23 gennaio 2013

Orteqet në Tropojë, ulet numri i vizitorëve në pikën e Valbonës

Orteqet në Tropojë, ulet numri i vizitorëve në pikën e ValbonësTROPOJË22 Janar 2013
Këto ditë me një mot të ftohtë numri i vizitorëve në pikën turistike të Valbonës është mjaft i ulët. "Është një pauzë pushimi nga vizitorët, por edhe nga banorët që përgatiten për fluksin në rritje të vizitorëve gjatë muajit mars e në vazhdim. Kjo edhe për shkak të orteqeve, që janë të pranishme rëndom në këtë zonë në këtë periudhë", tregon kryetari i komunës së Lekbibajt, Rexh Biberaj. 

Ai pohon se, gjatë këtyre ditëve nga banorët po punohet për t’u përgatitur për sezonin pranveror, kur nisi një fluks në rritje i ardhjes së vizitorëve të huaj në pikën turistike të Valbonës. Ndërsa po afrohet mesi i dimrit të gjitha akset rrugore të pikës turistike të Valbonës janë të hapura. Kjo ka lehtësuar përgatitjet që bëjnë banorët për sezonin pranveror. 
"Rrugët të gjitha janë të hapura, por problem mbetet furnizimi me energji elektrike. 5 fshatra të komunës prej ditësh nuk furnizohen me energji elektrike", thotë Biberaj. Sipas tij, punonjësve të CEZ-it u mungon tërësisht baza materiale, gjë që i ka detyruar banorët të paguajnë vetë për blerjen e bazës materiale, që nevojitet për riparimin e defekteve në rrjet. 
Është bërë e zakonshme që në ditët e fundit të janarit dhe gjatë shkurtit numri i turistëve të pranishëm në këtë pikë turistike është mjaft i ulët, gjë që nga banorët shfrytëzohet për t’u përgatitur për pritjen e turistëve në ditët e ardhshme. Pavarësisht nga kjo, prania e turistëve të huaj edhe pse mjaft e ulët është thuajse e pranishme çdo ditë. 
Ndërsa moti pa reshje i këtyre ditëve ka ndikuar në afrimin e një numri të konsiderueshëm vizitorësh ditorë nga Kosova, numri i të cilëve arrin në rreth 30. Pavarësisht se kjo periudhë është periudhë pushimi pritet që numri i vizitorëve gjatë këtij viti të vijë në rritje. Gjatë vitit të kaluar numri i vizitorëve të huaj të pranishëm në pikën turistike të Valbonës arriti në rreth 35 mijë. Ndërsa nga vetë banorët parashikohet që gjatë këtij viti numri i turistëve do të arrijë deri në mbi 40 mijë. Kjo edhe për faktin se është zgjeruar lidhja e tyre me agjencitë turistike, që menaxhojnë lëvizjen e turistëve të huaj. 

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate