30 gennaio 2013

88 kisha me kamera sigurie, Instituti i Monumenteve të Kulturës është duke hartuar projektin


Valeria Dedaj- më 30.01.2013
Instituti i Monumenteve të Kulturës është duke hartuar projektin për survejimin me kamera sigurie për 88 kisha me afreske me vlerë. Specialistët janë duke punuar edhe për rikompozimin e pikturave murale të Onufrit, ato pjesë që u gjetën përdhe pas grabitjes në kishën e Valshit
-Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës janë duke punuar për rikompozimin e pikturave murale të Onufrit. Pas një vëzhgimi nga afër të gjendjes në Kishën e Shën e Premtes në Valsh, kanë sjellë me vete në laboratorin e restaurimit dhe arteve pjesët e copëtuara që kishin mbetur nga grabitja, me shpresën se mund të arrijnë të rikompozojnë diçka. Por sipas drejtuesit të grupit restaurator Agron Islami është ende herët për të folur për një rezultat paraprak. 
Duke marrë shkak nga kjo situatë specialistët në IMK janë duke hartuar projektin për survejimin e 88 kishave me kamera sigurie. Projekti mbyllet në kohë rekord, brenda javës. Për këtë dhe për projekte të tjera të cilat do të zbatohen në gjashtëmujorin e parë të vitit, “Shekulli” ka bërë një bisedë më të gjatë me drejtorin e IMK, Apollon Baçe. Ndër të tjera Baçe thotë se po punohet për platformën e reformës së institucioneve të monumenteve të kulturës. “Me Ministrin e Kulturës, Bumçi kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe kemi miratuar një strukturë që të mos jemi më të hallakatur.” Ndër të tjera ai radhit realizimet e disa projekteve të vitit që lamë pas si çeljen e ekspozitave në Romë dhe Torino, restaurimin e Mauzoleut të Nënës Mbretëreshë etj.
Zoti Baçe, sapo jeni kthyer nga prezantimi i dytë në Itali i “Thesare të Trashëgimisë Kulturore”. Si është pritur ekspozita atje?
Kjo është një ekspozitë  kërkojmë që tregon se në Shqipëri ka një qytetërim të lashtë që vazhdon deri në ditët tona. Në një sipërfaqe 1200 metër katrorë janë ekspozuar në Torino rreth 200 objekte të të gjitha etapave në të cilat ka ecur kjo shoqëri. Mendoj se ishte një ekspozitë pozitive dhe pse tek ne kaloji në mënyrë tangjente. Në Romë numri i vizitorëve mund të ketë qenë rreth 45 mijë sepse dhe ishte falas. Në Torino shkon 10 euro bileta, por mendohet që të ketë një numër të lartë. Midis të pranishmëve nga vendi ynë ishte Presidenti i Republikës Nishani. Aty ekspozohen objektet më të rralla nga Korça, Durrësi, Apolonia. Do të veçoja ikonat e Onufrit, ikonografi më i madh i artit tonë pasbizantin. Dëshiroj që ekspozita të vazhdojë rrugëtimin dhe në Kosovë. 
Ndalemi pikërisht te “ikonografi më i madh i artit pasbizantin”. Ju nuk shprehur për shkatërrimin e afreskeve të rij në Valsh. Ndërkaq mësojmë se Instituti juaj ka marrë përsipër restaurimin e tyre. Çfarë mund të presim nga kjo?
Është shkatërrim i vetëdijshëm i maskuar si grabitje, pasi unë nuk di që afresket mund të shiten. Nisem nga mënyra si i kanë shkatërruar, duke e figurën, një pjesë e kanë shkërmoqur fare etj. Nuk e kam idenë se për cilin treg mund të shërbejë ky shkatërrim. Në këtë mes është një vandalizëm i paparë. 
Ndërkohë që specialistët tanë kanë mbledhur gjithë copat që kanë shpëtuar, shikoj se ka një lloj indiference nga pushteti gjyqësor dhe nga ana e policisë. Nuk e di se po çfarë po bëjnë. Kur i pyesim na thonë se kemi sekretin e hetimit, por se çfarë është ky sekret nuk e di. Unë kam shumë pikëpyetje ndaj policisë.
Dëmi është shumë i madh, por të paktën nga ana vizive mund ta minimizojmë sadopak. 
Ne kemi mbledhur gjithë copat e mundshme që ishin në kishë. Ato që janë shkërmoqur me daltë, po mundohemi t’i rregullojmë. Mendoj se mund të rregullohet vetëm 20%-30% të dëmit. Pjesën tjetër do të integrojmë duke e vizatuar. Do të bëjmë maksimumin e mundshëm. 
A shërben rasti i Shën e Premtes si rast për të reflektuar për sistemin e mbrojtjes së monumenteve? 
Është diçka e pamundur që të ruash të gjithë monumentet me roje. Janë rreth 2200 monumente në të gjithë vendin dhe për këtë do të duheshin të paktën rreth 10 mijë vetë. 
Aktualisht jemi në përfundimin e projektit të një sistem sinjalizimi duke vendosur kamerat e survejimit që do t’i shkojë policisë dhe rojeve të sigurimit. Mendoj se ky projekt nuk ka një kosto e lartë. Brenda kësaj jave ne e përfundojmë. Kjo do të jetë jo vetëm për Onufrin, por për të gjitha kishat që kanë vepra arti. Është hera e parë që ne do të praktikojmë një projekt të tillë. Dhe meqenëse avokati kryesor po bëhem unë, duhet të sqaroj se IMK nuk përgjigjet për këtë pjesë. Struktura deri sot varet nga drejtoria e MTKRS-së, dhe drejtoritë rajonale të monumenteve. Prandaj për sa i përket anës juridike ne nuk kemi asnjë përgjegjësi. Por nga ana morale, padyshim që kemi përgjegjësi, pasi merremi me këtë fushë. 
As për rrëshqitjen e dherave pranë teatrit antik në Apoloni nuk mbani përgjegjësi? 
Në këtë pikë mund të them që raportet nuk janë shumë të mira. Kur është bërë gërmimi i vitit ’70 ka qenë pa kriter, sepse janë bërë nga lart-poshtë, teknikisht ka qenë gabim dhe ka pasur rrëshqitje nga një burim uji. Por rrëshqitjet e dheut nuk janë gjynahet tona, janë gjynahet e ekspeditës gjermano-shqiptare, e cila e dinte fare mirë se mund të rrëshqiste dheu dhe ata vazhduan të bëjnë punimet e shkallës së dytë. Ky është një terren që duhej ndjekur nga studim hidro-gjeologjik dhe pa marrë leje. Mendoj se përgjegjës janë arkeologët shqiptarë dhe gjermanë. Dhe ngulmoj që ekspedita gjermane së bashku me Institutin e Arkeologjisë të gjejë fonde ku të dojë, edhe nën dhé për ta sjellë në gjendjen që ishte. Gërmimet në një monument nuk bëhen që të shkatërrohet monumenti, po që ta sjellin në një gjendje më të mirë. Nuk është se IMK do të heqë dherat që lënë ata pas gërmimeve dhe ku mund të mbyten fëmijë nëpër vaskat që krijohen nga uji. 
Dëmi i fundit i evidentuar është mozaiku në fasadën e Muzeut Kombëtar. IMK është autor i studimit dhe projektit për restaurimin e kësaj vepre. Çfarë do të bëni ju zoti Baçe për ta shpëtuar?
Kjo është një iniciativë që nuk varet nga IMK-ja, por nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës. Ne kemi qenë konsulentë dhe kemi ofruar vetëm projektin që të bëhet restaurimi. Për realizimin e tij duhen fonde. 
Që prej 2009-s varësia e drejtorive lokale ka kaluar nga jua te Ministria e Kultruës. A nuk ka krijuar kjo shkëputje një ngërç shumë shqetësues për administrimin dhe ruajtjen e monumenteve?
Deformimi i sistemit është bërë që në vitet 1997-’98. Këtu ekziston një orkestër në të cilën secili i bie instrumentit për qejfin e vet. Tashmë IMK nuk është më një institucion nga i cili mbikëqyren monumentet. Besoj që këtë javë do të përfundojmë dhe reformën në të cilën hiqen këto pengesa dhe vendosen njerëz që do të merren direkt me të. Me Ministrin Bumçi mund të themi se e gjetëm gjuhën e përbashkët dhe kemi miratuar një strukturë tjetër që të mos jetë më e hallakatur. 
Sa është buxheti i miratuar nga MTKRS-ja për IMK për këtë vit?  
Nuk jemi akoma të qartë për buxhetin në total duhet pyetur në MTKRS Olsi Lafe. Por  ashtu siç ndodh jashtë, ne mundohemi që 20% e ndërhyrjeve të jetë nga shteti. Pastaj të punojmë me institucionet dhe donatorët privatë. 
Çfarë keni prioritet ju këtë vit?
Një prej projekteve më të rëndësishme është “Procesi Lubjana 2” që përfshin përgatitjen e dokumentacionit për nëntë monumente të ndryshme në Republikën e Shqipërisë. Së bashku me MTKRS-ën është përpiluar një listë e monumente si Kalaja e Bashtovës, Hamami i Gjirokastrës etj. Nga konsultimet e fundit na është këshilluar që të vendoset dhe Kisha e Shën e Premtes. Ky projekt synon ndërhyrje arkitektonike, konservuese apo restauruese në afreske dhe bëhet gjithmonë i mundur nga strukturat e Këshillit të Evropës. 
Agron Islami: Po përpiqemi të shpëtojmë diçka nga Onufri 
Specialisti Agron Islami  i cili drejton sektorin e restaurimit në IMK flet për atë që ka mbetur tashmë nga masakra e një pjese të afreskut të Onufrit në kishën e Shën e Premtes në Valsh të Elbasanit. Pjesët e mbetura nga piktura murale gjenden në laboratorin e Sektorit të Arteve dhe Restaurimit në IMK. Islami tregon se kanë mbledhur pjesët e gjetura poshtë çdo portreti në Kishën e Valshit dhe i kanë vendosur poshtë skicës përkatëse të secilës. Dëmtimet e bëra me daltë apo me thikë i kanë copëtuar portretet në  grimca të vogla 2-3cm. “Janë të gjitha pjesët e gjetura të cilat i kemi renditur dhe po punojmë me to. Por ky nuk është pazëll të cilit mund t’ia gjesh kollaj vendin për t’i lidhur pjesët me njëra-tjetrën”, thotë Islami. Pas mbledhjes së pjesëve në vendngjarje, sektori i Islamit është duke hartuar një projekt për mëkëmbur diçka nga afresku i dëmtuar i Shën e Premtes, por ende nuk mund të thuhet asgjë më shumë. E gjithë vështirësia është tek pjesët që mungojnë, “sepse sado të fortë që të jemi në matematikë, asnjëherë nuk mund të themi se sa e përqind e veprës mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Nga dhjetë portrete aktualisht nëntë prej tyre janë shkërmoqur. Një prej tyre është dëmtuar më pak se të tjerat, por përsëri i mungojnë pjesët që të mund të rikompozohet plotësisht. Kjo do t’ia vështirësonte punën cilitdo restauruesi apo artist”, shprehet specialisti.
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=15148&kat=94

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate