19 gennaio 2013

Restauratori Pirro Thomo: Shqiperia nuk ka me asnje manastir Nga: PIRRO THOMO

TIRANE -19 Janar 2013 07:32
 Nga: PIRRO THOMO
Para disa muajve u indinjuam për prishjen
e ndërtesës së Republikës Autonome të Korçës.
Para disa ditësh u shokuam nga masakrimi i
afreskeve të kryemjeshtrit të shek. XVI, Onufrit.
Një valë protestash të shoqërisë civile u ngrit në të
dyja rastet: në rastin e parë për një monument të
rëndësishëm historik, ndërsa për rastin e dytë
protesta ishte më e fuqishme, meqenëse kishim të
bënim me një akt tepër barbar të paparë e të
padëgjuar, siç ishte shkatërrimi me mjete primitive i
një kryevepre të artit botëror pasbizantin. Në vija të
përgjithshme, protestuesit bënin përgjegjëse
organet shtetërore për paaftësinë e tyre për ruajtjen e monumenteve, ndërkohë që këto të
fundit sillnin si justifikim pamundësinë e ruajtjes të qindra monumenteve, të shpërndara në
një territor shumë të gjerë.
Por ruajtja e monumenteve është një pjesë e një problemi shumë më të gjerë e kompleks,
që është mbrojtja e monumenteve, e pasqyruar dhe në tabelën që mbajnë: "Mbrohen nga
shteti". Është një sfidë e shoqërisë, është një tregues i emancipimit dhe shkallës së
civilizimit të kësaj shoqërie.
Mbas kësaj ngrihet pyetja: A mbrohen monumentet dhe si mbrohen tek ne? Për të kuptuar
këtë, le t'u hedhim një sy të shpejtë realitetit dhe gjendjes së monumenteve.
Pa u shtrirë në të gjitha gjinitë e monumenteve, si p.sh. kalatë apo qindra banesa fshatare
e qytetare, le të përqendrohemi te monumentet e kultit, ku bën pjesë dhe kisha e Valshit.
Nuk u mjaftoi kusuri që hoqën nga viti i mbrapshtë 1967 kur u krye akti më barbar në
historinë e të gjitha kohërave, shkatërrimi fizik i tyre nga vetë poseduesit e kësaj pasurie
të paçmueshme historike e kulturore, por dhe gjendja e tyre mbas rikthimit të lirisë së
besimit, nuk mund të themi se është më e mirë.
Humbjet
Kështu p.sh., nga dhjetëra manastire që figurojnë në listën e monumenteve, nuk ka
mbetur thuajse asnjë ndërtesë manastiri në këmbë. Nuk ekziston më kulla karakteristike
dhe çardaku i rrallë i manastirit të Vanishtës, as harkada impresionante e manastirit të
Dhuvjanit, as porta e veçantë me shenjat e zodiakut në manastirin e Kamenos dhe as
konakët ku ishte dhe shkolla e Zagorisë së Çajupit në manastirin e Nivanit etj., etj. Po
kështu, me dhjetëra kisha gjysmë të rrënuara ose të lëna në mëshirën e fatit dhe të
ekspozuara faktorëve atmosferikë dhe jashtë çdo përkujdesje mirëmbajtjeje dhe bashkë
me to dhe dhjetëra metra katrorë afreske që i zbukuronin ato, si në kishën e Barmashit,
në kishën e manastirit të Nivanit, në kishën bizantine të Muzakajve në Tudas, në kishën e
Lashovës apo të Leklit etj., etj. Përmendim këtu dhe qindra gërvishtje të afreskeve, të
cilat kanë cenuar vlerat estetike të tyre dhe na bëjnë të rezervuar t'i paraqesim në
aktivitete shkencore ose në botime të ndryshme. Në qoftë se këto dëmtime janë bërë nga
persona të papërgjegjshëm, ç'do të themi kur vendimet e pamotivuara të drejtuesve më të
lartë të kulturës çojnë në dëmtime të vlerave kulturore, siç është rasti i urdhrit për "kalimin
kapital" të 752 ikonave nga Instituti i Monumenteve të Kulturës Muzeut Historik
Kombëtar. Këto ikona ishin tërhequr provizorisht nga monumentet e kulturës për qëllime
sigurie dhe ruheshin pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Pra kalojnë nga duart e
një ekipi specialistësh që përkujdeseshin dhe i mirëmbanin ato, në duart e personave pa
pikën më të vogël të specializimit dhe, për më tepër, në kushte alarmante, në prani të
temperaturave dhe lagështisë relative shumë të lartë, kushte mëse të favorshme për
dëmtimin e tyre. Dhe me gjithë reagimet shumë të vendosura të drejtuesve të Institutit,
kreut të Kishës Ortodokse dhe specialistëve të fushës në vitin 2005 dhe të përsëritura
edhe më 2006ën, ato ikona këtu e nëntë vjet vazhdojnë të ndodhen në Muzeun Historik
Kombëtar, pa u kujtuar se duhet të kthehen aty ku e kanë vendin, pranë kishës, ose të
vazhdojnë të ruhen pranë Institutit ose Muzeve të specializuara, aty ku kanë mundësi të
mirëmbahen, derisa të krijohen kushtet që ato të rikthehen në vendin e origjinës.
Por a njihet kjo gjendje dhe a ndiqet ecuria e këtyre monumenteve? Nuk mund ta besoj se
ka një njohje të plotë, kur nuk kryhen sistematikisht ekspedita për kontroll të gjendjes së
monumenteve, ekspeditat për mirëmbajtje korrente dhe të vazhdueshme, ekzistenca e një
grupi specialistësh dhe fondesh të përvitshme për këto ndërhyrje. Këto janë masat më
efikase për të shmangur dëmtimet e mëtejshme në monumente dhe këto kanë munguar
pothuajse tërësisht ndër vite, gjë që i ka shpënë në këtë gjendje monumentet.
Mungesa e kësaj veprimtarie, e domosdoshme për mbrojtjen e monumenteve, shpesh
fshihet nën pretekstin e mungesës së fondeve. Nuk besoj se Shqipëria vuan për mungesë
fondesh. Së pari, shteti, siç ka për detyrë mbrojtjen e monumenteve, ka për detyrë
gjithashtu dhe sigurimin e fondeve për të plotësuar këtë angazhim. Por ka dhe burime të
tjera për sigurimin e fondeve, p.sh., siç thotë prof. Aleksandër Meksi, nga të ardhurat e
turizmit meritojnë dhe monumentet të përfitojnë një pjesë, përderisa edhe ato kontribuojnë
aktivisht në rritjen e tij. Një tjetër burim financimi është bashkëpunimi i suksesshëm me
organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si në qendrat arkeologjike të Butrintit, Finiqit,
Antigonesë etj. Ndërsa për monumentet e kultit ortodoks, burim kryesor financimi mbetet
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, që deri më sot ka mbuluar restaurimin e një tëtretës së tyre.
Vjedhjet
Sikur të mos mjaftonin këto shkaqe të dëmtimit të monumenteve, u shtohen dhe vjedhjet
ose grabitjet e vlerave të tyre. Me keqardhje mund të themi se pak ikonostase kanë
mbetur në këmbë. Grabitje të tyre janë denoncuar herë pas here për Voskopojën,
Libofshën, Vanajn, Leusën, Zervatin etj. Grabitje të dhunshme kanë ndodhur dhe në
ikonostasin e kishës së largët të Lashovës së Leskovikut, një kryevepër e arteve të
zbatuara në dru të gdhendur të ikonostasit, fronit peshkopal, prosqinitarëvë, tavaneve, që,
duke shtuar dhe dëmtimet e ndërtesës, e kanë katandisur këtë monument në një gjendje
tragjike. Është për të ardhur keq që asnjë grabitje deri më sot nuk është zbuluar nga
Policia e Shtetit, e cila ka dhënë prova që është e aftë edhe për zbulimin e krimeve nga
më të sofistikuarat, pra është një neglizhencë e pajustifikuar. Por a janë të dokumentuara
këto vlera të grabitura, kur Drejtori i Qendrës së Inventarizimit Kombëtar të Pasurive
Kulturore, Izet Duraku, pohon se ka neglizhencë nga institucionet për regjistrimin e
vlerave që administrojnë? Pa një dokumentacion të tillë, si mund t'u drejtohemi për
ndihmë pikave kufitare, Interpolit, Muzeve të botës etj. për zbulimin e sendeve të
vjedhura?
Ligji
Moszbatimi i ligjit është një tjetër neglizhencë e palejueshme, që do të shërbente dhe si
masë parandaluese. Nuk kemi dëgjuar deri më sot të jetë dënuar ndonjë person për
dëmtim monumenti apo dhe prishje të tij, raste të cilat nuk kanë qenë të rralla, sidomos të
banesave të vëna në mbrojtje.
Mosinformimi
Dhe së fundi, mangësi vërehen dhe në informimin e opinionit shoqëror për vlerat e
trashëgimisë kulturore, si një mjet i rëndësishëm për sensibilizimin e tij për mbrojtjen e
kësaj trashëgimie. Por ky sensibilizim mund të ishte më efikas, në qoftë se do të fillonte
më herët dhe më gjerë. Nëse nxënësve të shkollave do t'u flitej nga mësuesi i tyre për
vlerat dhe rëndësinë e monumentit që ruhet në fshatin e tyre, ose në qoftë se tekstet
shkollore të çdo niveli do të përmbanin njohuri mbi pasuritë kulturore dhe ato ambientale,
do të rritej së tepërmi dashuria dhe interesimi për këtë pasuri të çmueshme kombëtare, do
të kishim gjithashtu dhe vullnetarë të mbrojtjes së monumenteve.
Mbas kësaj gjendjeje të shkallës së mbrojtjes së monumenteve, që u munduam të vëmë
në dukje më sipër, me keqardhje mund të pohojmë se boshllëku në politikën e mbrojtjes
së monumenteve çoi deri në masakrën e ditëve të fundit.
*Inxhinier, restaurator.
Titujt janë të redaksisë
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate