Drejtorit të Përgjithshëm të saj, Macura, rikonfirmon sensibilitetin e kësaj organizate ndërkombëtare për përfshirjen e Gjirokastrës në Listën së Pasurive Kulturore Botërore.
- Vendimin përfundimtar për shpalljen e qytetit muze të Gjirokastrës, Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore, e mori Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në sesionin e 29 të tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga data 10-17 korrik 2005. UNESCO-ja e vlerësoi Gjirokastrën si një shembull të rrallë të qytetit të mirëmbajtur otoman, që ruan vlera unikale arkitekturore dhe muzeale për kulturën shqiptare, atë europiane dhe më gjerë. Gjirokastra bëhet kështu monumenti i dytë nga Shqipëria pas qytetit antik të Butrintit që pranohet pjesë e trashëgimisë botërore. ‘
(Marrë me shkurtime nga artikulli i Engjell Serjanit për ART&Trashëgimi-2)
Rruga e Beratit
Në Sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë të UNESCO-s të zhvilluar në Kanada më 8 korrik 2008, Berati u regjistrua si sajt i trashëgimisë botërore, nën kriteret III dhe IV. Banesa tradicionale beratase, me zhvillimin e saj vëllimor, pamjen e jashtme dhe posaçërisht bashkëpërqasjen e theksuar të ngrehinave të veçanta, zë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë historiko-kulturore të etnisë iliro-arbëreshe-shqiptare dhe më gjerë, siç e dëshmon dhe cilësimi i Beratit “Pasuri botërore” në vitin 2008, sipas prof, Emin Riza
Në datën 5-14 shtator 2006 në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris u organizua për herë të parë një aktivitet mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit, si qytet-kandidat për regjistrim në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Berati u cilësua si qyteti i vazhdimësisë historike, i tolerancës fetare dhe i diversitetit kulturor. Delegacioni shqiptar u drejtua nga ministri i Jashtëm i asaj kohe, Besnik Mustafaj.
Berati si një qytet me gjurmë të spikatura në periudhat ilire, romane, bizantine dhe otomane, i pasur me kisha të vjetra që nga shekulli XIII – XIX, me piktura të mrekullueshme murale, ikona dhe gdhendje në dru, e justifikonte këtë mision. Arkitektura popullore, e cila ishte margaritari i saj, mbetet pjesë e çmuar e pasurisë së qytetit që përveç lagjeve të tjera ndan monumentalitetin në tri lagje “Kala”, “Mangalem” dhe “Goricë” në formën e ansambleve gati të paprekura që i përkasin shekujve XVIII - XIX. Duhet thënë se që më 1961 qyteti u vu në mbrojtjen e shtetit dhe u shpall qytet muze.
http://revistamapo.com/lexo.php?id=3132
Nessun commento:
Posta un commento